Mbyllja e strukturave paralele, Rizvanolli: Serbia po frikësohet për humbjen e fuqisë për të shantazhuar e blerë votën e serbëve të Kosovës

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se për 26 vite, furnizimi me ujë të pijshëm i komunave veriore nga KRU Mitrovica i ka kushtuar Republikës së Kosovës 19.5 milionë euro, pa inkasuar asnjë cent.
Kështu ka deklaruar ajo përmes një postimi në Facebook.
"Përkundër kësaj, furnizimi ka vazhduar pa asnjë problem, me përjashtim të ditëve pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit, të shkaktuar pikërisht nga Serbia dhe marionetat e saj në Kosovë. Prandaj, çdo brengë e shprehur nga Qeveria e Serbisë dhe Lista Serbe për kinse “mosbesim ndaj KRU Mitrovicës”, nuk është brengë për qytetarët serbë të Kosovës, por për humbjen e fuqisë së vet për të shantazhuar e për të blerë votën e serbëve të Kosovës përmes institucioneve ilegale", ka pohuar ajo.
Tutje, ajo ka shkruar se "Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ndërmarrjet publike janë të përkushtuara që të ofrojnë shërbime cilësore e të sigurta në përputhje me standardet më të larta të parapara me ligj, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës".
"Sigurojmë qytetarët e Kosovës dhe të gjitha palët se brengat për zëvendësimin e administrimit të furnizimit dhe aseteve nga strukturat paralele ilegale, jashtë kornizës ligjore, kontrollit e mbikëqyrjes nga institucionet e Republikës së Kosovës, me administrim nga një ndërmarrje e licencuar, e rregulluar e monitoruar nga institucionet e Republikës së Kosovës, janë thjesht të pabaza", ka theksuar ajo.
Rizvanolli ka pohuar se ofrimi i shërbimit nga KRU Mitrovica sipas marrëveshjeve të nënshkruara me komunat në janar të këtij viti mundëson furnizim cilësor e të sigurt dhe investime në rrjet e mirëmbajtje të tij.
"Për të mundësuar investimet e duhura për përmirësim të shërbimit dhe fillim të matjes e inkasimit, KRU Mitrovica ka kërkuar mbështetje financiare edhe nga Fondi zhvillimor për komunat veriore të Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës e përkrah fuqishëm këtë kërkesë dhe shpresojmë që komunat dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë do ta përkrahë këtë kërkesë, në të mirë të qytetarëve të komunave veriore dhe një procesi kuptimplotë të bashkëpunimit e integrimit ndër-etnik në këto komuna". /Telegrafi/







































