LAJMI I FUNDIT:

“Mein Kampf” dhe “Vitet e vegjëlisë”

“Mein Kampf” dhe “Vitet e vegjëlisë”

Shkruar në kohë të ndryshme nga dy autorë të ndryshëm, në vende me histori dhe mentalitete diametralisht të kundërta, leximi i këtyre dy librave vlen për të kuptuar diçka të njëjtë: përngjashmërinë se si diktatorët vërtetuan njësoj faktin se, leva e forcës së tyre politike nuk është as gjeniu që fle në ta, as morali personal, as interesi kombëtar, por masat (popujt) dhe ana sipërfaqësore e të gjykuarit nga ana e tyre e fenomeneve dhe klasës politike. I pari u shkrua nga Adolf Hitleri dhe shqipëruar do të thotë “Beteja ime”. Ishte libri ku ai shpërfaqte qartë dhe haptazi idetë e tij mbi atë çfarë disa vite me vonë do t’i bënte Evropës dhe mbarë globit nëpërmjet luftës antisemite. Shumë studiues thanë se po ta kishin kuptuar librin më parë, ndofta njerëzimi do t’i kishte kursyer vetes historinë më makabre të një holokausti të pashembullt. I dyti është shkruar nga Enver Hoxha dhe në të i tregonte popullit haptazi raportin e tij me shkollën në vitet e studimit në Francë, si edhe atë çfarë ai mendonte rreth elitës politike dhe kulturore shqiptare, që ishte çuar në plumb me firmën e tij, që prej vitit 1945.

Erich Fromm njihet si një psikanalist i rrallë dhe një ndër oponentët e teorive të Freud-it. Shumë vite pas Luftës së Dytë Botërore, i përfshirë në vetë të parë nga pasojat e atij monstruoziteti human, rreket që t’i jap një arsye holokaustit, sigurisht i nisur nga ajo çfarë ai dinte të bënte më mirë, psikanaliza. Për të gjetur arsyen, ai kërkon rrënjët në dy plane te figura e Hitlerit dhe te popullata gjermane, e cila mbështeti fort ideologjinë e tij dhe që u bë terreni për të vënë në jetë dogmën mbi “supremacinë” e racës ariane. “Anatomia e shkatërrimit human” është libri i tij, i cili tregon për një Gjermani të dalë e humbur nga Lufta e Parë Botërore, me nivelin më të frikshëm të inflacionit, ku njeriu realisht hëngri njeriun nga uria dhe ku masat kishin nevojë për një kthesë të fortë ekonomike.


Ky është ai momenti ku historia bëhet pikëtakimi midis nevojës së një populli vulnerabël dhe një lideri profesionalisht të dështuar, por cinik dhe i qartë në ambicien e tij politike për të pluskuar mbi masat në çdo formë dhe me çdo kusht. Konkluzioni i papërkufizuar në postulate mëson se historia njeh në pika të ndryshme të rruzullit lindjen e tiranëve, që drejtojnë me shfaqje nga jashtë të lustruara, por në realitet me diktat, dhunë dhe mashtrim. Në të njëjtën kohë, fatkeqësisht, kjo formë e të bërit politikë merret e mirëqenë dhe madje triumfuese nga pjesa më e madhe e masave, që trurin nuk e përdorin me të dyja “dhomat” nga pikëpamja anatomike dhe që nënkuptojnë kësodore pikëpamjen funksionale, ku njëra ka detyrën e njohjes dhe perceptimit dhe tjetra ka detyrën e arsyetimit dhe ndërgjegjësimit.

Ky fenomen ka ndodhur dhe do të vazhdojë të ndodhë për aq kohë sa lloji homo sapiens do të popullojë planetin tokë. Shpresa e vetme që çdo shoqëri ushqen është rritja e shkallës së ndërgjegjësimit te njerëzit, të paktën deri në pikën që, kur të zgjedhë, të jetë i vetëdijshëm për tri parime minimale: të kuptojë për çfarë voton duke ndarë të mirën nga e keqja; të mos shohë vetëm për sot, por edhe për të ardhmen dhe, të projektojë interesin personal në raport me interesin e përgjithshëm. Rritja e ndërgjegjësimit, e cila në njëfarë mënyre përkon me rritjen e dijes, për shumë shoqëri ka qenë “shkolla e jetës”. Zhvillimin dhe rrugën e gjatë të shkëputjes nga autokracia drejt demokracisë ato shoqëri që ne sot i quajmë të civilizuara, e kanë bërë me një histori gjaku që kanë shoqëruar revolta feudale dhe revolucione industriale dhe që kanë qenë kosto të rënda mbi trupat dhe ndërgjegjet e tyre.

Në historinë e shkurtër si një shtet-komb, Shqipëria ka luftuar me dhunë vetëm kundër ndërgjegjësimit të saj, me mbështetjen që i bëri një sistemi të ngritur mbi parimin vëllavrasës vetëm për kredo politike, gjë e cila solli fshirjen e ndërgjegjes kritike dhe stanjacionin intelektual. Të ardhur nga një varfëri e jashtëzakonshme, e bërë e pavarur vetëm atëherë kur Evropa po përfundonte “Belle Epoque”, të papërfshirë në lëvizjet politike sociale që shoqëruan revolucionet zhvilluese, ky vend i vogël demografikisht, i pozicionuar keq gjeopolitikisht, pranoi të vetmen formë të qeverisjes sistemin që po i servirej me lustër nga jashtë, por me dhunë nga brenda. E ndikuar në kontestin historik dhe social nga një prapambetje e vetëdijes politike, e parrahur dhe e padalë në Evropë, por mbi të gjitha me një handikap të rëndë kulturor, ajo nuk vuajti as mbylljen e kufijve ndaj botës së qytetëruar dhe as vrasjen e intelektualëve të kombit.

Me çdo gjasë, ndryshimet politike që pasuan Evropën Lindore në fillim të ‘90-ës, përsëri nuk paskan shënuar mbërritjen e pjekurisë dhe të ndërgjegjësimit politik tek të gjithë shqiptarët. Në fakt, ajo përmbysje rrënjësore erdhi pas rënies së komunizmit në të gjitha vendet e kampit lindor, që kishin qenë mbështetëset kryesore politike dhe ekonomike të Shqipërisë. Kjo lëvizje e re që do të përfshinte edhe vendin tonë, u duk si një domosdoshmëri e kërkuar dhe pranuar nga shumëkush. Në fakt, kanë mbetur në memorien e gjithkujt demonstratat si dhe sakrificat e tejskajshme të emigrantëve shqiptarë që çanë Adriatikun në udhëtimin e tyre nga Lindja komuniste drejt Perëndimit. Por, ky ndryshim nuk paska prekur ndërgjegjësimin politik dhe moral të shqiptarëve, të cilët me sa duket nuk e paskan kërkuar atë as në planin ideologjik dhe as në politikën e tyre të brendshme, përpos vetëm në planin ekonomik për arsyen e vetme sepse “zorrët iu këndonin” nga tallonet e mishit apo nga kërshëria për të veshur një palë xhinse. Kjo duket e vetmja tezë, e cila justifikon një fenomen të pashpjegueshëm tash e tridhjetë vjet: një maratone pa finish drejt një sistemi të “demokracisë liberale”, por që mbahet e tërhequr zvarrë prej leckash nga një shoqëri që do akoma diktaturën komuniste (!).

Ndërgjegjësimi është një proces shumë i mundimshëm dhe kërkon vetëmohim, gjë e cila nuk realizohet nga një shoqëri dembele intelektualisht. Shqipëria sot gjendet e pandarë nga mentaliteti ku, është shteti që duhet të japë gjithçka dhe ku ambicia më e madhe shkon te karshillëku ndaj të tjerëve, te ketë bukë për të ngrënë, lekë për kafene dhe një televizor për të parë sharjet politike, telenovelat e huaja apo puthjet e të “përputhurve”. Në këtë fillimshekulli, shoqëria jonë nuk është “e rritur”, ajo çdo disfatë apo fitore vazhdon t’ia atribuojë kultit të individit dhe shfajësimit të vetes, duke ngarkuar çdo lavd apo përgjegjësi te lideri partiak. Ajo vetë shpërfaqet si një dorë që voton në ajër, ku individi dhe shtylla kurrizore janë transparente, por duket vetëm lëvizja nga fryma e shenjtë e liderit, i cili nëse lind “djalë” është viril dhe nis lind “vajzë” është vetëm fertil. Zgjedhjet politike të 2021 mbartën si rrallëherë një sprovë mbi ndërgjegjësimin e shqiptarëve në marrëdhënie me demokracinë. Edhe në këtë eksperiencë, ata treguan mungesë të lartë të vizionit për të ardhmen, si edhe të ndërgjegjësimit politik.

Do të synojë patjetër modelin e dashur nga maxhoranca plebishitare e këtij vendi, interesin drejt rivendosjes së diktaturës. Kjo nuk është një hipotezë, është një fakt i provuar në ideologjinë e mbështetësve të saj, që nuk njohin as ligj dhe as Kushtetutë, dhe që nuk rezervohen as formalisht të shfaqin hapur mallin dhe dashurinë për simbolet e luftës shqiptaro-shqiptare. Ulërijnë hipokrizi, falsitet apo në rastin më të mirë, mungesë logjike, disa nga opinionet më shpesh të rrahura në këtë periudhë post zgjedhore. Të parët janë ata që pretendojnë se i dhanë votën pozitës, për fajin e individëve të gabuar në koalicionin opozitar; të dytët janë ata që viktimizojnë humbjen me blerjen e votave; të tretët janë ata që pretendojnë dhënien e një hapësire të re partisë drejtuese, për të mbyllur punët e parealizuara. Kategoria e parë duhet të kujtojë se sikur shqiptarët të kishin votuar ndonjëherë individin nuk do ishim në derexhenë ku jemi. Asnjëherë shqiptari nuk ka votuar individin, por vetëm bindjen e srvirur, dhe për këtë historia është kokëforte. Të dytëve, që janë viktimat opozitare, ju bëhet pyetja se votat e kujt krahu paska blerë pozita? A mos vallë e bëri te të ashtuquajturit demokratë që shitën votën për një thes miell? Nëse po, ata nuk paskan qenë kurrë demokratë! “Rrobat e pista lahen në shtëpi!”, thotë një proverb. Ndërkohë, atyre që justifikohen me mandatin e përsëritur për të mbyllur punët e pambaruara, nuk do t’ju mjaftonte as kronosi i orës biologjike për të matur hiçin, pasi fasadat nuk mbulojnë dot ato çfarë ky vend ka nevojë dhe nuk ka zgjidhur ende: spitale, rend, punësim, drejtësi.

Ne nuk jemi rritur si shoqëri dhe kjo duhet të na trishtojë, por nuk duhet të na pengojë të ecim përpara. Derisa maturia jonë të jetë arritur, ecejake politike kanë ndodhur dhe kanë për të ndodhur edhe plotë herë. Ky është leksioni historik i çdo civilteti. Por përpos këtij fakti, ne kemi edhe një problem tjetër. Është ai çekani që na rri mbi krye të kombit dhe na kujton se jemi të vegjël demografikisht, përballë një faktori ndërkombëtar ballkanas e më gjerë, që nuk na ka shumë për zemër dhe se po nuk u rritëm vetë, halleve tona askush nuk do t’i vijë për mbarë!

Në trend

Më shumë
Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Lajme
Perez po e bën atë që askush nuk e ka bërë deri më tani – krijon

Perez po e bën atë që askush nuk e ka bërë deri më tani – krijon "një strukturë të re të pronësisë" të Real Madridit

La Liga
Dy vite më parë arritën marrëveshje për blerjen e 12 aeroplanëve luftarakë francez Rafale, gjashtë prej tyre ateruan në Zagreb të Kroacisë

Dy vite më parë arritën marrëveshje për blerjen e 12 aeroplanëve luftarakë francez Rafale, gjashtë prej tyre ateruan në Zagreb të Kroacisë

Kroacia
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Nga rrahja e kryetarit të ‘Intelektualëve’ deri tek dërgimi i Valon Zymberit dhe dy personave tjerë në mbajtje – e gjithë situata

Nga rrahja e kryetarit të ‘Intelektualëve’ deri tek dërgimi i Valon Zymberit dhe dy personave tjerë në mbajtje – e gjithë situata

Superliga
Donaldi fluturon me helikopter mbi shtëpinë e BBVA për t'i bërë befasi Romeos, tregon se si duket shtëpia e famshme nga lart

Donaldi fluturon me helikopter mbi shtëpinë e BBVA për t'i bërë befasi Romeos, tregon se si duket shtëpia e famshme nga lart

Magazina
Kalo në kategori