LAJMI I FUNDIT:

Mazreku: Heqja e licencës për kompaninë INSIG, nuk e rrezikon industrinë, e as të siguruarit

Mazreku: Heqja e licencës për kompaninë INSIG, nuk e rrezikon industrinë, e as të siguruarit

Javën e kaluar Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i ka hequr licencën kompanisë së sigurimeve INSIG. Por sipas drejtuesve të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, mbyllja e kësaj kompanie nuk e rrezikon industrinë e sigurimeve në përgjithësi e as të siguruarit në të.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku ka thënë për Telegrafin se në dy vitet e fundit, industria e sigurimeve në Kosovë, ka shënuar zhvilluar në masë të madhe, duke rritur dukshëm sigurimet vullnetare në raport me vitet paraprake.


Bordi i BQK-së i merr licencën kompanisë së sigurimeve INSIG
Lexo po ashtu Bordi i BQK-së i merr licencën kompanisë së sigurimeve INSIG

Sipas tij, revokimi i licencës për kompaninë INSIG nuk e rrezikon sistemin.

“Revokimi i licencës së siguruesit INSIG SH.A. Dega në Kosovë nuk rrezikon qëndrueshmërinë e sektorit të sigurimeve në Kosovë. Sistemi financiar i Kosovës, që nga fillimi i funksionimit të tij, ka pasur një zhvillim të qëndrueshëm dhe ka shërbyer si burim i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik në vend. Referuar të dhënave zyrtare që ne disponojmë shihet se gjatë tre mujorit të parë të këtij viti, siguruesi në likuidim në fjalë ka mbuluar 6.9% të tregut të sigurimeve motorike si dhe 4.2% të tregut të sigurimeve vullnetare. Andaj, në bazë të të dhënave shihet se pjesëmarrja e kësaj kompanie në tregun e sigurimeve në tremujorin e parë ka qenë e ulët nuk ndikon aspak në qëndrueshmërinë e sektorit të sigurimeve i cili po kalon në një etapë të zhvillimit të shpejtë”, tha Mazreku.

Ai ka shpjeguar edhe se çfarë ndodhe me të siguruarit që kanë qenë në INSIG.

“Sipas ligjit në fuqi, Likuidatori është përfaqësuesi i vetëm i kompanisë së sigurimit në likuidim dhe i njëjta ka të gjitha autorizimet e bordit të drejtorëve, aksionerëve e menaxhmentit që kanë pasur sipas ligjit. Duke qenë se këto kompetenca për veprim janë gjithëpërfshirëse, sipas ligjit, Likuidatori nuk mund të lëshojë polica të reja apo të zgjas afatin e policave ekzistuese të sigurimit, që nënkupton se, policat valide do të mbeten në fuqi deri në skadimin e tyre”.

“Siguruesi në likuidim, do të përgjigjet për të gjitha kërkesat që derivojnë nga këto kontrata të sigurimit, duke i trajtuar të njëjtat në bazë të legjislacionit në fuqi dhe rregulloreve përkatëse të miratuara nga Banka Qendrore e Kosovës. Në secilin rast, sipas ligjit është përcaktuar se pas përfundimit të procedurës së likuidimit dhe falimentimit, bazuar në vendimin e plotfuqishëm të organit kompetent, kërkesat e pashqyrtuara dhe të patrajtuara nga komisioni likuidues, automatikisht barten tek Byroja Kosovare e Sigurimit, ku kjo e fundit i përgjigjet çdo policëmbajtësi, ashtu siç e përcakton ligji në fuqi”, tha drejtori Sami Mazreku, shkruan Telegrafi.

BQK tregon se a rrezikohet industria e sigurimeve pas marrjes së licencës kompanisë INSIG
Lexo po ashtu BQK tregon se a rrezikohet industria e sigurimeve pas marrjes së licencës kompanisë INSIG

Ndryshe, BQK më 26 pril,l i ka hequr licencën kompanisë së sigurimeve INSIG për shkak të mungesës së theksuar të kapitalit.

INSIG është krijuar më 1991 me kapital tërësisht shtetëror në Shqipëri , kurse në qershor të vitit 2016, INSIG është privatizuar 100% nga grupi Eurosig, derisa në Kosovë ka operuar si degë e kompanisë mëmë nga Shqipëria. /Telegrafi/