LAJMI I FUNDIT:

Megalomania dhe realiteti në vijim të një krize

Megalomania dhe realiteti në vijim të një krize
Ilustrim

“Jo! Rusia nuk mund të sulmojë Ukrainën! Ajo është anëtare e OSBE-së, e Këshillit të Evropës. Si mund të shkelë statutin e tyre? Nuk ka interes ta bëjë këtë!” Ky ishte pak a shumë arsyetimi i shumë politikanëve dhe personazheve publikë në Evropë deri në 24 shkurt kur Putini urdhëroi nisjen e agresionit ushtarak. Ky grup personalitetesh përbëhej jo vetëm nga pacifistë naivë, optimistë miopë, dashnorë iluzionesh e idiotë të dobishëm. Ndër ta fatkeqësisht kishte edhe agjentë ndikimi të joshur me lloj-lloj mënyrash apo edhe të shpërblyer me para nga Kremlini.

Deklarata e Edi Ramës se përmes nismës “Ballkan i Hapur” do të mund të evitohen kriza e tensione si ato që provokoi Vuçiqi në mesnatën e 31 korrikut, është e njëjtë në natyrë me besëtytninë e mësipërme. Do t’i kurseja lexuesit këtu kategorizimin e Ramës në një nga nëngrupet e mësipërme të “dorëzanëve” për Putinin.


Por, sugjerimi se me kontakte, biseda e shkëmbime arrihet shtensionimi, madje edhe një paqe e qëndrueshme, meriton të shtjellohet në mënyrë që të mos mund të përdoret për krijimin e mirazheve të rrezikshëm.

Prej më se një viti e pa shkak serioz Serbia refuzon të nënshkruajë aktin “Liria e Lëvizjes me letërnjoftim në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor” (Freedom of Movement with ID Cards for WB6) në kuadrin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Ky i fundit është produkt i Procesit të Berlinit. Nëse Serbia do ta nënshkruante dhe do ta zbatonte këtë akt, gjysma e problemit që shkaktoi krizën e mesnatës së 31 korrikut do të ishte zgjidhur. Nëse Serbia do të nënshkruante dhe do të zbatonte edhe një akt të ngjashëm për targat, atëherë problemi do të ishte zgjidhur plotësisht.

Por, problemi i madh është se Serbia edhe pas vitesh të gjata kontaktesh, bisedimesh e shkëmbimesh me Kosovën nuk do të bie dakord. Edhe pse këto kontakte, bisedime e shkëmbime janë ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mbështetur nga ShBA-ja. Pse ndodh kështu do të rrekem ta shpjegoj shkurt më poshtë. Por, tashti shihni mirazhin e rrezikshëm të Ramës.

Atë koncesion Vuçiqi nuk ja bëri Kosovës kur palë kërkuese e garantuese ishin shefat e Komisionit Evropian, por edhe shefat e qeverive si Merkel, Macron etj. Por, Edi Rama mejton se Vuçiqi do ta bëjë mbasi të ulet në tavolinën e “Ballkanit të Hapur” vetëm me të dhe me Albin Kurtin. A tregon kjo megalomani ekstreme, optimizëm naiv apo diçka tjetër jo të pafajshme? Lexuesit le ta gjejnë. Por, të tilla mufka të thëna publikisht, madje në prani të një kryeministri tjetër, vetëm qesëndi meritojnë.

Bashkimi Evropian e mbështetja amerikane nuk arriti të çonte Prishtinën e Beogradin drejt marrëveshjeve të qëndrueshme, sepse nuk kishte bindshëm as shkop as karotë ndaj Serbisë. BE nuk kishte shkop për vetë natyrën e tij. Kurse karota e anëtarësisë në Union ishte abstrakte, e paarritshme dhe me gjasë në thelb e padëshiruar nga sundimtarë jodemokratikë si Vuçiqi. Kurse karota reale e milionave eurove ndihmë evropiane as nuk u vu ndonjëherë seriozisht në diskutim nga Brukseli. Ka edhe arsye të tjera e kjo çështje komplekse meriton një shënim më vete.

Me situatën e re, pas agresionit të Putinit, gjërat mund të ndryshojnë pozitivisht. Vuçiqi është i vetmi kryetar shteti në Evropë (veç Lukashenkos në Bjellorusi) që ka refuzuar sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Kjo nuk tolerohet në kohë lufte. Çuditërisht, i vetmi shef qeverie në Evropë që tregon mirëkuptim për këtë qëndrim është kryeministri i Tiranës.

Nga ana tjetër, britmat epike të Vuçiqit për “aksione vdekjeprurëse” kundër Kosovës nuk impresionojnë KFOR-in dhe zor se ndiqen nga veprime ushtarake. Por, destabilizimi në veri (Vuçiq pretendon se është dorëjashtë dhe Rama e konfirmon se janë vetëm serbët e rrëmbyer të Mitrovicës!) dhe në vijim “qetësimi” i situatës është në repertorin permanent të tij. Kështu ai del si “burrë i mirë” dhe përfiton atë gjë që edhe Rama kërkon për të: të zbutet trysnia perëndimore ndaj tij për adoptimin e sanksioneve anti-Putin.

Përgjigja më e mirë evropiane për momentin do të ishte vendosja përfundimtare dhe e përhershme e masave për targat e letërnjoftimet nga qeveria kosovare në 1 shtator.