Duket se Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe sulmuesi Arbër Zeneli kanë zgjidhur të gjitha problemet, me kryetarin Agim Ademi që ka publikuar foto me futbollistin.

Zeneli për mediat sllovene së fundmi kishte deklaruar se me FFK-në kanë disa probleme të papërfunduara.


E tërë situata duket se tani është rregulluar, me Ademin që ka njoftuar të gjithë se është takuar me Zenelin dhe që shpreson se ky i fundit së shpejti të jetë pjesë e kombëtares.

“Sot pata kënaqësinë të takoj një futbollist të jashtëzakonshëm dhe një djalë fantastik, anëtarin e ekipit tonë kombëtar, Arbër Zenelin.

Me Arbërin folëm për karrierën e tij, rikuperimin pas lëndimit, kthimin në nivelin elitar, por edhe evokuam kujtime nga ndeshjet dhe paraqitjet e tij të paharrueshme me ekipin kombëtar, me shpresën se së shpejti do të jetë sërish pjesë e kombëtares sonë.

Arbëri mbetet një aset i çmuar për Kosovën”, shkroi ai ndër të tjera.



Ndërkohë, Kosova do t’i zhvillojë dy përballje të rëndësishme në muajin tetor – si nikoqir i Sllovenisë fillimisht e pastaj tre ditë më vonë i shkon Suedisë./Telegrafi/

telegrafi sport app