Mbreti i ri i poezisë

Ron Whitehead interviston Lawrence Ferlinghettin (1999)
Përktheu: Fadil Bajraj
Lawrence Ferlinghetti mbush 80 vjeç.
Nga Rejkjaviku në San Francisko dhe më tej.
Në vitin 1953, Lawrence Ferlinghetti themeloi librarinë e parë me kopertina të buta në Shtetet e Bashkuara. Në katër dekada e gjysmë, City Lights, librari dhe botues, është bërë Mekë për miliona njerëz, për zëra alternativë të botës. Libri A Coney Island of the Mind (1958) i Ferlinghettit është vëllimi më i shitur i poezisë nga çdo poet amerikan i gjallë. Më 24 mars 1999, Mbreti i Ri i Poezisë, ngurrues, mbushi 80 vjeç.
Ron Whitehead: Lawrence, të pyeta në një letër nëse i interesuar që libra të tjerësi A Coney Island of the Mind ose A Far Rockaway of the Heart të përkthehen në gjuhën nordike të vjetër, në islandisht, dhe të botohen këtu në Islandë në një projekt bashkëpunues me Bad Taste/Smekkleysa, shtëpinë kryesore diskografike, dhe Bjartnur, botuesin kryesor të pavarur.
Lawrence Ferlinghetti: Sigurisht.
RW: Në rregull. Do të vazhdoj të merrem me këtë çështje. Kam folur tashmë me dy tipa këtu dhe ata janë të interesuar. Do t’u them se “Po pajtohesh” dhe do t’i hap dyert që të të shkruajnë dhe të komunikojnë drejtpëdrejt me ty për këtë punë. Po bëj të njëjtën gjë për Lee Ronaldon dhe librin e tij të ri. LF: Bash mirë.
RW: Më pëlqen shumë A Far Rockaway of the Heart dhe e konsideroj jo vetëm një nga veprat e tua më të mira, por edhe një kryevepër të poezisë së shekullit të 20-të.
LF: Epo, padyshim që je një kritik gjenial.
RW: (të qeshura nga të dy) Po, qebesa, jam. Jam (të qeshura të tjera). Çfarë po bën tash? E di se po vazhdon të shkruash dhe të pikturosh. LF: Nuk po bëj asgjë për momentin përveçse jam shtrirë në shtrat.
RW: Bash mirë (të qeshura të tjera), a ke planifikuar ndonjë botim të ri? LF: Paj, jo. A Far Rockaway of the Heart sapo ka kaluar një vit nga botimi i tij. Por tash kam poezi të mjaftueshme për dy libra. Ama New Directions thotë se nuk mund të botojnë kaq shpejt. Ndoshta e botojnë një vitin e ardhshëm. Njëri nga librat titullohet Kasapi hyjnor, poezi që i ka prishur humori. Me fjalë të tjera, humori shkatërron sublimitetin në poezi. Po e marr titullin nga Gregory Corso, i cili thotë se: “humori është kasapi hyjnor”. Ai thotë se nuk mund të kesh një poezi sublime nëse përdor shumë humor.
RW: Nuk ma merr mendja se pajtohem me një gjë të tillë. LF: Epo, i kam disa poezi goxha qesharake. E kam një poezi serioze dhe pastaj e kam shtuar njëfarë imazhi qesharak që e shkatërron plotësisht atë, ama është argëtuese. Ndërsa për librin tjetër rreth tridhjetë ose dyzet poezi jo-humoristike. Paj, me humor të zakonshëm, ama nuk është kushedi se sa shkatërruese.
RW: Kohës së fundit kam dëgjuar Holy Soul Jelly Roll: Poems and Songs 1949-1993 të Allen Ginsbergut. A ke folur me dikë për një publikim të mundshëm të CD-së?
LF: Këtë të shtunë do të regjistroj për Rykon në studiot American Zoetrope të Francis Ford Coppolas, të cilat janë sall një bllok larg librarisë City Lights.
RW: Fantastike. Pak më poshtë kodrës.
LF: Po. Producent është Jim Sampas. Jim Sampas i familjes Sampas dhe the Kerouac Estate.
RW: Po. E kam takuar Jimin.
LF: Mendoj se Jim është në të 20-at. Është muzikant. Ai do të vijë të shtunën. Do të regjistrojmë krejt përmbledhjen A Coney Island of the Mind.
RW: E mrekullueshme! Ky është lajm fort i mirë!
LF: Ai ka muzikantë nga lindja që do t’i ketë në poezi të ndryshme. Do ta përziejë muzikën e tyre me vargjet e mia.
RW: Mendoj se David Amram do të jetë në disa nga poezitë?
LF: Jo, Jim dhe Ryko kanë muzikantë e tyre ose grupin e tyre për të cilin kanë këmbëngulur. Shpresoj të bëj diçka me David Amramin herët a vonë.
RW: Edhe unë shpresoj. Po lexoj një tekst të mrekullueshëm prej 83 faqesh që e shkroi Davidi dhe na e dërgoi mua dhe Sterling Lordit me titull “Kjo këngë është për ty Jack: Duke bashkëpunuar me Kerouacun”. Kam pasur mundësinë të lexoj me Davidin disa herë dhe ai është një person i mrekullueshëm dhe muzikant i jashtëzakonshëm.
LF: Po, përnjëmend është.
RW: Më përmendët më parë se po punoni në një autobiografi. Si po të shkon ajo punë?
LF: Kam hequr dorë prej saj për momentin. E kam parë se ajo del si Samuel Beckett.
RW: (të qeshura) Pra, do të jetë një biografi e shkurtër.
LF: Epo, njashtu diçka.
RW: Një pjesë e problemit është se ti ke bërë kaq shumë.
LF: Mënyra se si e shoh unë është e çuditshme dhe e dykuptimshme.
RW: Do të duhej të ishte nja një mijë faqe e gjatë. Ne e kemi diskutuar mundësinë që unë të shkruaj një biografi të re për Lawrence Ferlinghettin.
LF: Po, e di. Do të doja ta bëje ti.
RW: Mirë. Shpresoja që ta thoje këtë.
LF: Ama tash je në anën e gabuar të botës atje në Islandë.
RW: Por unë do të jem së shpejti në San Francisko. Dhe në Karolinën e Veriut dhe në Nju-Jork Siti dhe në Francë dhe në Itali. Por do të rikthehem në rrugën e duhur për të shkruar biografinë. Do ta bëj. Kam filluar tashmë.
LF: Më mirë e ke të nxitosh. Jam 80 vjeç (të qeshura nga të dy).
RW: E di, ama ti gjithmonë je i shëndoshë si molla. LF: Epo, unë stërvitem gjatë gjithë kohës.
RW: Po, kushdo që sheh fotot e tua mund ta kuptojë këtë. A noton çdo ditë?
LF: Do të shkoj në palestër sall pas pak minutash.
RW: Në vitet ’99 dhe 2000 do të punoj me disa tipa në Holandë, Irlandë dhe Islandë për të organizuar disa ngjarje kulturore. Cilat janë planet e tua të udhëtimit? Dua të të ftoj në këto ngjarje.
LF: Që kur u emërova Poet Laureat i San Franciskos, po më ftojnë në shumë vende.
RW: Urime!
LF: Po marr ftesa nga të gjitha drejtimet. Për momentin mund të shkoj në Brazil, Argjentinë, Kolumbi, Kubë, Francë, Itali, Republikën Çeke. Nuk mund të shkoj në të gjitha këto drejtime në të njëjtën kohë. Isha në Pragë dhe ata duan që unë të shkoj prapë dhe të kem një ekspozitë të madhe arti në pranverë, por nuk mundem. Po ndodhin kaq shumë gjëra saqë më duhet të jem këtu. Po shkruaj një rubrikë të rregullt për “San Francisko Chronicle” të quajtur Poezia si lajm. Kështu që duhet të jem këtu. Mund të shkoj në Itali në qershor dhe nëse shkoj, mund të shkoj edhe në Pragë, por nuk ma merr mendja se do të shkoj. Bile jo këtë vit.
RW: E di që shkuat në Pragë vitin e kaluar për Ekspozitën e Forumit të Artit. Ata festuan jetën dhe veprën tënde.
LF: Ata ndërtuan një kopje të fortë të pjesës së jashtme të Librarisë City Lights në Festival. Ishte diçka e jashtëzakonshme. Dhe pati një lexim INSOMNIACATHON 72 orësh pa ndërprerje të poezisë sime nga çdo poet në qytet. U mbajt në një kishë të madhe në qytetin e vjetër. Ata kishin një ekspozitë të veprës tënde dhe Rilindjes Letrare, bash pranë Ekspozitës së City Lights. A ke qenë në Pragë?
RW: Më ftuan në të njëjtin aktivitet, por nuk mund të shkoja për shkak të një angazhimi paraprak.
LF: Duhet të shkosh! Është fantastike!
RW: Po. Ata e kanë ruajtur krejt veprën time për arkivat e tyre. Më pas mora një letër të gjatë nga Kareli.
LF: Po, Karel Srp. Ai është një djalë i shkëlqyer.
RW: Ai më tregoi se si reagoi publiku ndaj teje. Tha se ishte si një koncert roku. Kur hapën dyert e Ekspozitës, mijëra njerëz vrapuan drejt e në tavolinën tënde. Tha se ti firmosje gjithë ditën dhe deri natën vonë.
LF: Shkrova një poezi të titulluar Lumenjtë e dritës në mes të natës dhe, për Zotin, u botua të nesërmen në faqen e parë të gazetës kryesore të përditshme. Dhe u botua e përkthyer në gjuhën çeke. Kjo nuk do të ndodhte kurrë në Shtetet e Bashkuara.
RW: Kjo është e mrekullueshme.
LF: Është një poezi e gjatë. Rreth dy faqe. Pra, ishte fantastike. Qyteti është qyteti më interesant nga të gjithë ata ku kam qenë prej shumë vitesh. Është mesjetar, ama është si Parisi, por edhe si Firenca. Kështjella, kështjella e Kafkës, ishte qendra e Perandorisë Austro-Hungareze dhe e ndjen vërtet kur shkon atje. Atje janë zyrat e Presidentit Havel.
RW: E kam të qartë që Presidenti Havel po shërohej nga një operacion derisa ju ishit atje, por ai u telefonoi atyre dhe limuzina e tij të mori dhe të çoi në kështjellë dhe garda e tij ushtarake të nderoi me përdorimin e artilerisë. Ta ndërrojmë pak kahjen, le të shkojmë në Jug dhe të flasim për City Lights Italia. E di që u deshën vite, pas shumë kërkesash, për të dhënë miratimin që të hapej një City Lights në Europë. Më në fund i dhatë miratimin Marco Cassinit për të hapur City Lights Italia në Firencë të Italisë.
LF: Personi i parë që pati këtë ide ishte Antonio Bertoli, drejtori i teatrit avangardë në Firencë, Theatre Studio Scandicci. Ai dhe Marco Cassini e themeluan City Lights Italia së bashku. Nuk kemi asnjë lidhje financiare. Ata erdhën në San Francisko. Kasha qëndruar me Antonion në Firencë kur unë performova në teatrin e tij. Përfundova duke qëndruar me të në shtëpinë e tij në fermë në kodrat mbi Firencë dhe u bëmë miq shumë të mirë. Ndërsa Marco ishte një botues i vogël në Romë.
RW: Minimum Fax Press.
LF: Po. Tash ai po bëhet një botues i madh dhe është ndarë nga Antonio. Ata nuk bien dakord për shumë gjëra. Janë si dallimi mes Firencës dhe Romës. Si dallimi mes San Franciskos dhe Los Angjelosit. Marco është shumë ambicioz. Ai dëshiron të bëhet një botues i madh. Ai është shumë më i orientuar drejt biznesit. Antonio është drejtor teatri dhe nuk është i interesuar për ambiciet tregtare. Në fakt, në Librarinë City Lights Italia në Firencë, ata botojnë libra, të ndarë nga shtëpia botuese e Marcos, nën emrin City Lights Italia dhe pavarësisht madhësisë së librit, ata paguajnë të njëjtën shumë për të. Një libër i madh dhe i trashë, le të themi 200 faqe, kushton 1,500 lira. Kjo është më pak se një dollar. Nëse libri është 48 faqe, ata prapë kërkojnë 1,500 lira. Pra, padyshim që do të falimentojnë. Ata botojnë shumë autorë italianë avangardë dhe gjithashtu botojnë shumë autorë të përkthyer të City Lights San Francisco. City Lights Italia është një qendër e shkëlqyer kulturore. Nuk ka asgjë të ngjashme me të në Firencë apo në Itali. Pjesa më e madhe e saj është në kohën e Renesansës. Për momentin është më shumë një qendër kulturore sesa një librari sepse nuk kanë para për të blerë mjaftueshëm libra. Por është edhe librari. Është një hapësirë e shkëlqyer takimesh. Ata organizojnë shumë aktivitete të mrekullueshme atje. Ka dy vjet e gjysmë që i organizojnë. Sa herë që dëshiron të lexosh atje, më lajmëro.
RW: Kjo tingëllon mirë. Mund të shkoj atje në vjeshtë.
LF: Epo, këtë vit, do të kenë një festival, mendoj, në fillim të korrikut. A e ke adresën e tyre?
RW: Pra, duhet t’ia dërgoj një letër Antonios?
LF: Antonio Bertoli, City Lights Italia, Via San Nicolo, Firencë. Ndodhet bash në cep të qytetit.
RW: Cilat janë planet për City Lights San Francisko? E di që ti ende ke një rol aktiv editorial. Mbaj mend kur të vizitova kur redaktoje Antologjinë e re të City Lights. Ti kalon të paktën disa orë çdo ditë atje. A është Nancy Peters…
LF: Ajo është Drejtoresha Menaxhuese.
RW: Ajo e mban nën kontroll situatën?
LF: Po. Po bëhemi Fondacion. Do të jemi Fondacioni Jo-Fitimprurës The City Lights. Po përpiqemi ta blejmë ndërtesën duke krijuar fondacion dhe duke u mundësuar kështu donatorëve ta blejnë ndërtesën për ne. Kemi qenë qiraxhi për vite me radhë.
RW: Është një vend historik për njerëzit në mbarë botën. LF: Është një ndërtesë e vjetër dhe pronarët janë shumë të moshuar dhe janë të gatshëm ta shesin, kështu që po e fillojmë këtë fondacion tash. Bash gjatë kësaj jave.
RW: Ti shprehe shqetësim, ndërsa unë e përmend këtë në poezinë time San Francisko maj 1993 rreth fluksit të parave kineze nga Hong Kongu që po blejnë shtëpitë dhe lokalet e italianëve në North Biç.
LF: Jo, nuk po shprehja shqetësim. Ishte thjesht një deklaratë fakti.
RW: Duke pasur parasysh që San Francisko është rritur kaq shumë, a të pëlqen ende të jetosh atje? A të ka shkuar mendja të shpërngulesh?
LF: Jo, popullsia nuk është rritur. Nuk ka vend për zgjerim. Popullsia në qytet është ende vetëm 750.000, por janë periferitë, paralagjet dhe territory periferik që e përbëjnë atë deri në 3 milionë dhe kjo është ajo që është rritur. Por popullsia aziatike përbën tash 40% të San Franciskos. Dhe nja 30% të tjerë janë hispanikë. Kështu që, të bardhët janë pakicë.
RW: Kjo është interesante.
LF: Po, tash është një qytet i Botës së Tretë. Dhe pjesa jonë e qytetit, North Biç, e cila dikur ishte e banuar kryesisht me italianë, tash është dy të tretat aziatike deri në Gjirin e Madh. Ama unë nuk e kam ndër mend të largohem.
RW: Më parë flisje për blerjen e një shtëpie. A mendon ende për një gjë të tillë?
LF: Po, ama nuk kam mundësi ta përballoj një këtu.
RW: Kam lexuar se San Francisko është qyteti më i shtrenjtë në Shtetet e Bashkuara.
LF: Po, është. Nuk mund të gjesh një shtëpi me dy dhoma gjumi për më pak për pesëqind ose gjashtëqind mijë dollarë.
RW: Uau! Do të vazhdoj të vizitoj San Franciskon. Le të shohim, fitova 2.400 dollarë vitin e kaluar. Po, është padyshim jashtë buxhetit tim.
LF: Po, është e pamundur.
RW: Kam pasur mundësinë, të cilën e kam shijuar shumë, të takoj djalin tënd Lorenzon, por nuk e kam takuar vajzën tënde Julien.
LF: Ajo është në Neshvill, Tenesi tash.
RW: Këtë e mbaj mend kur flisje për ta. A kanë fëmijë fëmijët e tu?
LF: Julie ka një djalë tre vjeç, Jonathanin. Ndërsa gruaja e Lorenzos lindi një djalë një vit më parë. Emir i tij është Leonardo. Leonardo Ferlinghetti. Ai është një vjeç.
RW: A i viziton shpesh fëmijët dhe nipërit e mbesat e tua?
LF: Po. Ata ishin këtu për Krishtlindje. Edhe unë shkoj në Bolinas, ku jeton Lorenzo, gjatë gjithë kohës. Është sall një orë larg nga këtu.
RW: Unë dhe John Tytell punuam për më shumë se një vit që ti të nominoheshe për Çmimin Nobel në Letërsi. Me sa e di unë pasi të nominohesh qëndron në grupin e kandidatëve për një kohë pacaktuar. LF: Epo, duhet të ketë mijëra emra.
RW: Nuk e di për këtë. Ti dhe Allen Ginsberg keni punuar së bashku për dekada. Në sytë e mijëra, ndoshta miliona njerëzve, ti dhe Alleni ishit dhe jeni Mbretërit e Poezisë. Të kam dëgjuar kur thoshe se Alleni e meritonte Çmimin Nobel dhe të ishte Poet Laureat i ShBA-së.
LF: Është tronditëse që Alleni nuk u pranua kurrë, që nuk e mori kurrë Çmimin Pulitzer në këtë vend dhe se nuk u ftua kurrë të ishte Poeti i Bibliotekës së Kongresit, e që tash quhet Poet Laureat. Mendoj se ata kishin frikë prej tij. Është tronditëse që poeti që ndryshoi vetëdijen poetike të disa brezave shkrimtarësh, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në të gjithë globin, nuk u njoh kurrë zyrtarisht për jetën dhe veprën e tij. Shkoni në Pragë, Republikën Çeke, Itali, Gjermani dhe shumë vende e qytete të tjera në të gjithë botën dhe shikoni se çfarë ndryshimi të madh ka bërë ai.
RW: Në vetëdijen e njerëzve.
LF: Sidomos midis poetëve.
RW: Epo, a keni ndonjë gjë për të thënë në lidhje me nominimin për Çmimin Nobel apo është diçka për të cilën nuk do të donit të flisnit?
LF: U habita kur John Tytell më shkroi se ju do të nominonit. Mendoj se kjo është një mrekulli.
RW: Nuk i dihet kurrë. Ndjesia ime është se nëse dikush në botë e meriton Çmimin Nobel për arritje gjatë gjithë jetës për poezinë e tij dhe për punën që ka bërë për poezinë në mbarë botën, ai person je ti.
LF: Pajtohem me ty.
RW: Mirë. Mirë. LF: 100%!
RW: (shumë të qeshura nga të dy) Më vjen mirë që e dëgjoj këtë! (të qeshurat vazhdojnë) Libri i ri i fotografive të tua nga Chris Felver është i bukur. Ua kam treguar tashmë shumë njerëzve.
LF: A e ke një kopje në Islandë?
RW: Jo bash para meje. Ia huazova Këshillit të Arteve të Rejkjavikut. E marr të hënën para leksionit tim mbi “Brezi Bit dhe Procesi i Shkrimit” në Universitetin e Islandës. Chris do të më dërgojë një kopje të filmit të tij dokumentar, The Coney Island of Lawrence Ferlinghetti, të cilin Televizion Kombëtar i Islandës do ta shfaqë. Çfarë mendon për librin e ri të Chrisit, një libër plot me fotografi të mrekullueshme?
LF: Paj, unë e shkrova hyrjen pë librin. Unë dhe Chrisi kemi punuar së bashku për tridhjetë vjet. Ai beson në cinéma vérité. Ka fotografi në libër të cilat nuk më pëlqejnë edhe aq, ama ai nuk i heq (të qeshura nga të dy). E njëjta gjë vlen edhe për filmin e tij, dokumentarin për mua. Është cinéma vérité. Nuk ka komente dhe as zë nga ai vetë. Sall atë që sheh kamera. Dhe pastaj flas edhe unë.
RW: Dokumentari është i bukur. Libri dhe dokumentari tregojnë anë të tua që publiku nuk i ka parë kurrë. Një poet anarchist surrealist Zen, të fshehtë, të prekshëm, një qenie të vërtetë njerëzore. Të dy janë shumë të sinqertë. Të dy prekin zemrën në një mënyrë emocionale. Më pëlqen shumë të punoj me Chrisin. E respektoj dhe e admiroj punën e tij. LF: A e more kopjen e fjalimit tim si Poet Laureat?
RW: Jo, nuk e mora!
LF: Është botuar në Poetry Flash. Është gjithashtu në uebfaqen e City Lights.
RW: Do ta kontrolloj. Je kompjuterizuar tash.
LF: Gjithashtu, artikujt që po shkruaj për “San Francisco Chronicle” do të jenë në uebfaqen tonë. Deri tash kam shkruar nën titullin Poezia si lajm (Poetry as News). Shkrimi i parë ishte për Safon. I dyti për Cafavyn. Artikulli i tretë, të cilin sapo e shkrova, është Bertolt Brechtin.
RW: Nga ata që kanë ikur nga jeta jote, cilët të mungojnë më shumë?
LF: Të gjithë duket sikur kanë ikur ose po ikin. Njerëzit po vdesin djathtas e majtas. Është e tmerrshme! Të moshes sime nuk kanë mbetur shumë, përfshirë shumë të dashura të vjetra (të qeshura nga të dy). Ato po i merr ndonjë tip tjetër ose vetë z. Vdekja, ai Njeriu i Vdekur në Qiell, Tipi me Drapërin e Madh. Ruaju nga Ai. Një anëtar i Bitëve ka mbetur ende, dhe ai është më i madh se kushdo prej tyre, dhe ky është Gregory Corso. Ai është vërtet Avatari i Poezisë së Pastër, i Zhargonit të Pastër Amerikan. Askush nuk mund të matet me Gregoryn. Ai nuk është kurrë derivat i askujt. Gregory është më i madhi! Unë u lidha me Bitët duke i botuar ata. Unë nuk isha anëtar i grupit original. Jam shtatë vjet më i vjetër se Alleni. Personi tjetër që është shumë i injoruar dhe i nënvlerësuar është Ed Sanders. Ed Sanders është një poet i shkëlqyer. Ai është gjithashtu një gazetar i shkëlqyer. Ai po e boton Woodstock Journal, në Vudstok, Nju Jork. Është një gazetë e mrekullueshme e një qyteti të vogël. Ed Sanders është goxha i arsimuar. Është shumë i zgjuar. Është si Mark Twain. Madje duket si Mark Twain. Ai vesh kostume të bardha dhe mban mustaqe si Mark Twain. Ai është vërtet i shkëlqyer, por shumë i nënvlerësuar dhe i injoruar. Ata dy tipa janë në të vërtetë të gjithë ata që kanë mbetur nga Brezi Bit. Anne Waldman, e cila themeloi Institutin Naropa me Allenin, po mbahet mirë, ama ajo në të vërtetë i përket brezit të ri. Dhe ti je pak më i ri ende, por po punon për ta çuar flakën përpara.
RW: Unë të konsideroj si mentor. Si ndihesh në rolin e mentorimit në marrëdhëniet njerëzore?
LF: (të qeshura) Mos e ndiq këshillën time. Jam divorcuar kur isha 40 vjeç apo njashtu diçka dhe më vjen keq që ti po bën të njëjtën gjë. Mos e ndiq shembullin tim.
RW: Edhe disa pyetje. Sa orë fle zakonisht? LF: Oh, kohët e fundit kam fjetur shumë. Unë fle tetë orë.
RW: Lawrence, shpresoj që ky të jetë fillimi i shumë intervistave të tjera, derisa e drejtoj vëmendjen time te biografia ime.
LF: Po, do të doja ta bëje.
RW: Do ta bëj. Do të jemi në kontakt dhe do të të njoftoj për përkthimin e veprës tënde në islandisht. Jam i sigurt se do të ketë festime në San Francisko për ditëlindjen tënde të 80!
LF: Do ta injoroj.
RW: Do ta injorosh numrin e madh 80?
LF: Po, do ta injoroj numrin e madh 80. Ndoshta familja ime do të organizojë diçka të vogël.
RW: Epo, Gëzuar ditëlindjen e 80, Lawrence!
LF: Faleminderit! Paç fat!
/Telegrafi/



















































