LAJMI I FUNDIT:

Ministri (i parë) i mërgatës

Ministri (i parë) i mërgatës

Më në fund komuniteti ynë e ka ministrinë e vet e cila do të mbajë fijet ndërmjet shqiptarëve me atdheun e tyre. Pra, mërgata jonë nuk do të shndërrohet në “gjakun e shprishur”, por do të jetë e lidhur ngushtë me trungun vet.

Mr. sci. Dashnim Hebibi

Ibrahim Makolli ka pasur fatin që të jetë ministri i parë i mërgatës sonë gjysmë milionëshe. Sesi e koncipon ai këtë pozicion mund të njiheni në intervistën që e zhvilluam ekskluzivisht për telegrafin.

Z.Makolli, tashmë diaspora nuk do të cilësohet si ‘farë e humbur’. Kjo ministri është kërkuar shumë herët nga mërgata jonë, ndërkaq duhet falënderuar padyshim, bamirësin e mirënjohur, zv. kryeministrin e Kosovës z. Behgjet Pacolli.
Zoti Pacolli e kupton më mirë se çdokush tjetër nga udhëheqësit politik e institucional në Kosovë se çka do të thotë të jesh larg atdheut, duke qenë dhe ai vet për më tepër se 30 vjet larg tij. Ai, më mirë se askush tjetër e njeh edhe potencialin që ka diaspora dhe rolin që mund ta ketë ajo për zhvillimin e vendit. Ai, prandaj, që nga angazhimi i tij i drejtpërdrejtë në politikë vazhdimisht ka insistuar në forcimin e rolit që duhet të ketë diaspora.
Ministria e Diasporës do të angazhohet që përmes politikave të saj të krijojë kushte sa më të volitshme që bashkëkombësit tanë të investojnë dhe ta zhvillojnë biznesin e tyre. Kjo ministri do të krijoj kushte që të mos cenohen të drejtat e pronës së shqiptarëve që jetojnë në diasporë. Synimi ynë është që të krijohen mundësi për përkrahje të arsimit të fëmijëve nga diaspora si dhe kultivimi i identitetit kombëtar. Do të marrim pjesë në aktivitetet e bashkatdhetarëve tanë në shtetet ku ata jetojnë. Përmes projekteve konkrete, do të angazhohemi maksimalisht, sidomos në ndalimin e asimilimit të mërgimtarëve tanë. Do t’i përkushtohemi përmirësimit të kushteve të jetesës dhe statusit të të gjithë bashkëkombësve tanë që jetojnë në diasporë, si dhe një varg angazhimesh të tjera të shumta, të cilat do t’i prezantojmë më konkretisht gjatë muajve në vijim.


Diaspora jonë ka probleme të shumta. Cila do të jetë detyra juaj e parë që do ta ndërmerrni?
Jam i vetëdijshëm që jemi në një kohë të ngushtë nga themelimi i Ministrisë dhe koha kur fillon ardhja e mërgimtarëve për pushime në vendlindje, por megjithatë do të përpiqem që këtë herë ardhja dhe qëndrimi i tyre në vendlindje të jetë më i lehtë se herëve të kaluara. Tashmë jam në fazën e parë të rishikimit të disa politikave që kanë ndikuar për të keq në të kaluarën. Do të ndërmarrim masa që mërgimtarët tanë të ndjejnë lehtësira që nga hyrja e tyre në kufirin e Kosovës dhe deri sa kthehen nga pushimet. Ka një mori çështjesh, të cilat do t’i studiojmë me kujdes dhe për secilën prej tyre të kemi zgjidhje adekuate.
Në fazat e mëvonshme do të evidentojmë numrin e saktë të diasporës tonë kudo nëpër botë, i cili do të na mundësoj përcaktimin e strategjisë që mërgimtarëve tanë do t’ju mundësojë të jenë më të organizuar në vendin ku ndodhen dhe po ashtu të kenë ndikimin në proceset zhvillimore në vendlindje. Këto do të përmblidhen në projekte konkrete të cilat do t’i propozojë vetë diaspora dhe që do t’i përpunojnë ekspertët tanë që do të merren me këtë çështje.

A do të ketë shtrirje apo ndonjë përfaqësues nga ato shtete ku jetojnë me shumicë mërgimtarët tanë?
Ministria e Diasporës vështirë se do të mund të kryente punën me efikasitet nëse nuk do të ishte ndihmesa edhe e bashkëkombësve tanë që jetojnë në diasporë, të cilët do të përfshihen drejtpërdrejtë në realizimin e objektivave të kësaj ministrie të re. Mërgata jonë e meriton të vendos për Kosovën po aq sa edhe ne. Dyert e Ministrisë së Diasporës do të jenë të hapura për të gjithë mërgimtarët, prej të cilëve do të ketë edhe të atillë që do të jenë përfaqësues të drejtpërdrejtë të ministrisë, me qëllim që të jemi në çdo çast afër nevojave të mërgimtarëve tanë.

Jeni i mendimit se diaspora ka qenë e harruar?
Nuk jam nga ata që mohon të arriturat, sado të pakta qofshin ato. Por, më duhet të them se diaspora nuk është trajtuar ashtu çfarë ajo e meriton. Nuk do të akuzoj, sepse me akuza nuk zgjidhet asgjë, por jam shumë i gatshëm që me përkushtimin dhe me mbështetjen edhe të qeverisë e edhe të mërgimtarëve të trajtomë në mënyrë institucionale, ashtu çfarë e meriton kjo pjesë e popullit tonë, që për shkaqe të ndryshme, qofshin ato ekonomike a politike, janë detyruar të largohen nga Kosova. Asnjëherë nuk do ta harrojmë ndihmën që mërgata jonë dha edhe për organizimin tonë politik në kohët më të vështira për Kosovën.

Në diasporë, ka shumë të rinj dhe të reja që po diplomojnë nëpër universitete të ndryshme, por nuk u jepet hapësirë sa duhet në Kosovë, që të veprojnë.
Ministria e Diasporës do të përpilojë projekte specifike të cilat do t’i bashkojnë shqiptarët kudo që ata jetojnë dhe do t’ua mundësojnë qytetarëve të Kosovës ta ruajnë lidhjen me atdheun. Kthimin e mërgimtarëve në trojet e tyre duhet parë edhe si mundësi të sjelljes së përvojave nga shtetet ku ata janë shkolluar e ku kanë marrë përvojat profesionale. Prandaj ne llogarisim në këtë potencial njerëzor aq të nevojshëm për progresin e vendit tonë.. Vetëm duhet t’u krijojmë kushte të volitshme që të kthehen. Prandaj e them se sot është mëse e rëndësishme të mundësosh të kthehen në vendlindje të rinjtë që janë shkolluar e kanë specializuar në shtetet perëndimore.

Kur do të jetë vizita juaj e parë në diasporë?
Siç e dini, jemi ne fazën e konstituimit të ministrisë. Në ditët në vijim besoj do të kemi edhe vizitën e parë në diasporën, vizitë e cila nuk do të jetë e koncentruar vetëm në një vend. Vizita ime e parë do të realizohet në disa shtete ku ka koncentrim më të madh të mërgatës.

Meqë tash e kemi edhe ministrinë e diasporës, a do duhej që të shuhen partitë politike, që kanë funksionuar si degë apo nëndegë nëpër gjithë diasporën?
Degët e partive politike në Diasporë kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, prandaj edhe duhet të çmohet veprimi i tyre. Tashmë konsideroj se jemi në një fazë tjetër të zhvillimit dhe organizimi i mërgatës duhet të institucionalizohet. Kujtoj se praktika e mërgatave të tjera, të cilat janë treguar të suksesshme në organizimin e tyre duhet të merret në konsiderim. Përndryshe, kujtoj se duhet të mbështesim të gjitha përpjekjet dhe iniciativat e qytetarëve tanë, shtetas të vendeve ku jetojnë e veprojnë, të marrin pjesë në jetën politike të atyre vendeve. Është me interes edhe për pjesëtarët tanë në diasporë e edhe të vet Kosovës pjesëmarrja e tyre në jetën politike të atyre vendeve. Ne, do të mbështesim me të gjitha kapacitetet që kemi këso lloj iniciativash. Ne tani duhet të veprojmë të koordinuar siç i ka hije një shteti me institucione të përgjegjshme për punën që bëjnë.

Z. Ministër, a do qëndroni në Kosovë më shumë apo në diasporë, gjatë detyrës suaj?
Angazhimin tim mendojë ta koncentrojë kryesisht në diasporë, në mënyrë që me aq sa varet nga mundësitë dhe kapaciteti im, të jem sa më pranë mërgimtarëve kudo që ata ndodhen.

A do të ishte e nevojshme, që të kemi edhe deputetë në Parlamentin e Kosovës nga diaspora jonë?
Jam i bindur se një prej parakushteve që mërgimtarët tanë ta ndjejnë vetën të inkorporuar në proceset politike në Kosovë është edhe kyçja e tyre e drejtpërdrejtë në institucionet më të larta të shtetit, qofshin ato legjislative ose ekzekutive. Mërgata jonë nuk duhet shikuar vetëm si aset ekonomik, mbi të gjitha ajo duhet të shihet dhe të kuptohet si potencial politik e intelektual. Jam shumë i bindur se dita, kur mërgata do të jetë pjesëmarrëse aktive e proceseve zhvillimore në vend, nuk do të jetë e largët.

Nga kush pret mbështetje më të madhe?
Ministria e Diasporës në këtë kuptim, do të jetë adresa e duhur ku do të mund të drejtohen të gjithë ata që dëshirojnë të bashkëpunojnë dhe të kontribuojnë për mërgatën. Andaj, mendoj se tani ka ardhur koha kur atdheu duhet sadopak t’ua kthej borxhin bashkëkombësve tanë të diasporës. Do ta bëjmë të duhurën që mërgata jonë ta ndjejë veten faktorë përcaktues për fatin e vendlindjes së tyre. E besoj shumë se ky dikaster i qeverisë do të ketë përkrahjen jo vetëm të qeverisë, por edhe të partive politike në opozitë, të shoqërisë civile e të medieve, sepse mërgata është pasuri dhe pjesë e Kosovës e jo e partive politike. Mërgata në asnjë rast nuk duhet të partizohet dhe, unë jam i gatshëm për bashkëpunim me këdoqoftë që ka ide dhe zgjidhje për zgjidhjen e problemeve të mërgimtarëve dhe avancimin e tyre.
Nga diaspora, natyrisht. Nuk mund të ketë efikasitet nëse nuk do të kemi ndihmën e bashkëkombësve tanë që jetojnë në diasporë. Besoj shume në një koordinim të vazhdueshëm të aktiviteteve tona. Bashkatdhetarët tanë do të përfshihen drejtpërdrejtë në realizimin e objektivave të kësaj ministrie. Mërgata jonë e meriton të vendos për Kosovën po aq sa edhe ne. Dyert e Ministrisë së Diasporës do të jenë të hapura për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë.

Meqë edhe vet një kohë keni qenë jashtë, a është kështu, apo mërgata jonë është e pasur dhe, njëkohësisht e varfër?
Unë nuk kam jetuar jashtë, mirëpo mund të them se shkaku i angazhimeve të mia të atëhershme si përfaqësues i të drejtave dhe lirive të njeriut, një pjesë të madhe të jetës sime e kam kaluar nëpër shtetet ku jeton dhe vepron mërgata jonë. Kjo më ka dhënë mundësinë që me kohë të njihem me diasporën, në faza të ndryshme të migrimit të bashkëqytetarëve tanë, para, gjatë dhe pas luftës. Përndryshe, edhe 2/3 e familjes time tash e 20 vite jetojnë në diasporë. Andaj, mund të them se mërgata jonë sot është e pasur mbi të gjitha në aspektin e kapaciteteve njerëzore që ka. Dhe, ne llogarisim në këtë potencial njerëzorë aq të nevojshëm për progresin e vendit tonë. Sot, secili prej nesh duhet ta kuptojë se patriotizëm mbi cilindo patriotizëm tjetër është që t’u krijosh kushte të kthehen në vendlindje të rinjtë që janë shkolluar e kanë specializuar në shtetet perëndimore, të cilët njëkohësisht janë edhe pasuria më e madhe e jonë.

Jeni shumë modest dhe i palodhshëm, çka të bezdis më shumë në jetë?
Më së shumti bezdisem kur dëgjojë individë që flasin për ide dhe projekte të mëdha, por nuk tregojnë se si mund të vjen deri të realizimi i tyre. Bezdisem jashtëzakonisht shumë nga individët që fjalë kanë shumë, e punë pak. Bezdisem nga pesimistë që vetëm dinë të kritikojnë dhe asnjëherë nuk e marrin guximin të jenë pjesëmarrës aktivë në procese. Bezdisem nga ata që çdo gjë të shohin vetëm zi edhe atëherë kur nuk është ashtu. Bezdisem nga ata që e mendojnë dhe e besojnë se gjithçka fillon me ta.

Zoti Makolli, ju për nga natyra nuk lini përshtypjen e njeriut të qejfeve, sevdasë dhe tek ju nuk duket se ka bohemizëm. Është kështu, apo jemi në lajthitje?
Një fjalë thotë “Si është vendi, bëhet kuvendi”! Dhe vendi ynë në kohën e rinisë sime, e cila për njeriun njihet si periudha më e mirë e jetës, nuk i kishte rrethanat për të bërë jetë luksoze sepse i gjithë fati kolektiv i këtij populli ishte i shtrënguar në rripin e mbijetesës. Dhe sot, kur e shoh se si fëmijët e mi dhe bashkëmoshatarët e tyre rriten në Kosovën e lirë, kur ata çdo gjë e përjetojnë më ndryshe, ndajnë kohë edhe për argëtim dhe për mësim ndjejë kënaqësinë më të madhe, e cila mua dhe gjeneratës sime ma shpaguan sadopak mundimin e atëhershëm, kur brezi im rritej dhe burrërohej ngutshëm.

A prisni ndonjë ndryshim tek vetja juaj, qëkur jeni emëruar ministër?
Postin e ministrit e kuptoj vetëm si shtim të përgjegjësive dhe si vazhdim të rrugës sime të filluar më se dy dekada më parë. Jam shumë i nderuar që jam vënë në krye të një dikasteri që mbulon gati 1/3 e popullit tonë që gjendet, që për arsye të ndryshme dhe në kohë të ndryshme, është detyruar që të largohet nga Kosova.

Po në familjen tuaj?
Familja ime tashmë është adaptuar me mënyrën e jetesës sime dhe me aktivitetet e mia. Andaj, atyre do t’iu mbetëm përjetë mirënjohës dhe borxhli për mirëkuptimin që kanë treguar ndaj punës sime. Pa përkrahjen e tyre, unë sot nuk do të arrija shumëçka.

Keni shumë udhëtime, a iu tërheqin ato?
Për shkak se qysh në vitet e hershme të rinisë, udhëtimet më janë imponuar vetëm si domosdoshmëri për t’i përmbushur aktivitetet e mia, unë ato s’mund t’i përjetojë më ndryshe pos si obligim për kryerjen e përgjegjësive me të cilat jam i ngarkuar.

Ku do t’i kaloni pushimet verore, mos ndoshta në diasporë?
MD është dikaster i sapoformuar qeveritar dhe gjithçka nis nga fillimi. Gjatë këtij viti unë dhe stafi im do t’i shtyjmë pushimet verore, sepse gjatë këtyre muajve do të jemi në shërbim të aktiviteteve të cilat do të zhvillohen për mërgatën që kryesisht gjatë muajve të verës e viziton vendlindjen.

Çka preferon ministri Makolli: detin, apo natyrën?
Njeriu ka nevojë edhe për njërën edhe për tjetrën. Mirëpo, nëse patjetër më duhet ta zgjedh njërën, atëherë shumë më me dëshirë pushimet do t’i bëja në bjeshkë se sa në bregdet.

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Analiza e

Analiza e "Octupus": Si po synon Serbia destabilizimin e Kosovës përmes luftës hibride

Siguri

"Me qenë vjehrra e mirë e kish pas edhe Zoti", Atilla mori sërish vëmendjen me deklaratat e tij qesharake në Big Brother VIP Kosova

Magazina

"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë

Magazina
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Magazina
Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Evropa
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Amerika
Kalo në kategori