LAJMI I FUNDIT:

Mbledhje komemorative për Smail Imerin, të shtunën në Teatrin “Dodona”

Mbledhje komemorative për Smail Imerin, të shtunën në Teatrin “Dodona”

Teatri i Qytetit të Prishtinës – “Dodona”, nesër (e shtunë, 16 korrik 2016), në ora 12:00, organizon një mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së regjisorit dhe aktorit të mirënjohur të Kosovës, Smail Imeri.

Imeri ka lindur në vitin 1956 në Baks të Drenicës. Studimet për regji të filmit i ka mbaruar në Universitetin e Zagrebit. Ka diplomuar me filmin “Lepuri me pesë këmbë” të vitit 1982, që konsiderohet si një ndër realizimet me të rëndësishme të kinematografisë shqiptare.


Ai ka bërë edhe dokumentarin “Duart e pastra” (1981), filmin televiziv “Migjeni” (1989), “Kur shpirti ndërron jetë” (2001), si dhe shumë realizime tjera artistike – në teatro të Kosovës apo si punëtor i Radiotelevizionit të Prishtinës.

Pas luftës, kishte hapur në Prizren Akademinë për Film, Teatër, Televizion dhe Radio, nga ku dolën shumë regjisorë e kameramanë që vazhdojnë të merren me këtë veprimtari.

Imeri, bashkë me znj. Rabije Bajrami, është një ndër themeluesit e Teatrit të të Rinjve, Fëmijëve dhe Kukullave – një prej ikonave të kryeqytetit të Kosovës – i cili më vonë, me propozimin e tij, do të quhet “Dodona” (siç quhet edhe e bija e tij).

Imeri vdiq më 13 korrik 2016, në ora 17:10, në Stokholm të Suedisë, ku ka kaluar pjesën më të madhe të kohës, bashkë me familje, që nga vitet ’90 të shekullit të kaluar. Varrimi i të ndjerit u bë më 14 korrik, në Stokholm.

Në teatrin “Dodona”, për të nderuar veprën e regjisorit Imeri, do të hapet libri i zisë, ndërsa do të shfaqet edhe një dokumentar për jetën dhe veprën e tij. /Telegrafi/