LAJMI I FUNDIT:

Milionat për barna esenciale, a po shkojnë tek pacientët?

Milionat për barna esenciale, a po shkojnë tek pacientët?

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia javës së kaluar, njoftoi se janë ndarë 60 milionë euro për listën e barnave esenciale për vitin 2023.

“MSH ka ndarë 60 milionë euro për listën e barnave për 2023, që është më shumë se dyfish rritje e buxhetit sidomos krahasuar me vitin 2018 kur kjo shumë ka qenë 24 milionë euro, e më pas në vitin 2020 është bërë 35 milionë euro nga qeveria Kurti 1”, ka thënë ai.


Ai ka thënë se përmes kësaj liste synojnë që të përmbushin nevojat e qytetarëve me kosto sa më të ulëta.

“Rrjedhimisht do të kemi edhe barna më shumë por edhe me çmime më të lira, kursim i dyfishtë për xhepat e qytetarëve. Përmes listës esenciale synojmë të përmbushim nevojat e qytetarëve me kosto sa më të ulëta. Janë shtuar diku mbi 70 produkte të reja për trajtimin e sëmundjeve të qytetarëve”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Ndërsa në fund të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës kishte ndarë 4 milionë e 200 mijë euro për blerjen e barnave esenciale për tremujorin e fundit të vitit 2022.

Kjo ka qenë kërkesë e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, e cila e ka marrë mbështetjen e Qeverisë.

Driton Vela, që është kryesues i grupit për përcaktimin e listës esenciale të barnave ka thënë se vitin e kaluar për barna janë shpenzuar 52 milionë euro.

“Këtë vit kemi rreth 60 milionë që me krahasu me vitin 2018, është një rritje pothuajse dyfish”, tha Vela.

Aty u fol edhe për barnat për imunoterapi, të cilat janë më të shtrenjtat.

Imunoterapia (bioterapia ose terapia biologjike) është një lloj trajtimi për kurimin e kancerit përmes së cilës rritet aftësia natyrore e trupit për t’u mbrojtur nga qelizat kancerogjene. Kjo terapi po përdoret gjerësisht sot në botë dhe ka të bëjë me novacionet e onkologjisë në trajtimin e sëmundjeve malinje në 5 vitet e fundit.

Për trajtimin e sëmundjes së kancerit emisioni “Kallxo Përnime”, kishte pasur debat edhe në fillim të shkurtit të këtij viti, ku u tha se dy prej preparateve që përdoren në këtë terapi tek pacientët janë ajo me Nivolumab dhe Pembrolizumab, edhe pse të listuara në listën e barnave esenciale që nga viti 2019-të, pa i specifikuar indikacionet, furnizimet e para të saj në Kosovë kanë ardhur vetëm në fund të prillit 2021.

Në emisionin kushtuar barnave, Driton Vela, kryesues i grupit për përcaktimin e listës esenciale, ka thënë se tash për dallim nga e kaluara, indikacionet e përdorimit të këtyre barnave për sëmundjen e kancerit, janë të qarta.

“Tash janë të qarta edhe si duhet të përshkruhen ato. Sepse këto barna nuk janë efikase tek të gjithë pacientët madje edhe brenda një kanceri. Diku 35% e buxhetit total të SHSKUK-së, janë të destinuara vetëm për imunoterapi”, ka thënë Vela.

Muhamedali Kodra nga Shoqata për mbrojtjen e pacientëve ka thënë se si shoqatë nuk e kanë të qartë se sa do të mbërrijnë te pacienti.

“Në qeverinë e kaluar kemi bërë kërkesë me monitoru lëvizjen e barnave nga depoja e spitalit deri te pacienti, nuk na është lejuar. E kësaj qeverie ende nuk i kemi kërkuar monitorim” – tha Kodra.

Kodra ka shtuar se pacientët janë duke blerë barna vetë.

Driton Vela, kryesues i komitetit për revidimin e listës së produkteve mjekësore, ka thënë se janë 20 kërkesa individuale për barna.

Ato do të shpërndahen, vetëm kemi pritur derisa është reviduar lista e barnave, disa janë pranuar disa jo” – thotë Vela.

Vela është pyetur nëse do ta lejoj shoqërinë civile të monitoroj shpërndarjen e barnave, e ai tha se nuk është përgjegjës për këtë pjesë.

“Ne nuk jemi përgjegjës për këtë pjesë, sepse nuk mund të flas në cilësinë e zyrtarit të ministrisë. Ne po dojmë me kriju mekanizëm përmes të cilit ne komunikojmë me këto komitete lokale në SHSKUK, në mënyrë që ata me zbatu listën me përpikëri ashtu siç e kemi përpilu. E tash si harxhohen këto barna, është pjesë e SHSKUK-së”, thotë Vela.

Vela ka folur edhe për Sistemin Informativ Shëndetësor, i cili ka qenë premtim elektoral i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Prioritet kryesor në qeverisjen e shëndetësisë i kemi sigurimet shëndetësore publike të paraprira nga Sistemi Informativ Shëndetësor – SISH dhe Udhërrëfyesit klinikë”, ishte premtimi i partisë në pushtet, por edhe pas dy vjetëve ende asgjë nuk është bërë lidhur me këtë.

Vela ndërkohë në emisionin “Kallxo Përnime”, thotë se pa këtë sistem barnat janë në një mjegull.

“Krejt këto kërkesa janë shumë të nevojshme, por marrin kohë, e çka tash a ta sakrifikojmë revidimin e listës edhe për një periudhë të caktuar e cila herën e kaluar është reviduar para 4 vjete”, thotë Vela.

Muhamedali Kodra, nga PRAK, ka thënë se brengosëse për ta vazhdon të jetë fakti që një shumë e madhe e mjeteve financiare ndahen për citostatikë dhe imunoterapi.

“Kur qytetarin e obligon me dalë me ble shiringë e fashë. Barnat e shtrenjta për pak pacientë është e diskutueshme se cilat me u përdorë. Kosova s’ka kapacitet me i mbulu të gjitha, ne si pacientë dojmë me i marrë të gjitha shërbimet. Nëse e kemi dilemën tash ta mbrojmë një pacient që kushton 100 mijë euro apo t’i mbrojmë 100 pacientë që kushtojnë 1 mijë euro” – tha Kodra.

Kodra e ka treguar edhe një rast në spitalin e Prizrenit, i cili nuk ishte i furnizuar me ‘fentanil’, e cila është pajise për infuzion.

“Para 3 ditësh në spitalin e Prizrenit, tha nuk ka fentanil edhe i kemi reduktu anestezionet për shkak të mungesës së anestetikëve. Do të thotë një ampullë e thjeshtë edhe nuk bëhet operacioni, mund të ketë arsye pse ka ndodh ajo, por e vërteta është që shërbimin s`po e marrin pacientët”, thotë Kodra.

Shteti shkollon farmacistë klinik por nuk i punëson

Në këtë debat u fol edhe për farmacinë klinike, drejtim ky që nuk ishte paraparë në organogramin e SHSKUK-së.

20 mijë euro kishte shpenzuar Ministria e Shëndetësisë për të subvencionuar specializimin për një specializant të Farmacisë Klinike.

Programi i cili kishte nisur në vitin 2017 përfshiu në total 23 farmacistë për shkollimin e të cilëve u paguan rreth 450 mijë euro.

Por një hulumtim i Kallxo.com zbardhë se pjesa më e madhe e këtyre farmacistëve nuk u punësuan në SHSKUK, ndërsa përvojën e tyre e ndajnë në spitale dhe barnatore private.

Astrit Haxhijaha është specialist i farmacisë klinike i cili ka përfunduar specializimin e tij me subvencionim nga MSH.

Në emisionin “Kallxo Përnime ka thënë se përgjegjësi e farmacistit klinik është vlerësimi i terapisë, me këtë sipas tij hiqet përgjegjësia që doktori në Kosovë ende e mban.

“Për shkak të mentorimit ne detyrohemi që të fillojmë specializimin në vitin 2018 dhe na ofrohet një aneks kontratë ku thuhej se shkollimi specialistik është në kuadër deficitar”, thotë ai.

Ai thotë se pas përfundimit të specializimit, kanë kërkuar sqarim nga SHSKUK-ja se pse nuk janë punësuar dhe në përgjigjet e saj thuhet se farmacia klinike nuk është e përfshirë në statut të këtij institucioni.

Portali ka kontaktuar edhe specialistë të tjerë të kësaj fushe.

Nita Kelmendi, është njëra nga specializantet që e ka përfunduar specializimin në vitin 2017.

Ajo ka thënë se ky lloj specializimi nuk është paraparë në Organogramin dhe Statutin e SHSKUK-së dhe se përkundër kërkesave dhe takimeve të vazhdueshme që kanë bërë në Ministri të Shëndetësisë e në Bordin e SHSKUK-së, ende nuk ka një zgjidhje të kësaj çështjeje.

“Nuk jemi pranuar si specialistë sepse nuk ka pasur konkurs për specialistë të Farmacisë Klinike, me arsyetimin që nuk ekzistojmë në Statutin e SHSKUK-së, tani kanë bërë disa ndryshime në statut por nuk e dimë nëse na kanë përfshirë”, ka thënë Kelmendi në një përgjigje me shkrim.

Kontratat me specializantët që përfituan nga fondet e shtetit nuk kufizojnë që ata të punojnë në SHSKUK, ndërsa në përgjigjen e kësaj të fundit thuhet se në Statutin e ri do të parashihet edhe kjo kategori.

“Statuti i SHSKUK-së, është në procedurë të plotësim-ndryshimit dhe në të mund të parashihen edhe farmacistët klinik. Pra, presim plotësim-ndryshimin për të vepruar konform Statutit të plotësuar”, ka thënë Shpend Fazliu, zëdhënës i SHSKUK-së.

Çka thotë Udhëzimi Administrativ për edukim specialistik?

Neni 1 i Udhëzimit Administrativ për edukim specialistik i dalë nga Ligji për Shëndetësi, rregullon organizimin, kriteret, të drejtat, detyrimet, llojet e lëmive specialistike, procedurat e shkollimit specialistik dhe profilizimin për profesionistët shëndetësorë.

Neni 4 thotë se shkollimi specialistik organizohet nga Bordi, Komiteti, mentori, bashkëmentori, sipas kompetencës së përcaktuar në këtë Udhëzim Administrativ.

Ndërsa, organizimi dhe mbikëqyrja e procesit të specializimit është kompetencë e Bordit.

Hartimi dhe zbatimi i plan-programit për shkollim specialistik është kompetencë e Komitetit. Mbikëqyrjen profesionale të shkollimit specialistik e bën mentori ose bashkëmentori.

Pra Bordi për edukim specialistik në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë i përcakton nevojat shëndetësore dhe shpallë konkurs për specializime të ndryshme.

Pse është e rëndësishme përfshirja e farmacistëve klinikë si pjesë e ekipit mjekësor?

“Punojmë drejtpërdrejt me mjekët profesionistët e tjerë shëndetësorë e pacientët, në mënyrë që të optimizojë farmakoterapinë e pacientit, përfshirë efikasitetin, eliminimin e mundësisë së efekteve anësore, ndërveprimet e mundeshe të barnave dhe e gjithë kjo do të ndikonte dukshëm pozitivisht në mirëqenien e pacientit dhe përmisimin e shërbimeve mjekësore”, thotë Nita Kelmendi, specializante e kësaj fushe.

Ajo ka shtuar se farmacistët klinikë kontribuojnë në përpilimin dhe përditësimin e protokolleve në klinikat përkatëse.

Astrit Haxhijaha, po ashtu specialist i farmacisë klinike thotë se përgjegjësi e farmacistit klinik është vlerësimi i terapisë, me këtë sipas tij hiqet përgjegjësia që doktori në Kosovë ende e mban.

“Përshtatshmërinë dhe efektshmërinë e terapisë tek pacienti, interaksionet dhe ndërveprimi i barnave, gjë që minimizon efektet anësore të mundshme, dozimi apo përdorimi racional i barnave, pra dozimi i përket komplet farmacistit klinik jo doktorit”, thotë Haxhijaha.

Pa bërë ende zgjidhje për këta specialistë të farmacisë klinike, Ministria e Shëndetësisë përkatësisht bordi për shkollim specialistik, ka hapur konkur edhe për 6 specializime të kësaj fushe.

“Këta do të pranohen në specializim pastaj, MSH-ja është e obligume për t`i punësuar deri në 3 vjet, me ligjin e vjetër ka qenë kështu ne po tentojmë që ta ndryshojmë këtë”, thotë Driton Vela, nga bordi për shkollim specialistik.

Bordi për shkollim specialistik, merr për bazë kërkesat nga institucionet shëndetësore dhe në bazë të tyre, hapë konkurs për specializime.

“Ne kemi pranuar kërkesa për 6 vende nga SHSKUK-ja dhe e kemi hapur konkursin”, thotë Vela.

Sipas Ligjit të Shëndetësisë, thuhet se çdo specializant duhet të punësohet në vendin ku e ka përfunduar shkollimin specialistik.

“Sa është zbatuar kjo në praktikë prej momentit të miratimit të këtij ligji, kjo është tjëtër gjë”, thotë tutje Vela.

Probleme serioze në specializimet në Kosovë, Maqedonia notë verbale

Kallxo.com kishte marrë raportim nga qytetarët për dyshimet rreth diplomimit të një specializanti i cili ishte shqiptar i Maqedonisë së Veriut dhe e kishte kryer specializimin por kolegët nuk e kishin parë të jetë prezent në punë ashtu siç kërkohet me rregulla të specializimit.

Sidoqoftë, specializanti ishte ‘mbuluar me letra’ dhe dyshimi ishte se kjo ishte bërë duke pasur personin e njëjtë që e kishte edhe mentor, edhe kryetar të komitetit për specializime të anesteziologëve si dhe drejtor i klinikës që mund të mbikqyrë hyrjet e daljet e prezencës së punëtorëve në objekt të SHSKUK-së.

Por, kur anasteziologu i specializuar kishte filluar të punonte në institucionet e vendit të tij, kolegët e tij në Maqedoninë e Veriut e raportuan. Filluan dyshimet për kompetencën e tij, deri në atë masë sa Maqedonia e Veriut i dërgon një notë verbale Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila përcillet në Ministri të Shëndetësisë dhe te komiteti i specializimeve. Në këtë notë verbale kërkohen më shumë informata rreth specializimit të tij.

Sipas kësaj note verbale, anesteziologu nuk dinte të kryente punën e tij.

Driton Vela nga bordi për shkollim specialistik i Ministrisë së Shëndetësisë ka pranuar se kanë marr notë verbale nga Maqedonia e Veriut rreth këtij anesteziologu.

“Po, kemi marrë notë verbale për ta sqaruar se a e ka përfunduar ai anesteziolog shkollimin specialistik dhe a i ka dëshmitë në Kosovë, dëshmitë e vijueshmërisë e të tjera” – ka thënë Vela.

Ai më tej ka shtuar se këtë kandidat e prek udhëzimi i vjetër administrativ për shkollim specialistik, sipas të cilit lejohet që mentori i një specializanti mund të jetë njëkohësisht mentor, kryetar i komitetit dhe drejtor i klinikës. Kjo shfaq dyshimin që një person shumë më lehtë mund t’ia nënshkruajë një specializianti kinse e ka kryer specializimin.

Vela tha se personi që ia ka dhënë nënshkrimet anesteziologut në fjalë për vijueshmërinë dhe të gjitha të tjerat është i njëjti person.

“I njëjti person ka qenë mentor, kryetar komiteti dhe drejtor klinike… Udhëzimi i vjetër, i vitit 2017, një personi i lejohet që t’i kontrollojë të gjitha aspektet e shkollimit specialistik, e ky është konflikt interesi” – thotë tutje Vela.

Vela tha që specializimi i këtij shtetasi të Maqedonisë së Veriut është duke u hetuar dhe bordi për shkollim specialistik janë të gatshëm t’ia tërheqin specializimin nëse hetimi tregon që ky anasteziolog nuk i ka pëmbushur kushtet për specializim.

 Problemet e specializantëve

Arianit Zajmi, përfaqësues i specializantëve foli për problemet që kanë specializantët e Orologjisë.

“Aty janë 12 specializantë e në konkursin e ri kishin hap edhe për 5 të tjerë. Nga klinika e Orologjisë thanë që brenda javës ndodh që një specializant të hy në sallë vetëm njëherë, pra me marr pjesë në një operacion, për dallim nga vendet e Evropës ku një specializant i kësaj fushë, në sallën operative futet brenda ditës 3-4 herë”, tha Zajmi.

Tutje ai shtoi se kjo po ndodh për shkak të mungesës së sallave të operacioneve.

“Nuk ka infrastrukturë, nuk ka kapacitete mentoruese”, tha tutje ai. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Lajme
Zbulohet shifra që u pagua Alma Kaçi për të kryer marrëdhënie seksuale me Safet Gjicin: Ia morën videon me forcë

Zbulohet shifra që u pagua Alma Kaçi për të kryer marrëdhënie seksuale me Safet Gjicin: Ia morën videon me forcë

Lajme
Kalo në kategori