LAJMI I FUNDIT:

Mërgata që nga pavarësia e Kosovës dërgoi mbi 12 miliardë euro

Mërgata që nga pavarësia e Kosovës dërgoi mbi 12 miliardë euro

Mërgata vazhdon të jetë njëri nga burimet kryesore të financimit të shpenzimeve familjare në Kosovë.

Që nga shpallja e pavarësisë, dërgesat e tyre kanë vazhduar të shënojnë rritje.

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se brenda kësaj periudhe janë dërguar 12.6 miliardë euro, shkruan Telegrafi.

Vlera më e madhe e remitencave është ajo e vitit 2020, ku pavarësisht pandemisë COVID-19 mërgata ka dërguar 1.18 miliard euro.

Sipas BB-së, pjesëmarrja e remitencave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kosovës është 18.5 për qind.

Shuma e remitencave të dërguara sipas viteve në Kosovë: 2008 – 858 milionë euro, 2009 – 865 milionë euro, 2010 – 825 milionë, 2011 – 814 milionë euro, 2012 – 775 milionë euro, 2013 – 867 milionë euro, 2014 – 901 milionë euro, 2015 – 796 milionë euro, 2016 – 808 milionë euro, 2017 – 911 milionë euro, 2018 – 1.13 miliard euro, 2019 – 1.23 miliard euro dhe 2020 – 1.8 miliard euro.

Banka Qendrore e Kosovës thotë se në vitin 2020 janë dërguar 128.5 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2019.

Vlera më e lartë brenda vitit 2020 e dërguar në drejtim të Kosovës ishte e muajit maj me 104 milionë euro, ndërsa më pak u dërguan në muajin prill, 61.7 milionë euro.

Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës.

Dërgesat e mërgatës që nga pavarësia e Kosovës | Burimi: Banka Botërore

Gjatë vitit 2020, del se nga Gjermania kanë ardhur mesatarisht 42.3 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 22.3 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 6.4 për qind.

Për periudhën e katërt të vitit 2020, rritja e remitencave është për 26.3 për qind.

“Në kuadër të bilancit të pagesave, rritje tё konsiderueshme nё tremujorin e katërt të 2020 kanë shënuar edhe remitencat me 26.3 për qind”, thuhet në raportin “Vlerësimi tremujor i zhvillimeve makroekonomike, tremujori i katërt 2020”, përcjell Telegrafi.

“Përkundër faktit se edhe vendet ku janë të koncentruar diaspora kosovare janë goditur shumë nga kriza e pandemisë, remitencat kanë shënuar përshpejtim të rritjes. Rritja e remitencave ka qenë dyshifrore gjatë gjithë periudhës, me përjashtim të muajit mars 2020 dhe prill 2020 kur shënuan rënie”, thotë BQK.

Sipas kanaleve të dërgimit, Banka Qendrore e Kosovës thotë se 672 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale.

“Pjesa dёrmuese e remitencave apo 61.5 pёr qind)kanё ardhur pёrmes agjencive pёr transfer tё mjeteve, tё cilat shёnuan rritje prej 54.4 pёr qind nё tremujorin e katërt të 2020-së. Remitencat pёrmes bankave shёnuan rritje prej 29.1 pёr qind, ndёrsa remitencat pёrmes ‘kanalit jo-formal’ shёnuan rёnie pёr 13.6 pёr qind”, thuhet në raportin makroekonomik.

Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë. /Telegrafi/