LAJMI I FUNDIT:

Ministri shqiptar i Mbrojtjes takon homologun grek: Zgjerojmë bashkëpunimin, mbështetja e Kosovës në iniciativat rajonale rrit stabilitetin

Ministri shqiptar i Mbrojtjes takon homologun grek: Zgjerojmë bashkëpunimin, mbështetja e Kosovës në iniciativat rajonale rrit stabilitetin

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi u prit në një takim nga homologu grek Nikolaos Panagiotopoulos, një ditë pasi Athina zyrtare iu përgjigj pozitivishtë kërkesës së Shqipërisë për të dërguar një avion për shuarjen e zjarreve në Sazan.  

Në një njoftim në rrjetet sociale, Peleshi u shpreh se të dy vendet anëtare të NATO-s janë të gatshme të zgjerojnë dhe intensifikojnë më tej bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.


Sipas Ministrit të Mbrojtjes, bashkëpunimi pritet të fokusohet në edukimin ushtarak shëndetësi, stërvitjet e përbashkëta si dhe angazhimet në rajonin e Ballkanit si në rastin e KFOR.

Nga të dyja palët u dënua njëzëri agresioni i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë, ndërsa shprehën qëndrimin e tyre ndaj ndikimeve të kësaj situate në Ballkan, Evropë e më gjerë.

Sipas ministrit Peleshi, mbështetja e pjesëmarrjes së Kosovës në iniciativat rajonale do të jetë një hap tepër i rëndësishëm në shërbim të rritjes së besimit, paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.

Ministri Peleshi u shpreh se “sfidat tona të sigurisë mbeten të përbashkëta, të pandashme dhe të gjithanshme. Ato vijnë nga çdo drejtim dhe mund të cenojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe më gjerë. Nuk duhet të humbasim vëmendjen nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe krahu jugor i aleancës”.

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë vlerësoi kontributin e Forcave të Armatosura greke që prej fillimit në misionin e KFOR, në Kosovë, si një kontribut të madh për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Peleshi ka shpërndarë edhe një video nga takimi. /Telegrafi/