Mentaliteti patriarkal dhe gjykatat e ngadalta - çfarë thotë raporti i GLPS-së për betejat e grave për pronat?

Në Kosovë, gratë ende kanë pengesa të shumta për të realizuar të drejtat e tyre mbi pronë, si pasojë e paragjykimeve shoqërore, mungesës së regjistrimit të pronave dhe zvarritjeve në gjykata.
Kjo çështje u trajtua në episodin e radhës të podcastit për të drejtat pronësore në Telegrafi, me redaktoren Jehona Hulaj, ku mysafire ishte Dea Fetiu menaxhere e projektit nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).
Në kuadër të projektit PIAKOS, GLPS ka monitoruar 60 raste target dhe 172 seanca në gjashtë gjykatat themelore të Kosovës – Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan – si dhe një numër më të kufizuar rastesh në Gjykatën e Apelit.
Qëllimi ishte të kuptohej se cilat janë çështjet më të shpeshta ku gratë janë palë dhe si i trajton ato sistemi gjyqësor.

Sipas Fetiut nga monitorimi dy llojet më të shpeshta të kontesteve ku gratë janë palë lidhen me trashëgiminë dhe ndarjen e pasurisë pas divorcit.
“Dy llojet kryesore të kontesteve kanë qenë çështjet trashëgimore dhe ndarja e pasurisë pas divorcit. Te trashëgimia, gratë shpesh heqin dorë për shkak të mendësisë patriarkale dhe presioneve familjare. Ndërsa te divorcet, informaliteti i pronave e bën shumë të vështirë ndarjen e pasurisë,” theksoi Fetiu.
Një nga problemet më shqetësuese është zvarritja e lëndëve në gjykata. Sipas Fetiut vetëm caktimi i seancës së parë shpesh merr më shumë se katër vjet.
“Në disa raste kanë kaluar më shumë se katër vjet vetëm për të filluar një rast. Në gjykatat e ngarkuara si ajo e Prishtinës, kemi parë që disa raste marrin shtatë-tetë vite për t’u shqyrtuar”, u shpreh ajo, duke përmendur një rast të një gruaje që trashëgoi pronë nga bashkëshorti i ndjerë, por familjarët e tij nuk e lejuan ta shfrytëzonte dhe vetëm pas më shumë se dhjetë vitesh gjykata vendosi në favor të saj.
- YouTube www.youtube.com
Fetiu theksoi se këto vonesa nuk janë vetëm procedurale, por kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e grave.
“Një grua ka thënë se procedura e ndarjes së pasurisë ishte më e vështirë se vetë divorci” – rrëfeu Fetiu, duke theksuar se gratë shpesh mbeten të pambrojtura dhe pa pavarësi ekonomike, sidomos kur përballen me dhunë apo presion familjar.
Përveç kësaj, janë zbuluar edhe raste të manipulimeve me dokumente, deri tek fshehja e grave nga listat e trashëgimtarëve në certifikatat e vdekjes.

Fetiu ka theksuar se raporti ka evidentuar edhe justifikime tradicionale që përdoren për t’ua mohuar grave të drejtën në trashëgimi.
“Narrativë kryesore është kjo: gruaja pas martesës nuk ka më të drejtë të trashëgojë, sepse konsiderohet pjesë e një familjeje tjetër,” u shpreh Fetiu.
Raporti i GLPS kërkon rishqyrtimin e kapaciteteve të gjykatave dhe trajtimin me prioritet të rasteve pronësore ku gratë janë palë.
“Është e rëndësishme që të dhënat të ndahen sipas gjinisë, në mënyrë që politikat publike të hartohen mbi baza reale. Gjithashtu, gjykatat duhet të prioritizojnë rastet pronësore kur gratë janë palë, sepse pavarësia ekonomike lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e tyre,” tha Fetiu. /Telegrafi/




















































