Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski në Tv “Sitel” tha se në Qeveri do të ketë ndryshime, duke e përmendur edhe zëvendëskryeministrin dhe përfaqësuesin e VLEN-it, Arben Fetai.

Mickoski tha se ka zhvilluar një bisedë personale me të, ku ai e ka njoftuar se në të ardhmen nuk do të jetë më pjesë e ekzekutivit.


“Patjetër se do të ketë ndryshime, ky është fakt – do të ketë ndryshime. Pasi e përmendët zëvendëskryeministrin Fetai, po, ne biseduam personalisht unë dhe ai, dhe ai më përcolli se në të ardhmen nuk do të jetë më pjesë e Qeverisë që unë e udhëheq”, deklaroi Mickoski.

Sipas tij, Fetai ka shprehur synimin për t’u kthyer në Bruksel, ku, siç tha ai, mund të vazhdojë angazhimin profesional në institucione evropiane.

“Duke pasur parasysh arsimimin dhe përvojën e tij në Bruksel, mendoj se mund të jetë një mundësi e mirë që ai të jetë i angazhuar në kuadër të administratës së Brukselit ose Parlamentit Evropian”, shtoi Mickoski.

Kryeministri theksoi se në bisedimet mes tyre është vlerësuar se përvoja e Fetait duhet të shfrytëzohet në funksion të shtetit dhe institucioneve evropiane.