LAJMI I FUNDIT:

Matoshi kërkon përkrahje nga USAID-i për projektet mjedisore

Matoshi kërkon përkrahje nga USAID-i për projektet mjedisore

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka pritur në takim njoftues drejtoren e misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, me të cilën biseduan për rritjen e bashkëpunimit në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.

Ministri Matoshi ka prezantuar sfidat me të cilat po ballafaqohemi si shtet në fushën e mjedisit, duke u nisur nga mungesa e trajtimit te ujërave të zeza, ndotjen e ajrit, mungesën e rezervave ujore, etj.


Ai ka folur po ashtu për veprimet që ministria që ai drejton është duke i ndërmarrë në përmirësimin e gjendjes se mjedisit në vend.

“Si ministri jemi duke u angazhuar së bashku me donatorët për ndërtimin e rezervave ujore, ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, ka hyrë në fuqi udhëzimi për gjoba mandatorë për atë që hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara, po ashtu jemi duke vazhduar me fushatën për pastrimin e Kosovës, ku deri me tani janë larguar mbi 500 deponi ilegale të mbeturinave, etj.”, deklaroi Matoshi.

Nga ana tjetër drejtorja e USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, i ka ofruar përkrahjen e USAID-it në projekte mjedisore.

“USAID është duke punuar në zhvillimin e strategjisë së ardhshme për Kosovën dhe kjo agjenci është e hapur për të biseduar në lidhje me sfidat që Ministria për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor ballafaqohet”, theksoi Magno.

Në fund ministri Matoshi ka kërkuar nga USAID përkrahje për anëtarësimin e Ministrisë se Mjedisit në fondet globale në mënyrë që Kosova të mund të merr përkrahje financiare për projekte mjedisorë nga këto fonde. /Telegrafi/