LAJMI I FUNDIT:

Mbi 40 milionë euro borxhe ndaj ujësjellësit “Prishtina”

Mbi 40 milionë euro borxhe ndaj ujësjellësit “Prishtina”

Mbi dyzet milionë euro është borxhi i institucioneve publike, bizneseve dhe amvisërive ndaj Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”. Zyrtarë të kësaj kompanie bëjnë të ditur se kryeqyteti me zonat përreth prin me borxhin më të madh për ujin e shpenzuar. Zëdhënësja e Ujësjellësit, Arieta Mjeku, tha për Radio Kosovën se mbledhja e borxheve përmes përmbaruesve privatë, është treguar mjaft e suksesshme.

Borxhet e institucioneve publike, bizneseve dhe konsumatorëve shtëpiakë ndaj Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” kanë arritur në mbi dyzet milionë euro.

Zëdhënësja e Kompanisë se Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arieta Mjeku, tha për Radio Kosovën se kjo shumë është tepër e lartë dhe se po e pengon punën normale të kompanisë.

“Nëse flasim për borxhin e sektorit të amvisërisë të të gjithë konsumatorëve, bizneseve të vogla dhe të mëdha dhe institucioneve publike, aktualisht është rreth dyzet e një milion euro. Në bazë të dendësisë të konsumatorëve, normalisht më borxhin me të madh prin Komuna e Prishtinës me zonat për rreth.”

Mjeku po ashtu theksoi se prioritet i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” është mbledhja e borxheve dhe reduktimi i humbjeve teknike të ujit, për arsye se këto po e dëmtojnë shumë kompaninë. Ajo shtoi se që nga viti i kaluar ka filluar mbledhja e borxheve përmes përmbaruesve privatë dhe kjo ka rezultuar si mjaft e suksesshme.

“Fokusi i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” është reduktimi i humbjeve teknike dhe komerciale të ujit të pijes dhe mbledhja e borxheve nga konsumatorët. Ajo që është e rëndësishme është se që nga viti i kaluar kemi filluar që t’i dërgojmë lëndët të përmbaruesi privat dhe kjo rezultuar si diçka shumë e rëndësishme.”

Ndërsa, hulumtuesi nga Organizata “Ballkan Green Foundation”, Besfort Kosova, tha për Radio Kosovën se mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale po ndikon në një planifikim jo të duhur për mbrojtjen dhe menaxhimin e ujit.

“ Fatkeqësisht ekziston një moskoordinim në mes të institucioneve qendrore, pastaj atyre qendrore me ato lokale, dhe nga kjo kemi një planifikim jo të mirë sa i përket menaxhimit të ujit dhe mirëmbajtjes se sipërfaqeve të pasura me ujë.

Përfaqësues të institucioneve dhe organizatave bëjnë thirrje për kursimin e ujin. Për arsye se në mungesë të reshjeve atmosferike gjatë temperaturave të larta qytetarët mund të përballen me reduktime të mëdha të ujit. /Radio Kosova/Telegrafi/