LAJMI I FUNDIT:

Miliona euro dëme materiale, qytetarët po përballen me pasojat pas vërshimeve në disa komuna

Miliona euro dëme materiale, qytetarët po përballen me pasojat pas vërshimeve në disa komuna

Kanë kaluar disa ditë që vendi u përfshi nga një mot me reshje të dendura të shiut, ku për pasojë u përmbytën disa pjesë të vendit, në të cilat ka pasur dëme të mëdha materiale si në ekonomi familjare, biznese po ashtu edhe në infrastrukturë e toka bujqësore.

Komunat e Kosovës si Mitrovica, Skenderaj, Istogu, Klina, etj ende sot janë duke u përballur me pasojat nga këto përmbytje.


Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, në një prononcim për Telegrafin ka treguar se gjendja në këtë komunë vazhdon të jetë e rënduar, pasi siç u shpreh ai dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Bedri Hamza, kryetar i Komunës së Mitrovicës

Sipas tij, dëmet në ekonomitë familjare janë të larta. Hamza po ashtu tha se numri i shtëpive të përmbytura është 230, ndërsa uji po ashtu ka depërtuar në më shumë se 110 biznese.

“Gjendja vazhdon të jetë e rënduar, dëmet janë të konsiderueshme. Në ekonomitë familjare 230 shtëpi janë të përmbytura nga uji. E përveç dëmeve në ekonomi familjare kemi dëme dhe në biznese, ku uji ka depërtuar në më shumë se 110 biznese”, tha ai.

Shumë familje në Mitrovicë kanë mbetur pa kulm mbi kokë, kërkohet ndihmë edhe nga niveli qendror
Lexo po ashtu Shumë familje në Mitrovicë kanë mbetur pa kulm mbi kokë, kërkohet ndihmë edhe nga niveli qendror

Kryetari i Komunës së Mitrovicës po ashtu tregoi se është dëmtuar edhe infrastruktura publike.

“Është dëmtuar edhe infrastruktura publike duke përfshirë nëntë ura, numër të konsiderueshëm të rrugëve, të trotuareve dhe normalisht edhe brigjet e lumenjve të cilat kanë qenë të rregulluara. Në total si vlerë para llogaritare e dëmeve është diku rreth 13 milionë. Gjithashtu kemi dëme dhe në objektet sportive. Omni Sport është dëmtuar në tërësi dhe është bërë jofunksional, stadiumet dhe shumë objekte të tjera janë të dëmtuara. Jemi duke i ndenjur afër familjeve, jemi duke pranuar dhe përkrahje e ndihma për çka jam falënderues për kontribut dhënësit”, theksoi Hamza.

Vërshimet në Kosovë, pamje nga disa qytete
Lexo po ashtu Vërshimet në Kosovë, pamje nga disa qytete

I pari i Mitrovicës gjithashtu tha se deri më tani kanë sasi të mjaftueshme të ndihmave në ushqim, batanije, të cilat janë dhënë nga bizneset dhe organizata të ndryshme.

“Deri më tani kemi sasi të mjaftueshme të ndihmave për një fazë fillestare me ushqim, batanije, veshmbathje. Por sa i përket fazës së rinovimit dhe në vende të caktuara komplet rindërtimit të shtëpive, kanë filluar të paraqiten donatorë. Dje e kam pas në vizitë afaristin Lindrit Misini në emër të djemve të Mitrovicës të cilët janë zotuar që do t’i ndërtojnë pesë shtëpi në Lagjen e Boshnjakëve. Pastaj Burim Fazliu, është zotuar që do të ndërtojë dy ura mbi lumin Lushtë. Pastaj janë dhe disa tjera si ‘Jetimat e Ballkanit’, Fondacioni ‘Shqiptarët për shqiptarët’, afaristi Lazim Destani, etj, të cilët në këto momente të vështira për qytetarët e Mitrovicës janë afër nesh”, tha ai duke shtuar se është në komunikim të vazhdueshëm me donatorë të tjerë.

Hamza gjithashtu theksoi se është duke u kthyer normaliteti në qytet.

“Sot është ditë me të reshura bore. Por i kemi operatorët e kontraktuar dhe do të punojmë maksimalisht që të rrugët të jenë të mirëmbajtura”.

I pyetur se a kanë marr ndonjë ndihmë nga niveli qendror, Hamza tha “kemi pasur vizita. Kanë qenë edhe ministri i MAPL-së, i MPB-së, ministri i Mbrojtjes, kryeministri, presidentja. E kanë pa gjendjen nga afër dhe besoj që do të marrin vendimet e duhura, por deri në këto momente nuk kemi marrë diçka konkrete”, ka thënë Hamza.

Po ashtu edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura për Telegrafin ka thënë se gjendja vazhdon të jetë e rëndë, për më tepër siç tha ai që edhe temperaturat kanë rënë.

“Familjet e prekura nga vërshimet janë në gjendje të rëndë. Jemi duke vazhduar me furnizimet, sipas nevojave që kemi në terren. Jemi duke bërë llogaritjen e dëmeve, por kryesisht jemi duke u marr me furnizimet e gjërave elementare”, tregoi Nura.

Fadil Nura, kryetar i Komunës së Skënderajt

Po ashtu ai potencoi se janë rreth 400 familje të prekura nga përmbytjet dhe mbi 100 biznese të dëmtuara.

“Si dhe kemi dëme në bujqësi, po ashtu edhe infrastruktura është shumë e shkatërruar. Kryesisht bizneset dhe organizatat humanitare të ndryshme na janë ofruar për ndihmë. Po ashtu edhe FSK-ja me furnizime. Situata me furnizime nuk është keq. Por koha është shumë e papërshtatshme”, tha tutje kryetari i komunës së Skenderajt.

Kryetari i Skenderajt, Nura: Pas vërshimeve janë evakuuar rreth 120 familje, dëmet materiale janë shumë të mëdha
Lexo po ashtu Kryetari i Skenderajt, Nura: Pas vërshimeve janë evakuuar rreth 120 familje, dëmet materiale janë shumë të mëdha

Nura tha se edhe pse ka pasur takime me ministrin e MAPL-së, Elbert Krasniqin me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin si dhe me disa ministra të tjerë ende nuk ka diçka konkrete.

“Kam pas takime me ministrin Krasniqi, me kryeministrin dhe me disa ministra, kemi zotime por diçka konkrete ende nuk kemi”, tha ndër të tjera Nura.

Ndërsa nga Komuna e Istogut për Telegrafin foli drejtori i Shërbimeve Publike, Abedin Kabashi.

Kabashi tha se në këtë komunë gjendja është stabile pas vërshimeve. Ai tha se deri më tani janë diku rreth 30 familje të cilëve u janë përmbytur objektet e banimit nga reshjet e shiut javën e kaluar.

“Familjet i patëm vendosur në Qendrën e Mjekësisë Familje në Istog, por të njëjtit pas dy dite qëndrimi u strehuan tek familjarët e tyre, pasi nuk patën dëshirë të qëndronin tek vendet që ne i patëm dërguar. I kemi komisionet për vlerësimin e dëmeve. Vlera e dëmeve deri dje që e kemi bërë është diku mbi tre milionë euro, mirëpo mund të shkoj edhe deri në katër milionë. Kemi dhe biznese të dëmtuara edhe pse jo në masë të madhe. Ka dëmtime të rrugëve, të urave, etj. Zonat më të dëmtuara nga vërshimet janë Istogu, Istogu i Poshtëm, Kerrnina, Shushica, Dubrava, Kovraga, Tomoci, Dreja, Zabllaqi, Lluga, Llukafci, Lubozhda, Saradrani, Dobrusha, Baica dhe Osojani. Ka rrëshqitje të dheut në disa zona me shtëpi banimi në Istog, Zhakovë, Rakosh dhe Kaliqan”, ka thënë Kabashi.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se ndihma për komunat e prekura nga vërshimet nuk do të mungojë për asnjë moment, por sipas tij, krahas vlerësimeve të dëmeve duhet të bëhet dhe rivlerësim i sjelljes karshi mjedisit dhe natyrës. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Drejtësi
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Kalo në kategori