Ministri i Brendshëm ukrainas para tragjedisë ishte nisur për në vijën e frontit – publikohen pamjet pak para rrëzimit të helikopterit

Ministri ukrainas i Punëve të Brendshme, Denys Monastyrskyi dhe bashkëpunëtorët e tij që humbën sot jetën nga rrëzimi i helikopterit në rajonin e Kievit, ishin duke shkuar për në vijën e frontit.
Këtë e ka bërë të ditur zëvendës-shefi i zyrës së presidentit ukrainas Kyrylo Tymoshenko, duke theksuar se i tërë menaxhmenti i Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte rrugës drejt “pikës së nxehtë” kur helikopteri u rrëzua, raporton BBC.
Lajmin për vdekjen e ministrit të Brendshëm e ka konfirmuar edhe policia lokale, që tha se ndodhi si pasojë e rrëzimit të helikopterit në afërsi të Kievit, transmeton Telegrafi.
Fluturakja përfundoi mbi një kopsht të fëmijë, ku si pasojë kanë humbur jetën 18 persona, e në mesin e tyre tre fëmijë, derisa 22 tjerë janë dërguar në spital për trajtim.
Brenda helikopterit që është rrëzuar gjendeshin nëntë persona në mesin e të cilëve Monastyrskyi dhe zëvendësi i tij Yevgen Jenij dhe Sekretari i Shtetit, Yuri Lubkovich.
Pas rrëzimit ka shpërthyer një zjarr i madh në afërsi të kopshtit, kurse fëmijët dhe personi janë nxjerrë nga objekti. Mbetjet e helikopterit shiheshin pranë ndërtesës së përfshirë nga zjarri.
Në momentin e rrëzimit ishte errësirë dhe kishte mjegull, e raportet e para tregojnë se helikopteri është përplasur në kopsht dhe më pas ishte rrëzuar në afërsi të një ndërtese kolektive.
Në rrjetet sociale janë shfaqur edhe pamjet e fluturakes, për të cilat thuhet se janë realizuar pak minuta para se të ndodhte rrëzimi. /Telegrafi/

















































