Nënshkruhet në Tiranë marrëveshja për shërbimin shëndetësor shqiptar, mes QSUT dhe Universitetin e Mjekësisë, që do të hyjnë në një partneritet strategjik me qendrën spitalore universitare të ekselencës europiane “San Raffaele” dhe universitetin përkatës “Vita- Salute San Raffaele”.

Kjo marrëveshje u shpreh Rama synon ta kthejë QSUT në pjesë integrale të eksperiencës e praktikës së tyre, duke u bërë ofrues të një niveli europian kujdesi dhe edukimi mjekësor.


Gjatë fjalës së tij, Edi Rama u shpreh se synimi është që QSUT-ja të kthehet në pikë referimi për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Besoj që ky është një moment historik për shëndetësinë tonë. Është një moment historik për Qendrën Spitalore universitare “Nënë Tereza”, por është një moment historik edhe për vetë Shqipërinë.

Sepse sot ne hapim një faqe krejt të re në një rrugë ,që siç e përshkroi ministrja ka qenë gjatë, ka qenë jo e lehtë dhe kishte një pikënisje që të thuash dëshpëruese është pak, në një situatë dhe sistem shëndetësor ku e vetmja vlerë e padyshimtë ishte vlera e profesionisteve të sistemit, e mjekëve, e infermiereve e që në kushte skandaloze luftonin për të mbrojtur jetë dhe për të shpëtuar jetë dhe në ndërkohë as nuk mendonin më dot se një ditë kushtet do të bëheshin ato që janë sot.

Por, përsëri ne jemi shumë më ambiciozë sesa kaq. Nuk jemi absolutisht të kënaqur me çfarë kemi arritur, duam të shkojmë më tutje dhe ambicia është ta bëjmë këtë qendër spitalore pikën e referimit për të gjithë Ballkanin dhe ta kthejmë në një qendër ekselencë mes qendrave të ekselencës në Europë.

Kjo është plotësisht e mundur dhe unë dua ta përsëris këtu diçka, që e thashë edhe kur bëmë takimin me përfaqësuesit e spitalit SHEBA në Izrael që nga grupi ekspertëve të San Donados që ka ardhur këtu, kanë vizituar çdo cep të qendrës spitalore, kanë folur me shefat e pavijoneve, kanë folur me mjekë.

Përshtypja për personelin është vërtetë e jashtëzakonshme. Dhe njësoj si edhe ata më parë, edhe nga miqtë tanë të San Donados, ne kemi dëgjuar fjalët më të mira për ju, për mjekët, infermierët, për personelin e qendrës dhe kjo është baza e besimit të tyre, e besimit tonë, që ne mund ta transformojmë qendrën në një qendër ekselence për kujdesin shëndetësor, për të gjithë Ballkanin.

Por paralelisht me qendrën, ne duam të transformojmë edhe Universitetin e Mjekësisë dhe dua ta theksoj që në të dyja këto bashkëpunime, që në fakt janë pjesë e të njëjtës marrëveshje, synimi nuk është thjeshtë që të kemi një partner më shumë, ndër shumë partner që kemi.

Synimi nuk është që të kemi një konsulent më shumë, ndër shumë konsulentë që kemi apo që të bëjmë një binjakëzim më shumë ndër shumë binjakëzime që kemi.

Synimi është që të deri në 2030-ën, nga njëra anë, qendra spitalore universitare të pësojë ekzaktsisht atë transformim që grupi i San Raffaele ka sjellë në Poloni, duke u përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha proceset, duke u përfshirë drejtpërdrejtë në menaxhimin e qendrës, duke u përfshirë drejtpërdrejt në organizimin e gjithë jetës së përditshme të qendrës, duke u përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha proceset dhe duke bashkuar në kuptimin e vërtetë të fjalës, profesionistët e të dy anëve të San Raffaele dhe të QSUT-së.”, tha Rama./abcnews.al/