LAJMI I FUNDIT:

Mbështetja psikologjike për pacientët me kancer të gjirit

Mbështetja psikologjike për pacientët me kancer të gjirit
Besnik Kadriu, Psikolog Klinik / Psikoterapeut

Kanceri i gjirit është një sëmundje që ndikon në trupin, mendjen dhe shpirtin e personave të prekur. Mbështetja psikologjike është një komponent i rëndësishëm i trajtimit të kancerit të gjirit dhe mund të ndihmojë pacientët të përballen më mirë me sfidat emocionale që shfaqen gjatë kësaj periudhe të vështirë

M.Sc. Besnik Kadriu
Psikolog Klinik / Psikoterapeut
044/434-324


Në këtë artikull, do të përshkruhet rëndësia e mbështetjes psikologjike dhe se si mund të ndihmojë në fuqizimin emocional të pacientëve me kancer të gjirit.

Hulumtimet tregojnë se 30-50% e pacientëve onkologjikë kanë nevojë për mbështetje psikologjike dhe kjo duhet t’u ofrohet atyre.

Në punën tonë me pacientët me diagnozë të kancerit të gjirit kemi evidentuar përjetimet dhe pasojat psikologjike të cilat i shkakton kjo sëmundje.

Shumë herë përgjigja e parë e pacientëve është frika nga vdekja, veçanërisht nga vuajtja dhe një vdekje e dhimbshme, ndjenja e pafuqisë, humbja e kontrollit, frika për familjen dhe mungesa e mbështetjes sociale. Të gjitha këto vështirësi bëhen më të theksuara në rastet të cilat kanë të bëjnë me rikthimit të sëmundjes.

Çështjet më të rëndësishme të cilat tërheqin vëmendje për trajtim janë:

Përjetime në nivele të larta të ankthit dhe depresionit pas diagnozës së kancerit të gjirit. Këto emocione janë të kuptueshme dhe të natyrshme në një situatë të tillë.
Çrregullimi i stresit post-traumatik, çrregullime seksuale, kognitive mund të ndodhin si një reagim ndaj diagnozës së sëmundjes dhe gjatë fazave të mëvonshme të sëmundjes.
Stresi i trajtimit dhe përballjes me sfida të mëdha në lidhje me trajtimin, duke përfshirë efektet anësore të terapive të ndryshme dhe intervenimet kirurgjikale.
Pacientet pohojnë për mbështetje të ofruar nga familja dhe miqtë, por ndodh shpesh kur e kanë të vështirë të komunikojë me ta rreth emocioneve të cilat i përjetojnë.
Shqetësimet që ndërlidhen me identitetin dhe imazhin i trupit në rastet kur pacientët kanë përjetuar ndryshime fizike dhe emocionale në lidhje me trupin.
Problemet me gjumin.
Reagimet e para ndaj diagnozës janë tronditja dhe mosbesimi. Reagimet e kësaj natyre provokojnë aktivizimin e mekanizmave mbrojtës imatur të cilët mund të ndikojnë negativisht në trajtimin e sëmundjes.

Mbështetja psikologjike kryesisht fokusohet në:

Menaxhimi i ankthit, depresionit dhe problemeve me përshtatjen: Pacientët me kancer të gjirit shpesh përjetojnë nivele të larta të ankthit dhe depresionit pas diagnozës së tyre. Mbështetja psikologjike jep hapësirë për pacientët të flasin hapur për emocionet dhe frikën që përjetojnë, dhe ofron mjete për t’i menaxhuar ato në mënyrë efikase.

Ndryshimet në identitet dhe imazhin e trupit: Kanceri dhe format e trajtimit për pacientët mund të shkaktojë ndryshime të ndjeshme fizike që kanë ndikim në identitetin dhe imazhin e trupit të personit. Psikologu mund të ndihmoj pacientët të përballen me këto ndryshime dhe të përqendrohen në aftësitë e tyre dhe vlerat personale.

Kontributi që mund të jap psikologu në fuqizimin e rolit të familjes dhe mbështetjes shoqërore tek pacientët. Përveç kësaj mbështetja psikologjike gjithashtu është e rëndësishme për të familjarët dhe miqtë e pacientit. Ata ndihen të ndryshuar emocionalisht dhe mbështetja nga një profesionist mund t’i ndihmojë ata të menaxhojnë më mirë këtë situatë dhe të ofrojnë mbështetje efikase për pacientin.

Si funksionon mbështetja psikologjike

Mbështetja psikologjike për pacientët me kancer të gjirit mund të realizohet në disa forma të ndryshme:

Psikoterapi individuale: Psikologu punon me pacientin një për një për të adresuar çështjet kognitive, emocionale, të sjelljes, konative dhe të ofrojë strategji për menaxhimin e tyre.

Grupet e mbështetjes: Grupet e mbështetjes janë vendet ku pacientët mund të ndajnë përvojat e tyre me njëri tjetrin të cilët përjetojnë të njëjtat situata. Kjo ndihmon në ndjenjën e përfshirjes dhe ndihmon në ndërtimin e një ndjenje solidariteti dhe univerzaliteti.

Terapia e familjes: Në raste të caktuara, terapia e familjes mund të jetë e nevojshme për të ndihmuar në komunikimin dhe menaxhimin e emocioneve në familjen e pacientit si dhe dinamikave brenda saj.

Programet e relaksimit: Teknikat e relaksimit dhe meditimi janë mjetet që pacientët mund t’i përdorin për të ulur stresin dhe tensionin emocional.

Mbështetja psikologjike është një pjesë e rëndësishme e trajtimit të kancerit të gjirit. Në këtë rrugë të vështirë, emocionet dhe stresi janë të zakonshëm, por me ndihmën e profesionistëve të kualifikuar, pacientët mund të mësojnë se si të përballen më mirë me këto sfida psikologjike dhe të shohin shpresën dhe fuqinë e tyre emocionale.

Mbështetja psikologjike është një burim i fuqisë dhe qëndrueshmërisë për pacientët me kancer të gjirit. Prandaj, brenda udhëzimeve për trajtimin e sëmundjes, është e nevojshme të zhvillohet një qasje psikologjike dhe përfshirja e psikologut në protokollet e trajtimit për pacientët me kancer gjiri.

Përfshirja e ekipeve multidiciplinare ka dëshmuar se është më produktive në trajtimin dhe mirëqenien e pacientëve, ku krahas shëndetit fizik t’i kushtohet rëndësi edhe shëndetit mendor. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori