Ministria e Brendshme e Francës u shënjestrua nga një sulm kibernetik disa ditë më parë, që kompromentoi llogaritë e email-et dhe u lejoi hakerëve të hynin në skedarë të ndjeshëm të policisë, konfirmoi të mërkurën Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez.

"Ne ishim shënjestër e një ndërhyrjeje dashakeqe disa ditë më parë", tha Nuñez në një intervistë në portalin Franceinfo.


Një hetim gjyqësor është duke u zhvilluar "për të gjetur autorin shumë shpejt", transmeton Telegrafi.

Ndërhyrja ndodhi kur sulmuesit hynë në "disa kuti postare profesionale të email-it" dhe "rikuperuan kodet e hyrjes", tha ministri.

Hakerët "ishin në gjendje të konsultonin një numër skedarësh të rëndësishëm", duke përfshirë Sistemin e Përpunimit të të Dhënave Penale (TAJ) dhe Dosjen e Personave të Kërkuar (FPR), tha Nuñez.

"Ne ende nuk e dimë shkallën e kompromentimit. Deri më sot, disa dhjetëra skedarë mund të jenë hequr nga sistemi", shtoi ai.

Nuñez tha se nuk mund të thoshte absolutisht nëse kjo do të kompromentojë hetimet apo jo, por këmbënguli se "nuk rrezikon jetën e bashkatdhetarëve tanë".

Ministri tha se nuk është marrë asnjë kërkesë për shpërblim. Ministri ia atribuoi ndërhyrjen "pakujdesisë" pavarësisht kujtesave të rregullta në lidhje me procedurat e sigurisë.

"Mjaftojnë vetëm disa individë që nuk i respektojnë këto rregulla", tha ai.

Sulmi, i cili zgjati "disa ditë", shënjestroi llogaritë e email-et në ministrinë Place Beauvau, e cila punëson gati 300,000 njerëz.

Javën e kaluar, BFMTV zbuloi se ministria kishte zbuluar aktivitet të dyshimtë që synonte serverat e saj të email-et.

Një grup hakerash më pas pretendoi pa ofruar prova se kishte qasje në të dhëna nga më shumë se 16 milionë njerëz në dosjet e policisë. /Telegrafi/