LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Arsimit edhe pse me vonesë, premton se do ti zëvendësoj tekstet e dëmtuara shkollore

Ministria e Arsimit edhe pse me vonesë, premton se do ti zëvendësoj tekstet e dëmtuara shkollore

Viti i ri shkollor në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme do të fillojë me mungesë të teksteve shkollore. Sipas drejtuesve të shkollave, Ministria asnjëherë nuk i ka dorëzuar të gjitha tekstet shkollore me kohë dhe kjo ka ndikuar në procesin mësimor, ka njoftuar Alsat-M, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Librat kanë ardhur shumë vonë, si e dini fëmijët kanë testimin e jashtëm dhe kemi pasur problem, ankesa nga ana e prindërve, ajo u rregullua në fund të vitit por erdhi vonë”, ka thënë Enis Memeti, Drejtor i Sh.F. “Penko” në Shkup.


Drejtori i shkollës fillore “Penko” e cila numëron rreth 1600 nxënës thotë se për vitin e ri shkollor kanë kërkuar mbi 1500 libra.

“Shkolla jonë e ka bërë kërkesën, në mënyrë elektronike dhe të shkruar sipas afatit të caktuar prej Ministrisë së Arsimit. Ne si shkollë kemi bërë kërkesën për 11.578 libra dhe e dini se është shkolla më e madhe, në tre gjuhë. Është interesant se në çdo vit paraqitet mungesë e librit të Anglishtes, si më e kërkuara është libri i anglishtes”, ka theksuar Memeti.

Nga Ministria e Arsimit thonë se pas grumbullimit të gjitha kërkesave do të njoftohen shtëpitë botuese për të shtypur libra të rinj.

“Ne prej të gjitha shkollave i kemi marrë të gjitha informacionet për listat e librave për lëndët shkollore. Jemi duke e bërë përfundimin apo sublimimin e të gjitha atyre kërkesave të atyre shkollave dhe analizave normalisht, dhe në bazë të atij sublimimi shërbimi pedagogjik nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës e njofton botuesin ku botuesi do të jetë I obliguar në përputhje me marrëveshjen që e ka me Ministrinë të bën ribotimin edhe të këtyre titujve në lëndë të veçanta”, ka deklaruar Safet Neziri, nga  Ministria e Arsimit.

Pavarësisht se ndërrimi i tërësishëm i teksteve shkollore duhet të bëhet çdo pesë vjet, jo zyrtarisht mësohet se për herë të fundit zëvendësimi i librave është bërë në vitin 2009, respektivisht zëvendësimi i radhës është dashur të bëhet para dy vitesh./Telegrafi/