LAJMI I FUNDIT:

Ministri i Jashtëm i Çekisë: Të largohen barrikadat, Kosova të tregojë përmbajtje

Ministri i Jashtëm i Çekisë: Të largohen barrikadat, Kosova të tregojë përmbajtje
Ministri i Jashtëm çek

Pas situatës aktuale në veri të Kosovës, ka reaguar edhe ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky.

Në një postim në Twitter, Lipavsky është shprehur i shqetësuar. Ai u ka bërë thirrje serbëve t’i largojnë barrikadat e vendosura.


Po ashtu Lipavsky, ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës, që të tregojnë përmbajtje për situtën e krijuar.

“Të alarmuar nga përkeqësimi i fundit i situatës në veri të Kosovës ndaj pjesëtarëve të EULEX-it. U bëj thirrje protestuesve serbë të Kosovës që të përmbahen nga dhuna dhe të largojnë barrikadat. U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës të tregojnë përmbajtje”, ka shkruar Lipavsky.

Më herët, të dielën, kryeministri Albin Kurti, ka kërkuar nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ta garantojë lëvizjen e lirë në veri, duke thënë se ky është edhe misioni i tyre – garantimi i “një ambienti të qetë dhe të sigurt, i cili nënkupton edhe lirinë e lëvizjes pa dallim”.

Pas takimit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, kryeministri Kurti bëri të ditur se po pret që KFOR-i të largojë barrikadat në rrugët e bllokuara në veri.

“Ne po presim. KFOR-i po kërkon pak kohë që shpejt ta kryejë këtë punë dhe ne po presim”, u shpreh Kurti të dielën, në një konferencë për media.

Lëvizja e lirë është kufizuar në veri të Kosovës pasi janë ngritur barrikada dhe janë bllokuar disa rrugë nga serbët lokal pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai akuzohet se “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor./Telegrafi/