eksperti-banner

Në Statutin Themeltar të Mbretërisë Shqiptare theksohej se shteti nuk kishte fe zyrtare.

Të gjitha fetë dhe besimet respektoheshin, ndërsa liria e ushtrimit dhe praktikimit të tyre garantohej me ligj. Po ashtu, feja dhe besimi nuk mund të përdorej për qëllime politike.


Më 16 korrik 1929 hyri në fuqi dekret-ligji për formimin dhe administrimin e komuniteteve fetare. Sipas këtij ligji, komunitetet fetare mund të krijoheshin dhe të njiheshin vetëm pasi statuti i tyre të miratohej nga Ministria e Drejtësisë dhe të dekretohej nga Mbreti. Gjithashtu, drejtuesit e komuniteteve fetare duhej të miratoheshin nga Mbreti, ndërsa ata dhe vartësit e tyre duhej të ishin shtetas shqiptarë dhe të mos kishin veprimtari antikombëtare. Funksionarët fetarë nuk kishin të drejtë të votonin, të kandidonin në zgjedhje apo të merrnin pjesë në veprimtari politike pa kaluar një periudhë prej gjashtë muajsh nga largimi prej shërbesës fetare.

Ligji gjithashtu ua ndalonte komuniteteve fetare të merrnin ndihma nga shtetet e huaja pa miratimin e Qeverisë dhe theksonte se veprimtaria e tyre duhej të mbështetej mbi baza kombëtare. Madje, në veprimtarinë e brendshme fetare kërkohej që të jepeshin këshilla në funksion të forcimit të ndjenjës kombëtare.

Mbretërimi i Zogut karakterizohej nga një politikë e theksuar laicizmi, e cila synonte kufizimin e ndikimit të bashkësive fetare në jetën publike dhe forcimin e kontrollit të shtetit mbi to. Në këtë kuadër, institucionet fetare u orientuan drejt një varësie më të madhe nga autoriteti shtetëror. Në planin personal, Zogu mbante një qëndrim indiferent ndaj fesë; ai nuk shfaqte ndonjë simpati të veçantë ndaj saj, por njëkohësisht nuk manifestonte as qëndrime antifetare. Qasja e tij karakterizohej nga një distancë e barabartë ndaj tri besimeve kryesore në Shqipëri, duke synuar ruajtjen e ekuilibrit dhe shmangien e favorizimit të ndonjërës prej tyre.

Një vendim tjetër shumë i rëndësishëm që bëri jehonë edhe në shtypin ndërkombëtar ishte ligji për largimin e perçes për mbulimin e fytyrës, që u dekretua nga Mbretin ë vitin 1937. Mbështetja që mori nga krerët e Komunitetit Mysliman bëri që në shumë qytete të mëdha gratë të lëviznin pa perçe. Por pati edhe vende si Shkodra e Kavaja, ku ligji hasi vështirësi në zbatimin e tij. Në shërbim të emancipimit të gruas shqiptare, gjashtë motrat e Mbretit të veshura sipas modës së fundit perëndimore, të pambuluara e me funde të shkurta bënë në një vizitë njëjavore në veriun e vendit. Kjo vizitë pati krijuar njëfarë senzacioni dhe u vlerësua si një sukses i madh.

Përderisa shqiptarët myslimanë në përgjithësi në këtë fazë u treguan më bashkëpunues me shtetin, ata mundën të shkëputeshin më lehtë nga ndikimi i jashtëm pasi Turqia ishte bërë shtet sekular nën reformatorin Mustafa Qemali.

Besimtarët ortodoksë që përbënin rreth 20% të popullsisë dhe ata katolikë 10%, dolën të ishin më shumë sprovues. Lidhur me ortodoksët, Zogu u mbështet në punën e peshkopit F. Noli, i cili në Kongresin e Beratit (17 shtator 1922) themeloi Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Një gjë e tillë nuk kishte marrë konfirmimin nga Patrikana e Stambollit që ishte nën ndikimn grek. Por Shteti Shqiptar gjatë kësaj periudhe i kushtoi shumë vëmendje kësaj çështje, duke marrur të gjitha masat e nevojshme. Si rezultat i kësaj, përfundimisht më 1937, ju njoh autoqefalia.

Komuniteti katolik përbënte një sfidë më vete, ani pse ishte më i vogli në numër, por njëkohësisht shihej edhe me njëfarë dyshimi për shkak të lidhjeve të njohura me Italinë. Kryeipeshkvi i Shkodrës dhe përfaqësues të tjerë të Kishës katolike i kundërshtuan me forcë disa prej politikave, megjithatë u paralajmëruan se kundërshtimet e tepruara mund të sillnin pasoja në marrëdhëniet me shtetin. Në përgjithësi, Kisha katolike në Shqipëri, në shumicën e rasteve, e respektoi autoritetin e Zogut. Me qasjen e tij shpesh të perceptuar si autoritare ndaj këtij komuniteti fetar, historianët Bernd J. Fischer dhe Schmitt e shpjegojnë bashkëpunimin e këtij komuniteti me italianët pas pushtimit të Shqipërisë. Në këtë pikë, ne i bashkohemi mendimit të studiuesit R.M. della Rocca, i cili argumenton se: “Zogu në disa faza antiitaliane të politikës së tij, goditi interesat e bashkësisë katolike shqiptare (…) nuk e bëri këtë që të ndëshkonte posaçërisht katolikët. Nuk ishte puna për një dashakeqësi të llogaritur të Zogut ndaj katolikëve, por për t’u treguar italianëve se ishte i vendosur t’i prapsonte ndërhyrjet e tyre në çdo kënd të jetës shqiptare.”

Në këtë mënyrë, laiciteti i shtetit në periudhën e Zogut u shfaq si një projekt politik për forcimin e pushtetit qendror dhe ndërtimin e identitetit kombëtar mbi dallimet fetare.

Shkruan: Mersel Bytyçi, mësimdhënës në Gjimanzin Loyola në Prizren