LAJMI I FUNDIT:

Mbi 350 nxënës në shkollat e Tetovës dhe Gostivarit kanë kërkuar fletëshpërngulje

Mbi 350 nxënës në shkollat e Tetovës dhe Gostivarit kanë kërkuar fletëshpërngulje

Shkollat në Tetovë dhe në Gostivar zbrazen vazhdimisht. Siç mund të merret me mend, arsyeja është migrimi. Të dhënat e komunës së Tetovës tregojnë se gjatë vitit 2023 rreth 160 nxënës kanë kërkuar fletëshpërngulje, kryesisht nga shkollat fillore.

“Numri i fletëshpërngulje nga shkollat e mesme dhe nga shkollat fillore janë mjaftë shqetësuese ku nga shkollat fillore kemi diku 128 fletë shpërngulje dhe nga shkollat e mesme janë diku 31 fletë shpërngulje. Për çdo ditë kur bëhet regjistrimi i nxënësve kemi më pak nxënës, sidomos në shkollat fillore por edhe në shkollat e mesme është u njëjti rezultat”, u shpreh Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.


Situatë edhe më shqetësuese në qytetin e Gostivarit. Vetëm për një gjysmëvjetor janë kërkuar rreth 200 fletëshpërngulje. Edhe këtu numri më i madh janë filloristë.

“Prej fillimit të gjysmë vjetorit të vitit 2023 deri në fund të vitit numri është rreth 200 nga shkollat e mesme dhe shkollat fillore, normalisht është një numër i madh që ne na prek ky lajm, mirëpo ne nuk mund ta ndalim migracionin pasi ata i marrin fëmijët, familjarët dhe shpërngulen. Ne mundohemi të krijojmë sa më shumë kushte në shkolla dhe t’i rinovojmë, mirëpo ata shkojnë edhe për shumë arsye, edhe gjendja momentale në komunën e Gostivarit është kjo”, tha Aslian Snopçe, sektori për arsim- komuna e Gostivarit.

Por nëse shkollat fillore po zbrazen, numri i fëmijëve në çerdhe po rritet. Të dhënat e sektorit për arsim në Komunën e Gostivarit e tregojnë këtë.

“Brenda gjashtë viteve nga kur e kemi marr komunë, e kemi dyfish numrin, nga 450 në 867 fëmijë”, shtoi Snopçe.

Në fshatrat malor të Gostivarit dhe Tetovës ka shkolla me nga dy apo tre nxënës, aq sa komunat janë detyruar që të bashkojnë klasat me qëllim që të mos mbyllet shkollat dhe që arsimtarët të mos largohen nga vendet e punës./TV21/