LAJMI I FUNDIT:

Marrëveshja për targat në Bruksel, komentohet nga analistët

Marrëveshja për targat në Bruksel, komentohet nga analistët

Kosova dhe Serbia u morën vesh këtë të enjte për të ulur tensionet në veriun e Kosovës, që pasuan vendimin e qeverisë së Kosovës, për të vendosur masën e reciprocitetit për përdorimin e targave të makinave.

Sipas marrëveshjes, të shtunën me 2 tetor do të ndodhë largimi i barrikadave dhe i njësive të Policisë Speciale të Kosovës nga vendkalimet kufitare.


Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja do të sigurojnë vendkalimet kufitare për një periudhë dy javore.

Në “Debat Plus” analistët kanë dhënë opinionet e tyre në lidhje me përfitimet që kanë palët për këtë marrëveshje.

Imer Mushkolaj thotë se pozitive nga kjo marrëveshje është se qytetarët e Kosovës më nuk do të kenë nevojë të heqin targat por vetëm do të vendosin ngjitës mbi simbolet shtetërore.

“Megjithatë unë kam evidentuar dy probleme kryesore nga kjo marrëveshje. Një pikë problematike është tërheqja e sinkronizuar e njësisë Speciale të Policisë së Kosovës karshi tërheqjes së një grupi rebelësh që thjesht e kanë shkelur ligjin. Ky njëjtësim për mua është problematik pasi për tërheqjen e policisë nga territori yt merresh vesh me Serbinë në Bruksel. E dyta ka të bëjë me targat KM, GL, UL, që pavarësisht se janë me ngjitës ato regjistrohen nga Beogradi. Pra Kurti pranon që në Kosovë të qarkullohet me targa ilegale”, deklaroi Mushkolaj, përcjell Telegrafi.

Gazmir Raci thotë se marrëveshja është arritur edhe me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së.

“Është mirë që përfundimisht targat RKS po pranohen edhe nga Serbia. Në një pikë të marrëveshjes thuhet se reciprociteti do të zbatohet në kufi, e që për mua i bie që targat ilegale do të konfiskohen në kufi pa u futur në Kosovë”, deklaroi Raci.

Visar Ymeri thotë se marrëveshja në Bruksel nuk ka ndonjë dallim nga ajo që ishte arritur në vitin 2016 nga negociatorja Edita Tahiri. Por sipas tij ndryshimi është të Albin Kurti.

“Do të zbatohet marrëveshja e targave e vitit 2016. Është e njëjta marrëveshje që në atë kohë e kemi kritikuar. Nuk është problem se Kurti ka ndryshuar. Mua më pengon se Kurti “tradhtinë” e djeshme po e trajton sot si fitore”, deklaroi Ymeri.

Vehbi Kajtazi thotë se marrëveshja që kërkon mbulimin e simboleve të republikës në targa është e turpshme.

“Pajtohem plotësisht me deklaratën e VV-së të vitit 2016 që e cilësonte të turpshme marrëveshjen… Kurti e Bislimi ma mirë do të bënin që të propozonin kthimin e targave KS, se që kanë pru këtë marrëveshje”, tha Kajtazi.

Dardan Gashi thotë se për të pasur reciprocitet për targa me Serbinë edhe Kosova do të ishte dashur të lëshojë targa për Luginën e Preshevës në Gjilan.

“Kur të kemi targa për Preshevën, Medvegjën e Bujanocit që lëshohen në Kosovë, atëherë Kurti le të flet për reciprocitet të plotë”, deklaroi Gashi./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ndërtimi i tunelit në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, në fazën e prokurimit - Rama publikon pamjet

Ndërtimi i tunelit në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, në fazën e prokurimit - Rama publikon pamjet

Komunat
Anulohet orari i barnatoreve në Prishtinë - nuk do të ketë kufizime

Anulohet orari i barnatoreve në Prishtinë - nuk do të ketë kufizime

Komunat
Votoi pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, kërcënohet deputeti boshnjak

Votoi pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, kërcënohet deputeti boshnjak

Lajme
Shumica e vendeve të BE-së, pro heqjes së masave ndaj Kosovës

Shumica e vendeve të BE-së, pro heqjes së masave ndaj Kosovës

Lajme
Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Lajme
Dokumentari i televizionit Rai 3, reagon Rama: Sulmohet Meloni duke hedhur baltë mbi Shqipërinë

Dokumentari i televizionit Rai 3, reagon Rama: Sulmohet Meloni duke hedhur baltë mbi Shqipërinë

Lajme
Kalo në kategori