LAJMI I FUNDIT:

Mbi 53 mijë qytetarë nga Kosova kaluan fundjavën në Shqipëri

Mbi 53 mijë qytetarë nga Kosova kaluan fundjavën në Shqipëri

Për Ditën Ndërkombëtare të Punës, që njihet si festa e 1 Majit, 53 mijë punëtorë kosovarë po e shfrytëzojnë pushimin në Shqipëri.

Festa zyrtare e 1 Majit që ishte të shtunën dhe festa tjetër Pashkët Ortodokse të dielën, për këto dy festa zyrtare në vikend, institucionet e shtetit do të pushojnë të hënën dhe të martën.


Gjatë fundjavës, sipas Policisë së Kosovës vetëm në pikat kufitare me Shqipërinë kanë kaluar 53 mijë e 588 qytetarë.

“Të premten më 30 prill, kanë kaluar kufirin 17 mijë 939, të shtunën më 1 maj 23 mijë e 516 dhe më 2 maj të dielën 12 mijë e 133 qytetarë”, thuhet në një përgjigj me shkrim për KosovaPress nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun në Policinë e Kosovës.

Qeveria e kaluar me kryeministrin Avdullah Hoti kishte miratuar Projektligjin, që në ditët e festave zyrtare kur i bie e shtunë ose e diel, nuk do të pushohet më të hënën. Ky Projektligj ka mbetur në sirtarët e Kuvendit të Kosovës.

Për festën e 1 majit në çdo vend të botës organizohen protesta për të drejtat e punëtorëve, në Kosovë nuk pati protestë të organizuar nga BSPK-ja për shkak të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes COVID-19, mirëpo u organizuan nga disa sindikata të tjera. Si pasojë e pandemisë, të premten janë raportuar 11 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv, të shtunën 5, dhe të dielën 5. /Telegrafi/