LAJMI I FUNDIT:

Ministri Maqedonci në Amerikë takon ndihmës-sekretarin e Ushtrisë për blerje ushtarake

Ministri Maqedonci në Amerikë takon ndihmës-sekretarin e Ushtrisë për blerje ushtarake

Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedoni po vazhdon vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkaq është pritur nga zëvendës-sekretarja e Mbrojtjes, Sasha Baker dhe po ashtu ka takuar ndihmës-sekretarin e Ushtrisë së SHBA-së për blerje ushtarake, logjistikë dhe teknologji, Douglas Bush.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se Maqedonci pati takime dhe me ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes për Çështje Ndërkombëtare të Sigurisë, Celeste Wallander, Ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes për Evropë dhe NATO, Lisa Sawyer, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Departamentit të Mbrojtjes.


“Në takim u diskutua për raportet bilaterale ushtarake, planin e tranzicionit, mundësitë për rritjen e bashkëpunimit në aspektin e trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta si dhe konsultimet rreth planit bilateral të mbrojtjes që do të diskutohet në fillim të vitit 2024.

Zëvendës Sekretarja Baker, shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e Kosovës për stabilitetin e regjionit të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen që Kosova po jep për luftën e drejtë të popullit të Ukrainës kundër agresionit rus”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në takim u rikonfirmua synimi i përbashkët për të thelluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes si dhe vazhdimin e koordinimit të përbashkët për të kontribuar për paqen dhe sigurinë në regjion dhe më gjerë.

Vizitën në Departamentin e Mbrojtjes, ministri Maqedonci e vazhdoi me takimin me ndihmës-sekretarin e Ushtrisë së SHBA-së për blerje ushtarake, logjistikë dhe teknologji, Douglas Bush.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partneri ynë kryesor strategjik!”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/