Mediat proqeveritare dhe tabloidet në Serbi po zhvillojnë një fushatë dezinformuese, duke e paraqitur furnizimin e Kosovës me sistemin kundërtank “Panzerfaust 3” si kërcënim për paqen në rajon, si pjesë të projektit të ashtuquajtur “Shqipëria e Madhe”, si akt agresioni ndaj “serbëve dhe Serbisë”, si dhe si “armatim të paligjshëm”.

Çfarë shkruajnë mediat në Serbi – Telegraf, Blic, Sputnik Serbia, Pravda, RT Balkan?


Në raportimet e tyre, media si Telegraf, Blic, Sputnik Srbija, Pravda dhe RT Balkan përdorin tituj dhe gjuhë sensacionaliste.

Disa prej tyre flasin për “goditje të re të Gjermanisë” dhe për “armë të rrezikshme që po i vijnë Prishtinës”, duke e paraqitur bashkëpunimin e Kosovës me partnerët perëndimorë si faktor destabilizues për rajonin.

Ndërsa Kosova, si shtet sovran dhe i pavarur, vazhdon të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse në bashkëpunim me partnerë kyç të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, në Serbi është aktivizuar një retorikë agresive mediatike që synon delegjitimimin e këtij procesi.

Lajmi për blerjen e sistemit modern kundërtank “Panzerfaust 3” paraqitet në mediat provladine serbe si një kërcënim i rremë ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal.

Analiza e titujve në tabloide si Pravda tregon përdorimin e termave fyese dhe shoviniste, përmes të cilave mohohet e drejta e Kosovës për të marrë vendime sovrane në fushën e sigurisë.

Ndërkohë, media si Blic dhe Telegraf flasin për “rrezik të madh” dhe “krijim të Shqipërisë së Madhe”, edhe pse Serbia vetë prej vitesh vazhdon të armatoset masivisht nga Rusia dhe Kina, si dhe të dislokojë forca ushtarake pranë kufijve.

Blic shkon edhe më tej duke cituar “ekspertë të sigurisë” për ta lidhur armatimin legjitim të Kosovës me narrativa politike dhe projekte të imagjinuara. Retorika për “presion ndaj serbëve” shërben kryesisht për konsum të brendshëm në Serbi, me qëllim ruajtjen e narrativës së viktimizimit dhe largimin e vëmendjes nga roli i Beogradit zyrtar si pengesë për paqen në Ballkan.

Në të njëjtën linjë propagandistike kanë raportuar edhe mediat ruse në Serbi, si Sputnik Srbija dhe RT Balkan, lidhur me pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës me sistemin gjerman kundërtank.

Një fokus i veçantë i mediave serbe është vënë mbi Gjermaninë, me tituj që e paraqesin Berlinin si palë “armiqësore”. Në realitet, mbështetja gjermane për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës është një sinjal i qartë se siguria e Kosovës është e pandashme nga siguria e Evropës.

Në anën tjetër, mediat në Kosovë ka raportuar në mënyrë transparente dhe mbi baza zyrtare për përfundimin e procedurave të blerjes së armatimit kundërtank nga Gjermania për Forcën e Sigurisë së Kosovës./TheGeoPost.

Ndryshe nga tabloidet serbe, këto media kanë theksuar se bëhet fjalë për një të drejtë legjitime të Kosovës për të forcuar mbrojtjen e saj, në përputhje me partneritetet ndërkombëtare.

Në thelb, fushata mediatike në Serbi synon kriminalizimin e të drejtës së Kosovës për vetëmbrojtje, përmes dezinformimit dhe gjuhës nxitëse, në kundërshtim me realitetin dhe standardet ndërkombëtare të sigurisë.