Viti i ri shkollor nis nesër për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoni. Për rreth 14.500 nxënës të klasave të para, 1 shtatori do të jetë dita e parë në bankat shkollore, me mësues, shokë klase dhe një mjedis të ri.

Rënia e numrit të nxënësve do të ndikojë edhe në organizimin e mësimit. Për vitin shkollor 2026/2027 pritet të ketë rreth 200 paralele më pak në arsimin fillor dhe 100 më pak në arsimin e mesëm.


Gjithashtu, është paralajmëruar mbyllja e 26 shkollave rurale, në të cilat nuk është regjistruar asnjë nxënës i klasës së parë. Në disa prej këtyre shkollave deri tani mësimin e kanë ndjekur vetëm nga pesë deri në tetë nxënës.

Numri përfundimtar i nxënësve të arsimit fillor dhe të mesëm që do ta nisin mësimin nesër ende nuk është publikuar. Sipas të dhënave të fundit të plota të Entit Shtetëror të Statistikave, në fillim të vitit shkollor 2025/2026, në arsimin fillor të rregullt ishin regjistruar 174.040 nxënës, ndërsa në arsimin e mesëm 67.540, ose gjithsej 241.580 nxënës.

Në klasën e parë vitin e kaluar shkollor ishin regjistruar 17.921 nxënës. Në krahasim me shifrën aktuale prej rreth 14.500 nxënësish të klasës së parë, këtë vit vërehet një rënie e ndjeshme, ndërsa diferenca përfundimtare do të dihet pas përfundimit të regjistrimeve plotësuese.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur se tekstet shkollore janë shpërndarë dhe tashmë ndodhen nëpër shkolla. Sipas kalendarëve për organizimin e punës së shkollave fillore dhe të mesme publike, mësimi fillon më 1 shtator.

Në prag të ditës së parë të shkollës, drejtuesve të automjeteve u bëhet thirrje për kujdes të shtuar pranë shkollave, vendkalimeve të këmbësorëve dhe stacioneve të autobusëve, ku gjatë periudhës së ardhshme do të ketë një prani dukshëm më të madhe të fëmijëve.