Psikologia klinike shpjegon pse konfliktet në çift ndikojnë drejtpërdrejt në marrëdhënien e nënës me fëmijët dhe si mund të ndryshohet kjo dinamikë

Kur çiftet përballen me konflikte në martesë, roli i nënës shpesh ndikohet më shumë se ai i babait, sidomos në marrëdhënie ku gruaja është më e lidhur emocionalisht dhe burri më i tërhequr. Durimi i nënës dhe aftësia e saj për të shprehur dashuri ndaj fëmijëve mund të ulet ndjeshëm për shkak të tensioneve bashkëshortore, shpesh më shumë sesa te babai.


Gratë janë nën më shumë presion

Gratë, në përgjithësi, vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore të kujdesit për fëmijët. Edhe pse burrat po përfshihen gjithnjë e më shumë, në shumë raste janë gratë ato që përballen me net pa gjumë dhe kujdes të vazhdueshëm për nevojat e fëmijëve. Përveç kësaj, ato kanë më shpesh ankth dhe depresion.

Një pjesë e madhe e identitetit të tyre lidhet me të qenit nëna të mira, pasi shoqëria ende vendos pritshmëri më të larta për gratë në rolin e prindit. Kur kësaj i shtohet një martesë problematike, situata shpesh përkeqësohet.

Kur gruaja ndihet e vetmuar në martesë

Një nënë që nuk ndjen mbështetje e ka të vështirë të lidhet emocionalisht me fëmijën. Kjo ndodh shpesh kur ajo përjeton stres, lodhje, izolim ose gjendje depresive. Nëse gruaja ndihet e lënë pas dore në marrëdhënie, ekziston rreziku që kjo ndjesi të reflektohet edhe në raportin me fëmijët.

Kur nuk ndihet e dashur dhe e mbështetur, ajo e ka më të vështirë të japë dashuri dhe përkujdesje, sidomos nëse tashmë përballet me presionin e madh të prindërimit dhe është e prirur ndaj ankthit.

Nga ana tjetër, burrat shpesh janë më të aftë të ndajnë problemet emocionale nga përditshmëria. Ata mund të kenë një ditë produktive edhe pas një konflikti, ndërsa gratë e kanë më të vështirë të shkëputen emocionalisht, transmeton Telegrafi.

Burri duhet ta dojë gruan po aq sa ajo i do fëmijët

Sipas psikologes, konfliktet në martesë ndikojnë më fort në nënat sesa në baballarët. Ajo thekson se për një familje të shëndetshme, burri duhet ta dojë dhe ta mbështesë gruan në të njëjtën masë si ajo kujdeset për fëmijët.

Gratë që rrisin fëmijë të vegjël shpesh kanë nevojë për më shumë mbështetje emocionale, pasi janë më të ndjeshme dhe më të ekspozuara ndaj stresit. Vetëbesimi i tyre mund të jetë më i ulët, jo vetëm për shkak të ankthit, por edhe sepse identiteti i tyre lidhet fort me rolin e nënës.

Si ndikon sjellja e burrit

Psikologia këshillon që burrat që shqetësohen për sjelljen e bashkëshortes ndaj fëmijëve, duhet së pari të reflektojnë mbi veten. Nëse gruaja nuk ndihet e dashur, ajo vështirë se mund të japë dashuri lirshëm.

Në këto raste, ajo mund të ndihet e vetmuar dhe e pasigurt, gjë që e bën më të tensionuar dhe më pak të durueshme. Përvoja nga terapia e çifteve tregon se kur burri bëhet më i kujdesshëm dhe më mbështetës, gruaja shpesh shndërrohet në një nënë më të qetë dhe më të ngrohtë.

Ndryshimi është i mundur, por kush e nis?

Në marrëdhënie ku njëra palë kërkon afërsi ndërsa tjetra tërhiqet, tensioni rritet. Ftohtësia emocionale e burrit mund të rrisë ankthin e gruas, ndërsa reagimet e saj e bëjnë atë edhe më të tërhequr.

Psikologia thekson se ndryshimi fillon kur njëri partner, shpesh burri në këtë dinamikë, e kupton ndikimin e sjelljes së tij dhe fillon të punojë për të. Shpesh, zemërimi i gruas buron nga ndjenja e vetmisë, jo nga dëshira për konflikt.

Terapia, ndarja dhe fillimi i ri

Zgjidhja ideale është terapia në çift, e shoqëruar edhe me mbështetje individuale. Përmirësimi i marrëdhënies bashkëshortore shpesh ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e nënës dhe në mënyrën si ajo kujdeset për fëmijët.

Në disa raste, kur konfliktet janë të vazhdueshme dhe nuk zgjidhen, disa gra ndihen më të qeta pas ndarjes, sepse nuk përjetojnë më vetminë brenda martesës. Po ashtu, në marrëdhënie të reja më mbështetëse, ato shpesh bëhen më të durueshme dhe më të qeta si nëna.

Megjithatë, para se të merret vendimi për ndarje, ekspertët këshillojnë që të bëhen të gjitha përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënies, për të mirën e familjes dhe të fëmijëve. /Telegrafi/