Nga: Uran Butka

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, nxori në dritën e botimit Vëllimin e V-të të veprës së zgjedhur të Mid’hat Frashërit, që përmban publicistikë, albanologji, histori, filozofi, kujtime, letërsi e kritikë letrare, aforizma, ekonomi politike, bibliografi shqiptare dhe evropiane, si edhe përshtypje udhëtimi “Udhëtarë të huaj në Shqipëri në fund të shek. 19-të”.

Mid’hat Frashëri na shfaqet edhe në këtë vëllim si një ideator, veprimtar dhe mbrojtës i madh i çështjes shqiptare; publicist dhe polemist bashkëkohor, por edhe aktual e vizionar i pritmit; albanolog i spikatur me studime të thukta në fushat e gjuhësisë, literaturës së vjetër shqipe (Frang Bardhi, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani), i bibliografisë shqiptare dhe vlerësimit të botimeve me përshtypje të udhëtarëve të huaj në Shqipëri; historian e kronikan i paanshëm; filozofi e niveleve evropiane, i ngritur mbi disa degë të shkencës e të artit; ekonomist politik; portretist i personaliteteve të shquara shqiptare dhe të huaja; shkrimtar e kritik letrar dhe dëshmues e gdhendës i jashtëzakonshëm i kujtesës historike kombëtare.

Më poshtë po japim një kryevepër të letërsisë epistolare, “Një letër dashurie”, që hedh dritë mbi kulturën, jetën, karakterin dhe dashuritë e Mid’hat Frahërit, si edhe kujtimet e shkrimtarit Vedat Kokona për Mid’hatin dhe librarinë “Lumo Skëndo”.

NJË LETËR DASHURIE

“Mikeshë, as vetë nuk e di në do të ta dërgoj ndonjëherë këtë letër. Por, prapë po e filloj si një nevojë konfidenciale, duke dashur të hap zemrën e po ashtu të ringjall kujtimin.

Të kisha thënë në Nenchôtel se po linja një pjesë të zemrës sime në Lozanë. Përse po ta shkruaj ty këtë gjë, mikeshë e dashur? Ngaqë isha aq i trishtuar atë ditë. Ajo quhej Elsa dhe shpesh, në çaste shpërthimi ndjenjash, veç kur e quaja me emrin tënd. Kaq shumë ky emër është i gjallë në mishin tim. Tetë vitet që na ndajnë as që e kanë fshirë këtë kujtim; të tjera vite erdhën e u mbishtresëzuan, por ai vit i themeltë mbetet përherë.

Pra, në pensionatin e vogël ku unë banonja në Lozanë, kishte ndër të tjerë persona edhe një grua, që më habiti që ditën e parë kur e pashë në tavolinë mes të tjerëve. Ishte një brune e gjatë, me floknajë të bollshme, pis të zezë që e rregullonte mbi ballë, në mënyrë të tillë si t’i krijonte një mburojë mbi sytë, po ashtu shumë të zinj. Kjo floknajë, hunda e saj paksa e madhe dhe e fortë, forma e buzëve, veshja e përzgjedhur, sa elegante, aq edhe me shije të hollë, i jepnin asaj një pamje interesante dhe më bënë ta kundroja si një të dashuruar marrëzisht, si një grua misterioze, me maskë paksa tragjike. Dhe e tërë pamja e saj më tërhoqi vëmendjen.

Ajo tjetra, gruaja tragjike, pra, që më interesoi, nuk dukej aspak e zemëruar me fqinjet e mia. Më thoshte madje se në u drejtoja atyre fjalën, këtë e bëja vetëm për mirësjellje, sidomos në mënyrën franceze. Vetë ajo kënaqej tepër shpesh, duke më vëzhguar së largu, duke më analizuar dhe gjatë shëtitjeve tona i pëlqente të më përshkruante nga ana morale, shpesh me një saktësi të madhe, gjë që më bënte të mendoja për ty, sepse edhe ti, Emma, më ke njohur mirë dhe shumë mirë nga afër.

Unë, nga ana ime, vëreja se ajo grua ishte e një natyre të çuditshme. Shihja se kisha të bëja me një grua aspak sentimentale dhe me shumë përvojë, disi e zhgënjyer, përvoja këto që ia lejonte mosha e saj, sepse duhej të kishte pak vite më shumë nga unë, gjë që e bënte në sytë e mi edhe më grua dhe sidomos shumë të dëshirueshme. Kisha një pasion të vërtetë për këtë person dhe ndieja një grishje tek e shihja herë-herë shumë të distancuar nga unë.

E kaloja kohën mes ca punëve të vogla dhe pasionit që ndieja. Një ditë, në tryezë, po i përshkruaja fqinjit tim në krahun e djathtë rrugën që doja të ndiqja gjatë kthimit, në mënyrë të tillë që t’i bija qark Zvicrës dhe të vizitoja qytetet e mëdha të Italisë; zyrisuaza** përballë meje më pyeti nëse po jepja kësisoj mësim gjeografie dhe kur unë i shpjegova qëllimin, më tha që më mirë se kushdo tjetër mund të pyetej e të konsultohej ajo vetë për itinerarin që lypsej të ndiqja, si një njohëse e mirë e Zvicrës që ishte. E besova dhe iu luta të më kushtonte pak kohë për të studiuar itinerarin te Bedekeri*** im.

Të nesërmen pas ngrënies shkuam në dhomën time ngjitur me sallën e ngrënies dhe për dy orë studiuam Bedekerin duke biseduar gjerë e gjatë; biseda me të më dukej e këndshme dhe vura re se e kapte në çast mendimin që shprehja.

Të pasnesërmen, si mbaruam vaktin, më pyeti në dëshiroja të vazhdoja seancën gjeografike dhe më grishi ta shoqëroja në shtëpi. Pranova me shumë dëshirë, duke qenë se më joshte së tepërmi mendimi që ajo grua po tregohej e gatshme të më këshillonte rrugën që duhej të ndiqja për të përfituar kohë dhe vendet më interesante, që ia vlente të vizitoja.

Si dhe një natë më parë, kur e shoqërova gjatë kthimit, ndoqëm të njëjtën rrugë. Banonte në kat të parë, në një apartament që e kishte të vetin. Dhoma në të cilën hymë, kishte goxha hapësirë, e rregulluar bukur, e mobiluar dhe një piano renditur përgjatë njërit mur. Vura re një këmbalkë me kanate shpalosur si të na priste të vendoseshim para saj, një tryezë të vogël dhe aty-aty, mora në duar një libër e ia nisëm bashkëbisedimit. Më tërhoqi biseda e saj që më dukej më interesante nga konsultimi që do t’i bënim Bedekerit tim.

Ishte shumë e qeshur, shumë e thjeshtë dhe shumë e zgjuar. Ndihesha si i lumturuar që ndodhesha në prani të saj, krejt vetëm në atë apartament të madh. Pashë që kishte gjykim të shëndoshë, që më bëri të mos i kurseja fjalët, as gëzimin. Po prapë, e ruaja plotësisht vetëdijen dhe pamjen e ftohtë. Ti e njeh, Emma, atë pamjen time të ftohtë, sepse shumë shpesh më thoshe që përshtypja që unë lija përgjithësisht te të tjerët ishte e një njeriu tepër të ftohtë, kur ende nuk më njihnin nga afër.

Folëm, pra, për gjithçka, gjithë gjallëri. Një hop, nuk e di se si, folëm për modën, dorashkat dhe këpucët. Më tha se unë kisha duar shumë të vogla. Vura re të sajat, që ishin vërtet vogëlake e tepër të hijshme; ia pohova, por nuk shfaqi kurrfarë ndjenje; tek e vëzhgoja, më tërhoqi vëmendjen një njollëz e imët, një nishan mbi pulqerin e saj; ia mora dorën dhe e pyeta ç’e kishte atë. – Nishan, ma ktheu me thjeshtësi.

Ia çova atëherë dorën te goja dhe putha njollëzën e kuqërremtë. Pastaj, u vura në kërkim të të tjerave nishane, i zbulova edhe një syresh mbi pëllëmbë dhe sërish ia putha; më pas, u ringjita drejt krahut: kishte një njollë shumë të vogël në pjesën e brendshme të bërrylit; vura edhe aty në përdorim buzët, ia ngjesha shumë fort mbi atë lëkurë të përsosur, gjithë ngrohtësi. Nuk e kisha më atë gjakftohtësinë time. Ajo qëndronte mendueshëm, pakëz e tendosur.

Ishim që të dy në të njëjtën kanape, shumë pranë njëri-tjetrit. Elsa kishte mbështetur bërrylat mbi gjunjë, duke vështruar para saj, me kryet përkulur para; ky qëndrim ia nxirrte krejt qafën, një qafë e mermertë, që i dilte nga bluza e bardhë dhe ku rendnin cullufe mëndafshi të zi aq fijeholla. Atëherë, ia mbështolla kryet me krahët e mi* dhe shtrova një puthje të gjatë, shumë të gjatë mbi atë qafë. Ajo as që mbrohej aspak, ndonëse qëndroi ende për një çast e tendosur, si e hutuar.

I thashë se e dashuroja, që prej disa ditësh. Nuk gënjeja, sepse vërtet, disa ditë më parë, pas një bisede të këndshme në tavolinë, ajo më kishte ngulur sytë e nuk m’i shqiste. Ai vështrim më kishte hutuar, më kishte turbulluar disi. Por u hoqa sikur nuk i kushtova vëmendje. E megjithatë, shpesh mendja më shkonte aty. A të kujtohet Emma vështrimi yt, ai vështrim falë të cilit nisi dashuria jonë?

Atëherë ajo më pohoi se më dashuronte për një kohë edhe më të gjatë, madje që i kishte folur për dashurinë e saj tim fqinji të tavolinës, një zotni burrë, me të cilin unë e pandehja atë të lidhur, pa e ditur as vetë përse, gjë që ai ia bëra Elsës të ditur duke i thënë se ishte pikërisht kjo arsyeja, për të cilën unë nuk i kushtoja në dukje vëmendje. Më pas, ajo më tregoi se e kishte njohur fqinjin tim në një pensionat tjetër, ku kishin qenë që të dy dhe se midis tyre nuk kishte pasur veçse tim një miqësi e rëndomtë.

Mëngjesi më gjeti zgjuar në dhomën e Elsës. Ishte aq e ëmbël, aq fëmijërore dhe prapë, aq e zgjuar dhe aq e qeshur. Mjerisht, lumturia jonë nuk do zgjaste gjatë. Ti e di, Emma, sëmundjen morale, nga e cila unë vuaj, ajo mani për t’i analizuar gjërat, ajo ngasje për të gërmuar përherë në thellësi të tyre, duke dashur të shoh larg, ta konsideroj shumë shpesh të tashmen si preokupim të së ardhmes. Isha i lumtur me Elsën, por mendoja edhe të nesërmen, ndarjen. E njëjta gjë e mundonte edhe atë dhe ishte në krizë.

Mirëpo, një tjetër krizë më e madhe po më priste. Një ditë, ishte një pasdite e bukur, ajo filloi të luante në piano për mua. Para dashurisë sonë më kishte grishur, në fakt, një të diel, nëpërmjet tim fqinji, kur do të luante në piano në shtëpi, për të shoqëruar një mikeshë këngëtare të vetën. Nuk e kisha pranuar ftesën, duke nxjerrë një arsye e aq, sepse, në fakt, i kisha premtuar një shëtitje asaj tjetrës, atë që e kam quajtur tashmë në fillim të kësaj letre gruaja tragjike. Këtë radhë, pjesa muzikore që do të interpretonte më kushtohej vetëm mua. Luante në piano dhe këndonte me zë mjaft të ulët, shumë të ëmbël, të butë. Këndonte operetën “Puppchen”, më pas pjesën muzikore “Sikur të më kërkonit emrin e asaj që dashuroj, edhe një perandori të më premtoni, nuk do t’jua tregoj”, të Alfred de Musset, më pas një tjetër po ashtu, si dhe në fund pjesën muzikore gjermane “Der zigeunerkind” (“Fëmija i ciganes”). Fëmija i thotë t’et: “Ky vend është kaq i bukur, qëndrojmë këtu, o atë, qoftë ky, atdheu ynë!”. “Jo, ia kthen i ati, – e pamundur, veç cigani s’ngulet kurrë në një vend!”

Ajo këtu u ndal e u kthye nga unë: pa që isha i përlotur. A nuk isha edhe unë vetë si fëmija i bohemes, a nuk e kisha edhe unë të pamundur të ndalesha, a nuk do më duhej edhe mua një ditë të largohesha nga ai vend? U përlot edhe ajo bashkë me mua dhe që atëherë, ky kujtim lëshoi një re të errët mbi ne.

Mjerisht, më duhej të largohesha prej saj sa isha në kohë. I kisha thënë si me shaka se lypsej të mos më donte si tepër. Po ja që më dashuronte marrëzisht dhe kjo më tmerronte. E vërteta është se unë kisha frikë nga vetvetja. Andaj dhe u shkëputa prej saj. Iu largova të dashurës sime thjesht, ngaqë e doja dhe ngaqë ajo më donte. A u tregova i lig, a u tregova egoist e i pashpirt? Kur, në fakt, e kisha të pamundur të bashkoja fatin tim me të sajin, për më tepër që e kisha bërë tashmë të vuante. Por, në fund të fundit, si mund të sfidoje atë pendesë se mos ia shkatërroje krejt jetën që kishte përpara? Një martesë, për mua është e pamundur dhe jam i sigurt se nuk do ta bëja kurrsesi të lumtur.

Ndoshta ti, Emma, mund të më thuash se vajta e sakrifikova dashurinë në emër të arsyetimit. Po, dhe më shkojnë lotët çurg për atë dashuri. Ja ku po detyrohem ta ndërpres këtë letër për të fshirë lotët nga sytë. Po atëherë, pse nuk pranova të shkrihesha në vaj me atë grua që më donte aq shumë? Thjesht ngaqë kisha tri fantazma përpara meje: mjerimin, pendimin, brejtjen e ndërgjegjes. Ah, sa të drejtë të jap, pa mëdyshje, sakrifikova dashurinë në emër të logjikës së thjeshtë”.

Sofie, më 10 shtator 1914 Hôtel Makedonia, [ora] 23, pothuaj mesnatë

/Panorama/