LAJMI I FUNDIT:

Mbahet takimi inaugurues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë

Mbahet takimi inaugurues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se ministria që drejton ka hartuar strategji të rëndësishme si ajo për Energji, dhe Plani i Veprimit për Efiçiencë të Energjisë.

Këto komente i pari i MZHE-së i bëri në takimin inaugurues të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ku morën pjesë Nataliya Apostolova, Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, dhe Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën si dhe përfaqësues të tjerë.

Ministri Lluka tha se me aprovimin në Kuvend të Ligjit të ri për Efiçiencë të Energjisë është sjellë një numër i konsiderueshëm i risive krahasuar me legjislacionin që ka qenë në fuqi deri më tani.

“Disa nga risitë kryesore të Ligjit për Efiçiencë të Energjisë janë: Përcakton strukturën dhe përmbajtjen e Planit Kombëtar të Veprimit për Efiçiencën e Energjisë dhe Planeve Komunale të Veprimit për Efiçiencën e Energjisë si dokumente kryesore strategjike.  Përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë, duke përfshirë detyrat shtesë që rrjedhin nga transpozimi i Direktivave të BE-së, në veçanti në monitorimin dhe përmbushjen e objektivave tjera nacionale te këtij sektori;  Themelon Fondin e Kosovës për Efiçiencën e Energjisë, i cili do te shërbejë si një mekanizëm i qëndrueshëm, dhe do të ndihmojë në arritjen e caqeve të Republikës së Kosovës në fushën e Efiçiencës së Energjisë”, u shpreh miinistri i zhvillimit ekonomik.

Gjithashtu, sipas një njoftimi, Lluka tha se ky fond që në fillim të operimit do të përfitojë 10 milionë euro grant nga Komisioni Evropian dhe 5 milionë euro nga Banka Botërore dhe 1 milion euro nga Qeveria e Kosovës. Përfituesit e këtyre projekteve do të jenë kryesisht ndërtesat publike dhe më vonë edhe ato private. Po ashtu plani për Energji dhe Klimë 2021-2030 është një nga elementet e rëndësishme për Kosovën sa i përket efiçiencës së energjisë.

Nataliya Apostolova, Përfaqësuese e Posaçme e BE-së tha se ky është hap konkret në përmbushjen e agjendës evropiane të reformave dhe se energjia e Kosovës është prioritet i BE-së.

“Ky është një hap konkret në përmbushjen e Agjendës Evropiane të Reformave. Kjo nuk do të ndodhte pa një punë të madhe dhe një koordinim të mirë në mes të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Bankës Botërore dhe BE-së. Sektori i energjisë dhe reformat mbeten prioritet për BE-në. Efienca e energjisë është në thelb të këtyre reformave”, tha ajo.

Ndër të tjera, Udhëheqësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se Kosova akoma po përballet me sfida në furnizimin me energji elektrike, andaj Efiçienca e Energjisë është alternativa e vetme e cila rrit stabilitetin dhe njëkohësisht krijon edhe vende pune e poashtu ndikon në përmirësimin e ambientit.

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, ka theksuar se Fondi i Kosovës për Eficiencë të Energjisë është fondi i parë i tillë në Ballkanin Perëndimor dhe se kjo e bën Kosovën lidere në rajon në këtë fushë.

“Ne presim përfitime për financat publike në aspektin afatgjatë, fatura më të ulëta të energjisë elektrike, përfitime në mirëqenien e shfrytëzuesve të këtyre ndërtesave, të cilat në shumë raste janë shkolla dhe spitale, kështu që përfitues do të jenë fëmijët dhe njerëzit e sëmurë që shfrytëzojnë këto ndërtesa. Do të ketë edhe një përfitim për Kosovën si tërësi. Kosova po bën përpjekje për të adresuar hendekun e vet në energji dhe zvogëlimi i kërkesës për energji është një element i rëndësishëm i asaj agjende”, deklaroi Mantovanelli.

Gjithashtu, Marco Mantovanelli, tha se ndjehet i gëzuar që Banka Botërore është pjesë e këtij fondi dhe se do do të kontribuojë edhe me asistencë teknike, e me përvojë nga fondet e tilla në pjesë të ndryshme të botës.

Ministri Lluka falënderoi Komisionin Evropian për mbështetjen financiare dhe asistencën teknike në këtë proces, Bankën Botërore si një partner i vazhdueshëm në këtë sektor, si dhe të gjithë donatorët dhe institucionet financiare të tjera që në vazhdimësi po e mbështesin fushën e efiçiencës së energjisë. /Telegrafi/