LAJMI I FUNDIT:

Mbi 13 mijë të vrarë, mbi 400 masakra dhe 6 mijë të zhdukur gjatë luftës – Krimet e Serbisë në Kosovë dhe disa nga masakrat më të rënda

Mbi 13 mijë të vrarë, mbi 400 masakra dhe 6 mijë të zhdukur gjatë luftës – Krimet e Serbisë në Kosovë dhe disa nga masakrat më të rënda

Kujdes, artikulli në fund përmban pamje të rënda nga krimet serbe në Kosovë

Kanë kaluar 22 vjet nga lufta në Kosovë, ku janë vrarë mbi 13,500 persona, në mesin e tyre fëmijë, gra, pleq e civilë.

Gjatë luftës së fundit 98/99, në fshatrat e qytetet e Kosovës janë kryer mbi 400 masakra nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe.

Edhe pse kanë kaluar dy dekada nga përfundimi i luftës në Kosovë shteti ende nuk ka një databazë ku saktësohet numri i viktimave dhe masakrave nga regjimi i atëhershëm i Serbisë dhe dokumentohen saktë krimet që kanë ndodhur gjatë vitit 1998/99.

Nga ky numër i të vrarëve, 10,812 janë shqiptarë, 2,197 serbë, ndërkaq, romët, boshnjakët, malazezët dhe joshqiptarët e tjerë përbëjnë 526 viktima gjithsej.

Nga komunat e Kosovës më të prekurat nga lufta janë komuna e Skenderajt dhe e Gjakovës.

Në komunën e Skenderajt nga janari i vitit 1998 deri më 12 qershor 1999 janë vrarë 954 banorë, 217 dëshmorë, 140 të pagjetur, në total 1,311.

Në komunën e Gjakovës nga janari i vitit 1998 deri më 12 qershor 1999 janë vrarë 870 banorë, ndërsa dëshmorë kanë rënë 220, të pagjetur, 107. Në total  1,197.

Prej përfundimit të luftës e deri më sot, në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Komisionin Qeveritar të Kosovës për Persona të Zhdukur, sipas kërkesave të familjarëve, janë evidentuar 6.057 raste të personave të zhdukur, si pasojë e luftës në Kosovë.

Fati i shumicës prej tyre tashmë është zbardhur, por për 1.647 persona ende nuk dihet asgjë.

Qytetarët e Kosovës gjatë luftës janë përballur edhe me dhunë seksuale, ku numri i viktimave llogaritet të jetë rreth 20 mijë vetë. Në mesin e tyre ka gra, burra dhe të mitura.

Në kohën kur është paralajmëruar nga Qeveria Kurti një padi për gjenocid ndaj Serbisë, Telegrafi ka përmbledhur disa nga masakrat më të mëdha në Kosovë, të kryer nga regjimi serb në vitet 98/99.

Statistikat e dhëna janë verifikuar mbi bazën e të dhënave që kanë ofruar krerët e shtetit përgjatë viteve gjatë përkujtimeve të masakrave, mbi të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe nga Libri 1 dhe 2 të profesor Jusuf Osmani “Krimet e Serbisë në Kosovës” të botuar nga Agjencia shtetërore e Arkivave të Kosovës.

Telegrafi më poshtë do të sjellë në përmbledhje të informatave për disa nga masakrat më të mëdha që janë kryer në territorin e Kosovës nga institucionet shtetit të Serbisë të udhëhequr nga krimineli i luftës në Ballkan, Sllobodan Millosheviq.

Masakra e Poklekut:

Në Poklek të Drenasit janë vrarë 54 civilë, në mesin e të cilëve të paktën kanë qenë 24 fëmijë.

Gjurmë të gjakut të 54 civilëve të vrarë në Masakrën e Poklekut ende janë të freskëta në bodrumin e shtëpisë në të cilën së pari u vranë, pastaj u dogjën dy herë radhazi.

Në mesin e të vrarëve ishte edhe Lirie Muqolli gjashtë muajsh, jeta e së cilës u shua në fillim të saj nga forcat policore e ushtarake të regjimit serb.

Masakra në Qirez të Skenderajt

Ky fshat në vitet 1998/99 përjetoi tmerret e luftës policore e ushtarake mbi popullatën e pafajshme shqiptare. Më 28 shkurt u bë masakra në këtë fshat dhe në fshatin Likoshan ku u vranë 24 banorë të këtyre dy fshatrave dhe të tjera.

Nga ky fshat gjatë luftës u vranë 45 banorë civilë dhe 6 luftëtarë ranë dëshmor. Në Qirez, në prill të vitit 1999 serbët kanë rrëmbyer 8gra dhe vajza të fshatit Kozhicë për t’i përdhunuar dhe më pas i kanë hedhur të gjalla në piste. Këto puse të tmerrit dëshmojnë krimet në Kosovë, si një varr me 3 person nga fshati Shtuticë, si dhe 4 varre, dy në Qirez, 1 në Gllobar dhe 1 në Trestenik.

Masakra e Prekazit në Skenderaj

Prekazi në krye me Adem Jasharin ishte qendër e rezistencës së popullit shqiptarë kundër regjimit serb, ndaj përherë ishte në shënjestër.

Më 5-7 mars 1998 u sulmua ky fshat, përkatësisht familja Jashari. Në mbrojtje të vendit dhe të pragut të shtëpisë u vranë 59 banorë, prej tyre 55 ishin të lagjes së Jasharajve.

Në mesin e të vrarëve shumica ishin gra, fëmijë, pleq. Nga 55 persona të vrarë të lagjes së Jasharajve, 32 ishin meshkuj dhe 23 femra.

Masakra e Izbicës

Masakra e Izbicës ka ndodhur më 28 mars 1999, ku u ekzekutuan 114 banorë të këtij vendbanimi dhe të fshatrave tjerë. Këtu është zbuluar një varrezë masive, ku janë gjetur trupat e 146 viktimave. Ata janë zhvendosur më 28 maj 1999 nga policia serbe për t’i humbur gjurmët e krimit dhe janë dërguar jashtë Kosovës ose janë djegur.

Masakra e Burgut të Dubravës

Masakra në Burgun e Dubravës ka ndodhur nga 19 deri më 22 maj 199.

Në Dubravë të Istogut ka ekzistuar burgu famëkeq i Dubravës, ku forcat policore serbe, gardianë e paramilitarë serb prej 19-22 maj 1999 kanë vrarë e masakruar në këtë burg 97 të burgosur shqiptarë, nga viset e ndryshme të Kosovës.

Masakra e Krushës së Madhe

Masakra në Krushë të Madhe ka ndodhur më 26 dhe 27 mars 1999. Në një aksion dyditor, regjimi serb duke ndarë burra e djem nga gratë e nënat e tyre dhe duke ekzekutuar 243 persona.

Kjo ngjarje është dëshmi autentike e veprimit të regjimit gjenocidal të Serbisë, ndërsa vazhdon të jetë plagë e hapur për një pjesë të familjarëve të këtij fshat.

Prej 243 të vrarëve, 206 kanë qenë banorë të Krushës së Madhe, ndërsa pjesa tjetër banorë të zhvendosur në këtë fshat gjatë ofensivave.

Më tepër se 7 familjeve u janë vrarë e masakruar të gjithë meshkujt.

Masakra e Mejës

Më 27 prill 1999 në fshatin Mejë të Gjakovës nga forcat policore serbe u ndaluan kolona prej 500 civilësh shqiptarë, të cilët kishin ardhur nga fshatrat e Rekës së Keqe të Gjakovës dhe disa fshatra të komunës së Deçanit. Shumë prej tyre u vranë dhe u masakruan, u rrëmbyen dhe u dërguan në vende të panjohura.

Numri i saktë i viktimave ende mbetet i panjohur, por të paktën janë 376 të civilë të vrarë të të gjitha moshave. Po në këtë ditë në fshatin Guskë u vranë 25 shqiptarë, në fshatin Dobrosh 38 dhe në Korenicë 65 shqiptarë.

Masakra e Qyshkut

Më 14 maj 1999 në fshatin Qyshk të Pejës gjatë një sulmi të fuqishëm nga forcat serbe u vranë dhe u masakruan barbarisht 42 meshkuj.

Në mëngjesin e të njëjtës ditë, forcat serbe kishin sulmuar edhe fshatrat fqinjë, Pavlan dhe Zahaq. Pasi i kishin dëbuar fëmijët, gratë dhe pleqtë, kishin vrarë e masakruar 35 shqiptarë.

Masakra e Reçakut

Më 15 janar 1999 kriminelët dhe paramilitarët serbë bënë një masakër makabre në popullatën civile, ku u vranë dhe masakruan 45 shqiptarë.

Masakra u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe. Serbia refuzon të ketë kryer masakër.

Një ditë pas kryerjes së masakrës, William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, vizitoi vendin e ngjarjes u tmerrua nga kufomat e masakruara. Ai deklaroi “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time.” Lajmi i masakrës sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s në Serbi.

Masakra e Suharekës

Më 26 mars të vitit 1999 u bë masakra në familjen Berisha dhe të tjerë, ku u vranë dhe u masakruan 48 banorë civilë nga forcat serbe.

Masakra në Abri të Epërme të Drenasit

Masakra në Abri të Epërme ka ndodhur më 26 shtator të vitit 1998.

Në këtë datë u vranë dhe u masakruan 22 anëtarë të familjes Deliu, nga fëmija gjashtë muajsh  deri te plaka 84 vjeçare.

Masakra e Kotlinës

Në fshatin Kotlinë të Kaçanikut më 24 mars 1999 forcat serbe ekzekutuan dhe masakruan 26 persona, të cilët i hodhi në dy puse dhe ua vuri eksplozivin.

Masakra e Bellacerkës së Rahovecit

Më 25 mars 1999 në këtë fshat forcat serbe kanë vrarë, ekzekutuar, djegur e masakruar në shtëpitë e tyre 46 banorë shqiptarë- gra, fëmijë të moshës 3-9 vjeçare, të rinj (15 vetë më të rinj se 18 vjeç), meshkuj.

Në disa familje të ngushta janë deri 6 anëtarë të vrarë. Ku fshat ishte sulmuar edhe më parë, ku më 18 korrik të 1998 ishin vrarë 12 banorë të fshatit.

Masakra në Rezallë të Skenderajt

Më 5 prill 1999, forcat serbe hyjnë në fshat. Pas keqtrajtimeve fizike e psikike i ndajnë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i qitur për ekzekutim 41 civilë të moshës 13-90 vjeç.  Ekzekutimit i kishin shpëtuar vetëm 3 persona.

 Masakra në Studime të Vushtrrisë

Më 2 maj 1999 policia, ushtria e paramilitarët serbë bënë masakër të paparë. U vranë dhe u masakruan 116 persona, fëmijë, gra, pleq e burra.

Masakra në qytetin e Vushtrrisë

Më 22 maj në qytetin në qytetin e Vushtrrisë nga forcat policore e ushtarake të Serbisë u kidnapuan, u zhdukën dhe u masakruan 68 persona. Të vrarë dhe të masakruarit i kishin bartur në Serbi.

Masakra në familjen Gërxhaliu në Studime të Vushtrrisë

Më 31 maj 1999 paramilitarët serbë kanë vrarë dhe masakruar 12 anëtarë të familjes së Selatin Gërxhaliut, shumica e të cilëve ishin fëmijë të moshës njëvjeçare e më sipër.

Masakra e Sllovisë së Lipjanit

Më 15 dhe 16 prill 1999 në fshatin Sllovi dhe në vendin Lugu i Demës, u vranë dhe u masakruan 41 banorë civilë.

Masakra në Ribar të Vogël të Lipjanit

Më 18 prill 1999 në këtë fshat u vranë dhe u masakruan 25 banorë civilë, prej të cilëve 19 ishin nga ky fshat, ndërsa 6 të tjerë nga fshati Vërshec, që ishin strehuar aty.

Vrasjet në Koliq

Në territorin e këtij fshati më 18-19 prill 1999 u vranë më shumë se 74 persona nga fshatrat e ndryshme.

Masakra në Makoc të Prishtinës

Në këtë fshat më 20 prill 1999 është bërë masakër në popullatën shqiptare nga forcat serbe ku janë vrarë 42 persona.

Masakra në Grashticë të Prishtinës

Më 21 prill 1999 nga kolona e gjatë e të zhvendosurve nga fshatrat e Gallapit, që po shkonin nga Mareci për në Prishtinë atë ditë janë masakruar e pushkatuar 60 civilë meshkuj, i vranë pas koke dhe i hodhën në lumë.

Masakra në Nakaradë të Fushë Kosovës

Më 21 prill 1999 është bërë masakër në familje Mirena, ku janë vrarë 16 anëtarë të kësaj familje.

Masakra e Lybeniqit

Në Lybeniq të Pejë janë vrarë rreth 60 banorë. Në këtë vendbanim më 1 prill 1999 janë vrarë 50 banorë si dhe kanë rënë 10 dëshmorë, ndërsa të pagjetur janë raportuar 12 banorë.

Masakra në Nabërxhan të Pejës

Më 1 deri më 7 maj 1999 janë vrarë e masakruar mbi 20 banorë civilë shqiptarë, ndërsa dëshmor ka rënë 1, si dhe i pagjetur është raportuar 1.

Ndryshe, shumë shqiptarë të vrarë në Kosovë, trupat e pajetë të tyre kanë zhvendosur jashtë Kosovës, me qëllim të zhdukjes së shenjave të krimit të kryer. Kjo është vërtetuar në hapjen e varrezave të shumta në Serbi.

Përveç kësaj, dyshohet se shumë kufoma të shqiptarëve janë djegur në furra të shkritoreve, siç flitet edhe në atë të Zveçanit.

Më 6 prill 1999 në lumin Danub, afër Klladovës ishte zbuluar një autofrigorifer me 86 kufoma grash, fëmijësh e pleq shqiptarë të Kosovës, të vrarë e të masakruar nga forcat ushtarake e policore serbe pas 24 marsit 1999. (Jusuf Osmani, Krimet e Serbisë në Kosovë 1, Agjencia shtetërore e Arkivave të Kosovës, fq 57)

(Nëse ju si lexues, keni informata shtesë, plotësim apo propozim për të përmendur ndonjë të dhënë për masakrat e përmendura në këtë përmbledhje të Telegrafit ju mund të na shkruani në info@telegrafi.com).

Shifrat e të pagjeturve mund të kenë ndryshuar përgjatë viteve, pasi të dhënat janë të vitit 2010, nga libri i prof. Jusuf Osmani, Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999 I dhe II, Agjencia shtetërore e Arkivave të Kosovës, Prishtinë, 2010. /Telegrafi/

Fotografitë më poshtë pasqyrojnë krimet serbe në territorin e Kosovës:

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Propozimi i PDK-së për datën e zgjedhjeve, ristrukturimi në këtë parti dhe deklarata e Hamzës për Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn

Propozimi i PDK-së për datën e zgjedhjeve, ristrukturimi në këtë parti dhe deklarata e Hamzës për Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn

Lajme
Kalo në kategori