LAJMI I FUNDIT:

Meta në telashe financiare, pritet t’i largojë 13 për qind të fuqisë punëtore

Meta në telashe financiare, pritet t’i largojë 13 për qind të fuqisë punëtore

Meta, kompania mëmë e cila ka në pronësi rrjetet sociale Facebook, Instagram dhe WhatsApp ka njoftuar se do të shkurtojë 13 për qind të fuqisë punëtore.

Në total, 11 mijë nënpunës do të pushohen nga kompania nga totali prej 87 mijë 314 që janë në mbarë botën.


Në një deklaratë publike, shefi ekzekutiv i Metas, Mark Zuckerberg tha se këto largime masive janë “disa nga ndryshimet më të vështira që janë bërë në historinë e kompanisë”.

Lajmi vjen pas pushimeve masive nga puna të ndodhura në Twitter, i cili shkurtoi rreth gjysmën e personelit.

“Unë e di se kjo është e vështirë për të gjithë, dhe më vjen keq veçanërisht për ata që janë prekur”, shkroi ai në deklaratë.

Zuckerberg fajësoi pritjet afatgjata për rritjen e ardhurave gjatë pandemisë COVID-19.

“Shumë njerëz parashikuan se ky do të ishte një përshpejtim i përhershëm. E bëra gjithashtu, kështu që mora vendimin për të rritur ndjeshëm investimet tona”, ka shtuar Zuckerberg.

Në vend të kësaj ai tha se “rënia makroekonomike” dhe “rritja e konkurrencës” bënë që të ardhurat të ishin shumë më të ulëta se sa pritej

“Kam gabuar dhe marr përgjegjësinë për këtë”, përfundoi ai. /Telegrafi/