MF: 2.9 milionë euro përkrahje e re për investimet e kompanive në Maqedoni, mjetet nga huaja hungareze, nxitje e fuqishme për ekonominë

Ministria e Financave njofton se barti transfer të ri në vlerë prej 176.5 milionë denarësh, ose 2.9 milionë euro nga buxheti qendror drejt Bankës Zhvillimore për përkrahjen e projekteve investuese në kompanitë vendase.
"Përkrahja e përgjithshme e Qeverisë për kompanitë vendase, me këtë transfer arrin në 14.7 miliardë denarë, ose 239 milionë euro, që paraqet nxitje të konsiderueshme për realizimin e investimeve private dhe për ekonominë. Në buxhet, për këtë qëllim janë planifikuar gjithsej 250 milionë euro.
Mjetet e siguruara në buxhet që do të plasohen përmes Bankës Zhvillimore dhe rrjetit të bankave afariste vendase te shfrytëzuesit e fundit, kompanitë vendase, janë siguruar nga Qeveria përmes Bankës Hungareze të Eksportit dhe Importit, me qëllim të nxitjes së ciklit investues në sektorin privat.
Mjetet u plasohen kompanive me kushte të favorshme, me normë interesi prej 1.95% dhe afat shlyerjeje deri në 15 vjet, si dhe me periudhë grejs deri në 3 vjet", thonë nga Ministria e Financave./Telegrafi/







































