Miley Cyrus zbulon arsyen mjekësore pas zërit të saj të ngjirur

Miley Cyrus ka ndarë detaje personale mbi gjendjen mjekësore që qëndron pas zërit të saj të veçantë, duke theksuar se është një pjesë thelbësore e identitetit të saj artistik.
Në një intervistë për Zane Lowe në Apple Music, këngëtarja 32-vjeçare foli për diagnozën me edemën e Reinke-s – një çrregullim jokancerogjen i kordave vokale që sjell ngjirje të zërit dhe një timbër më të thellë.
“E përshkruaj si një formë abuzimi të kordave vokale”, tha ajo, duke përmendur stilin e saj të jetës në fillimet e karrierës – netët pa gjumë, alkooli dhe duhani – si faktorë që e përkeqësuan gjendjen, por jo si shkaktarë direkt, shkruan DailyMail.
“Zëri im gjithmonë ka tingëlluar kështu – është pjesë e anatomisë sime unike”, shtoi ajo.
Megjithëse gjendja shoqërohet me një polip të madh në kordonin e saj vokal, Cyrus ka zgjedhur të mos ndërhyjë kirurgjikisht. “Nuk jam e gatshme ta pres atë kurrë”, tha ajo me vendosmëri.
“Rreziku që të zgjohem pas operacionit dhe të mos tingëlloj më si vetja është shumë i madh”.
Këngëtarja e hitit “Flowers” tregoi gjithashtu vështirësitë që has në performancat live për shkak të kësaj gjendjeje, por theksoi se kurrë nuk përdor sinkronizim me buzët.
“Unë këndoj drejtpërdrejt dhe këto këngë janë të mëdha. Nuk shkruaj këngë të vogla”, tha ajo, duke bërë të qartë përkushtimin ndaj artit të saj. /Telegrafi/


















































