LAJMI I FUNDIT:

MBPZHR, vetëm këtë vit 3.8 milionë euro për pemët manore

MBPZHR, vetëm këtë vit 3.8 milionë euro për pemët manore

Kjo është sezona e dredhëzave dhe edhe pak dalin edhe mjedrat. Këto dy produkte bujqësore kanë përjetuar rritje të madhe të kultivimit dhe kjo edhe falë mbështetjes që ka dhënë edhe shteti përmes granteve dhe subvencioneve. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përveç granteve nga viti i kaluar jep edhe 400 euro për hektar për ata që kultivojnë mjedra, dredhëza dhe pemë të tjera.

Sipas buxhetit që ka planifikuar Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural janë 3.8 milionë euro që do të ndahen vetëm për pemët manore. Faza e aplikimit ka përfunduar dhe tash pritet ndarja e granteve dhe subvencioneve. MBPZHR-ja jep mjete për prodhim dhe përpunim të këtyre pemëve.


Shkelzen Dragaj, këshilltar i ministrit të MBPZHR-së, Memli Krasniqi thotë se rritja e sipërfaqeve ka bërë që konsumi gjatë sezonit të mbulohet vetëm me prodhime vendore.

“Përveç kësaj agrobizneset përpunuese të pemëve, kanë rritur sasinë e furnizimit me prodhime nga fermerët vendor dhe kjo padyshim ka sjellë treg me të sigurt për fermerët kultivues dhe lehtësim për agrobizneset”, thotë ai.

“Vlen të theksohet se ka edhe eksport në rritje, por kjo është më shumë e theksuar tek mjedra që shitet shumë jashtë vendit dhe me çmim të volitshëm, gjë që po sjellë përfitime të larta për fermerët”, shprehet ai.

Sipas tij, pemët manore janë një sektor që MBPZHR-ja ka vendosur në fokus dhe investimet janë duke u rritur dukshëm.

Sipas statistikave janë diku rreth 200 hektar dredhëza në Kosovë dhe mbi 800 hektar me mjedra. Çmimi në treg sillet nga 1 euro deri në 2.50. /Telegrafi/