LAJMI I FUNDIT:

Mehmeti dhe Strobl flasin për zhvillimet në sektorin bankar

Mehmeti dhe Strobl flasin për zhvillimet në sektorin bankar

Zhvillimet në sektorin bankar, sfidat e ardhshme dhe roli i këtij sektori në zhvillimin ekonomik të Kosovës, ishin temat që u diskutuan gjatë takimit të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti me drejtorin ekzekutiv të Raiffeisen Bank International, Johan Strobl dhe drejtorin e Raiffeisen Bank në Kosovë, Robert Wright.

Guvernatori Mehmeti i informoi zyrtarët e Raiffeisen Bank lidhur me stabilitetin e sistemit financiar në vend dhe falënderoi përfaqësuesit e bankës për përkrahjen e vazhdueshme, që ka dhënë në vazhdimësi për zhvillimin e sektorit financiar dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi.


Me këtë rast, Mehmeti uroi Raiffeisen Bank për hapjen e zyrës së re qendrore dhe falënderoi Strobl për investimet e Raiffeisen Bank në Kosovë, duke theksuar se ky investim është tregues i zotimit për të vazhduar përkrahjen e sektorit financiar edhe në të ardhmen.

Gjithashtu, ai i njoftoi përfaqësuesit e Raiffeisen Bank lidhur me zhvillimet pozitive në përmirësimin e kornizës rregullative me qëllim të integrimit më të shpejtë të sektorit financiar të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Raiffesien Bank falënderuan guvernatorin Mehmeti për përkrahjen e sektorit financiar në funksion të avancimit të mbikëqyrjes së sistemit financiar. /Telegrafi/