LAJMI I FUNDIT:

Mbahet konferenca e prokurorëve të Shtetit

Mbahet konferenca e prokurorëve të Shtetit

Është mbajtur sot “Konferenca vjetore e prokurorëve” për vitin 2018, e cila është organizuar nën patronatin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit si dhe e mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka përshëndetur të gjithë të pranishmit në  pjesëmarrje të Konferencës si dhe ka falënderuar kryeprokurorët, prokurorët e shtetit, bashkëpunëtorët profesional dhe punonjësit e tjerë të sistemit prokurorial për rezultatet e arritura në vitin që e lëmë pas.

Po ashtu, Lumezi ka thënë se do të ishte gabim të thuhej se i kemi realizuar  të gjitha ato që i kemi planifikuar, por do të ishte posaçërisht e padrejtë të mos pranohet se, sot  sistemi prokurorial është disa hapa para asaj që kemi qenë vite më parë, kur as nuk është imagjinuar e jo më të ndodhte hetimi dhe ngritja e akuzave kundër zyrtarëve të lartë shtetëror. “Prokuroria e Shtetit gjatë vitit që lëmë pas, ka treguar efikasitet të lartë duke zgjidhur gjithsej 75.750 dosje penale të natyrave të ndryshme. Falë akuzave të Prokurorit të Shtetit me aktgjykime dënuese janë zgjidhur 91% të rasteve dhe kjo më së miri tregon  për cilësinë e akteve akuzuese të cilat dorëzohen në Gjykatë”, u shpreh Lumezi.

Kryeprokurori Lumezi ka potencuar se gjatë vitit 2018, kemi treguar performancë të mirë edhe në trajtimin e lëndëve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike. “Kemi zgjidhur 106% të rasteve të pranuara në punë, kemi akuzuar 585 persona për korrupsion dhe  krime financiare, si dhe kemi ngritur 11 aktakuza të profilit të lartë, për të cilat opinioni por edhe ne jemi duke pritur që të shqyrohen sa më parë që është e mundur dhe të shqiptohen vendimet meritore nga ana e gjykatave”, ka theksuar Lumezi, si dhe, ka thënë se fakti se janë hetuar dhe janë siguruar prova për ngritjen e akteve akuzuese kundër deputetëve, ministrave, ish-ministrave, zëvendës-ministrave, kryetarëve të komunave, drejtorëve të ndërmarrjeve publike, komisionit qeveritar për njohjen e statusit të veteranëve të luftës, zyrtarëve policor dhe zyrtarëve tjerë shtetëror, tregon vendosmërinë e Prokurorisë së Shtetit në luftën e korrupsionit të nivelit të lartë dhe në hetimin e të gjitha indicjeve që bëhen shqetësuese për publikun.

Gjithashtu, Lumezi ka bërë thirrje që rastet e konfiskimit të trajtohen me seriozitet, pasi që çelësi i suksesit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë qëndron në konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme dhe në marrjen e fuqisë ekonomike të grupeve kriminale.

Sa i përket krimeve të luftës, ne kemi hartuar strategjinë për hetimin e krimeve të luftës e cila parasheh që të eliminoj dobësitë e evidentuara në këtë fushë.

Lumezi ka thëne se edhe delegacioni  faktmbledhës i Komisionit Evropian, gjatë qëndrimit në Kosovë, ka mbledhur të dhëna rreth përmbushjes së kritereve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kusht i fundit në procesin e gjatë të liberalizimit të vizave për Kosdovën. “Në raportin e tyre janë dhënë fakte dhe argumente se Kosova i ka plotësuar kriteret në fushën e sundimit të ligjit, e në këtë drejtim rol thelbësor ka luajtur Prokuroria e Shtetit.

Ndërkaq, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka thënë se sistemi prokurorial në Kosovë, vviteve të fundit ka bërë një varg reformash, rezultatet pozitive të të cilave janë të dukshme. “Është përmbushur legjislacioni sekondar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, bazuar në Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi. Është kompletuar numri i prokurorëve sipas vlerësimeve për nevojat aktuale, është rritur numri i stafit mbështetës në prokurori, është rritur buxheti, janë hartuar dhe zbatuar strategji, plane pune dhe dokumente të tjera të politikave për funskionimin e sistemit prokurorial”, ka thënë Kryesuesi Hyseni.

Kryesuesi Hyseni, po ashtu ka thënë se Këshilli Prokurorial, do të aktivizojë dhe përdorë të gjithë mekanizmat e brendshëm për të rritur llogaridhënien dhe integritetin në sistemin prokurorial. “Tashmë kemi një Ligj të ri për përgjegjësinë disiplinore, i cili kërkon ndërmarrjen e masave të reja dhe do të jemi të pakompromis në funskion të zbatimit të këtij Ligji.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, do të angazhohet maksimalisht për ofrimin e sigurisë më të madhe në mbrojtjen e prokurorëve dhe stafit mbështetës, prandaj në këtë drejtim do të jemi në përballje me të gjithë ata që ndërmarrin sulme me qëllim të denigrimit dhe cenimit të integritetit dhe pavarësisë së sistemit prokurorial.

Ndërsa, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka thënë se vazhdojnë të përballen me sfida e vështirësi. Ai ka adresuar kritika për dënimet vetëm me kusht në rastet kur vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer vepra korruptive. “Përballemi me sfida dhe probleme. Lëndët e grumbulluara, qytetarët që presin me vite për një lëndë. Nuk mjafton të reagojmë vetëm gojarisht nëse vërtetohet se nje vepër e korrupsionit është kryer dhe jepen dënime me kusht. S’mund të lejojmë më tutje trajtim te pabarabartë të qytetarëve. Do te përpiqem që te kujdesem për zbatimin unik te ligjeve. Është koha e fundit që të sigrojmë për qytetarët drejtësi të mirëfilltë”, ka thënë Peci.

Konferencën e kanë përshëndetur edhe zëvendës-shefi i Apostolovas nga Zyra e BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, si dhe, shefi i zyrës ligjore nga OSCE, Benjamin Reed.

Po sot, janë mbajtur zgjedhjet për Kryetar dhe nënkryetarit të Shoqatës së prokurorëve të Kosovës.

Nga gjithsej 154 votues që kanë qenë pjesëmarrës, me 80 vota për kryetar i shoqatës së prokurorëve, është zgjedhur prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Ndërsa, nënkryetare e kësaj shoqate u zgjodh prokurorja e Zyrës së Kryeprokruorit të Shtetit, Laura Pula, me 80 vota për.