Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar përmes një postimi në Facebook Ditën Ndërkombëtare të Familjes.

Kreu i Shtetit thekson se vendi ka nevojë për më shumë familje të reja e të qëndrueshme, për më shumë fëmijë dhe kushte më të mira për mirërritjen dhe edukimin e tyre.

Meta vlerëson gjithashtu edhe kontributin e besimeve tona fetare për forcimin e familjes.

“Një familje e lumtur, solide, në mirëqenie dhe paqe brenda saj, ka vlera të jashtëzakonshme për zhvillimin e begatinë e shoqërisë, atdheut e kombit tonë. E mbështes fuqimisht forcimin e rolit dhe vlerave të familjes, si dhe do vijojë të promovojë mbajtjen shëndoshë të saj. Vendi ka nevojë për më shumë familje të reja e të qëndrueshme, për më shumë fëmijë dhe kushte më të mira për mirërritjen dhe edukimin e tyre, për politika më konkrete sociale dhe ekonomike në këto drejtime. Falënderoj udhëheqësit e besimeve tona fetare për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të forcuar vlerat e familjes. Zoti i bekoftë familjet tuaja!”, shkruan presidenti Meta. /Telegrafi/