LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Bujqësisë: 200 tonelata speca nga toka e Kosovës në sofër të Evropës

Ministria e Bujqësisë: 200 tonelata speca nga toka e Kosovës në sofër të Evropës

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural njofton se fermeri Mehdi Bresilla nga fshati Llugaxhi i Komunës së Lipjanit po përgatit 200 tonelata speca të llojit somborka për t’i eksportuar për në shtetin e Suedisë.

Sipas ministrit Faton Peci prodhimet vendore po përfaqësohen me cilësi në sofrat e Evropës.

“Prodhimet tona vendore po përfaqësojnë cilësinë në raftet e dyqaneve në mbarë Bashkimin Evropian, duke filluar nga frutat e imta, frutat tjera e perimet. Nga toka e Kosovës në sofër të Evropës”, tha Peci.

Vitin e kaluar, fermeri Bresilla përmes aktivitetit të tij bujqësor ka arritur që vetëm rendiment nga specat të vjelë rreth 170 mijë kilogramë. Ai po ashtu planifikon që të eksportojë edhe 100 mijë kilogramë lakër.

Përveç kulturës së specit që zë një sipërfaqe prej 8.5 hektarë dhe lakrës me 1 hektar, ai kultivon edhe 5.2 hektarë me mollë, 9.3 hektarë me grurë, 8.7 hektarë me misër dhe 2.2 hektarë me dredhëz, e tëra e dedikuar për eksport. /Telegrafi/