Meriton Korenica rrëfen gjithçka në “Arena e Yjeve”: Nga “CR7 i Rahovecit” te kthimi nga Turqia për shkak të babait dhe momenti më i bukur

Futbollisti i njohur kosovar, Meriton Korenica, është i ftuar në episodin e radhës të podcastit “Arena e Yjeve”, prodhim i Telegrafit që transmetohet në RTV Dukagjini të shtunën në ora 17:10 dhe në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube.
Në këtë rrëfim ekskluziv, Korenica kujton fillimet e tij si një talent viral në rrjetet sociale në moshën 15-vjeçare, kur në mediat online u njoh si “CR7 i Rahovecit” – një epitet që ia kishin vënë njerëzit që e mbështesnin në hapat e parë.
Ai flet për lidhjen 10-vjeçare me Nderim Nexhipin, për karrierën në Prishtinë, ku realizoi het-trik ndaj Tiranës dhe shënoi golin e parë në garat evropiane për kryeqytetasit, si dhe për ofertën që Tirana kishte për të transferuar atë në Shqipëri.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës i dedikohet trajnerit Ilir Daja, i cili sipas Korenicës e ndryshoi Ballkanin me analizat e tij të detajuara dhe ndikoi fuqishëm në zhvillimin e tij personal si lojtar.
Korenica flet edhe për momentet më të vështira në jetën e tij – përfshirë gjendjen shëndetësore të babait, për të cilin thotë se ishte gati të linte edhe futbollin. “Ende i shikoj mesazhet që ma ka dërguar, ato mbeten pjesë e imja”, rrëfen ai me emocion.
Në episod diskutohet gjithashtu transferimi i tij në Turqi te Manisa, rikthimi te Ballkani dhe kalimi te CFR Cluj – klub që e kishte kërkuar edhe tri vite më parë. Korenica zbulon edhe momentin më të rëndësishëm me fanellën e Kosovës, asistimin më të paharruar, dhe bashkëlojtarin me të cilin kuptohej me sy mbyllur në fushë.
Për fund, ai flet për të ardhmen: Turqi apo Arabi? – një pyetje që mbetet ende pa përgjigje.
Këtë podcast mund ta ndiqni në TV Dukagjini çdo të shtune nga ora 17:10, ndërsa nuk do të ishte i mundur pa përkrahjen e sponsorit tonë Golden Eagle Energy Drink. /Telegrafi/













































