Në fjalët përfundimtare të seancës gjyqësore për tre punonjësit policorë të akuzuar për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan, prokuroria i kërkoi Gjykatës të marrë një vendim dënues, ndërsa mbrojtja vlerëson se gjatë procedurës gjyqësore nuk u vërtetua faji i tyre.

Prokurorja Spasenka Andonova theksoi se janë paraqitur prova të shumta, sipas të cilave mund të shihej qartë se cilat lëshime i kanë bërë të akuzuarit që kanë kryer kontrollin në diskotekën “Puls”.


“Thelbi i fjalës përfundimtare ishte pikërisht theksimi i lëshimeve të tyre si punonjës policie, të cilët kanë kontribuar që të realizohej edhe një përfitim i caktuar, pra në përputhje me ligjin një dobi e caktuar për subjektin juridik, i cili fare nuk ishte evidentuar në procesverbalet me të cilat u krye kontrolli”, deklaroi Spasenka Andonova, prokurore.

Avokatët e të akuzuarve vlerësojnë se punonjësit e policisë kanë vepruar në përputhje me planin e aksionit dhe planin shtesë, pra kanë vepruar sipas ligjit dhe duhet të lirohen nga akuza.

“Ne vlerësojmë se prokuroria nuk paraqiti asnjë provë nga e cila del se cilën normë blankete ose akt nënligjor e kanë shkelur i pandehuri i tretë dhe të pandehurit e tjerë, që të përgjigjen para gjykatës për propozim-aktakuzën”, tha Goce Ristov, avokat.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit, në periudhën nga tetori 2023 deri në shkurt 2024, si punonjës policie gjatë kryerjes së kontrollit në diskotekën “Puls”, nuk kanë vepruar në përputhje me planin e aksionit, dhe gjatë futjes së të dhënave në procesverbal, kanë shënuar të dhëna për një firmë që nuk ishte aktive. Vendimin për këtë çështje gjykata do ta shpallë më 5 maj./Alsat/