LAJMI I FUNDIT:

Marrëveshja pa njohje reciproke, opozita alarmon: Do të mbeten sërish çështje të pazgjidhura

Marrëveshja pa njohje reciproke, opozita alarmon: Do të mbeten sërish çështje të pazgjidhura

Një ditë pas qëndrimit në Kosovë të emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, partitë opozitare kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të jetë e kujdesshme në raport me dialogun me Serbinë, pasi sipas tyre çfarëdo marrëveshje pa njohjen reciproke do të linte sërish çështje të pazgjidhura ndërmjet dy vendeve.

Megjithatë, në partinë në pushtet e shohin si pozitive idetë e reja për dinamizmin e procesit të dialogut, mirëpo nënvizojnë rëndësinë e njohjes reciproke.


Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se mirëpresin përkushtimin e madh ndërkombëtar për të arritur marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.

Mirëpo, thekson se ujdia finale duhet të jetë ligjërisht e obligueshme dhe se njohja reciproke të jetë në thelb të saj.

“Shihet një dinamikë dhe një përkushtim më i madh për t’u arritur një marrëveshje finale. Qëndrimi jonë është shumë i thjesht në këtë temë. Një marrëveshje finale e cila është ligjërisht e obligueshme dhe e cila e ka njohjen reciproke thelbin e marrëveshjes është qëndrimi i AAK-së…Ne duhet të fokusohemi që të mbrojmë dhe të ecim përpara me vendimet që i kemi marrë deri më tani, çfarëdo vendimi tjetër është kthim prapa”, ka deklaruar ai.

Nevojën për njohje reciproke në marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve e potencon edhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.

Ai thotë se nëse arrihet ndonjë marrëveshje pa njohje të ndërsjellë, sërish do të mbeten çështje të hapura ndërmjet dy vendeve.

“Ajo çka unë si deputet pres është se marrëveshja finale të jetë njohja reciproke, pasi çdo marrëveshje tjetër do të linte prapë shumë çështje për t’u diskutuar. Nëse kemi një marrëveshje pa e njohur njëri-tjetrin çështjet kryesore do të mbeten pa u zgjidhur”, deklaron Qalaj.

Më kritike për procesin e dialogut është deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Sipas saj, Qeveria Kurti është pa strategji dhe transparencë për dialogun, derisa edhe tregon tri parimet kryesore që LDK-ja ka adresuar për këtë proces.

“Kjo qeveri në çështjen e dialogut ka qenë pa strategji dhe pa transparencë. Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës kemi tri parime për dialogun, që është mbrojtja e kushtetutshmërisë, njohja reciproke dhe integriteti territorial. Mirëpo ne deri më sot vetëm përmes mediave jemi njoftuar se kur ka pasur takime dhe kur kanë ardhur emisarët ndërkombëtarët në Kosovë. Kryeministri asnjë ditë nuk ka qenë i gatshëm të vjen në Kuvend për çështjen e dialogut”, thekson Krasniqi.

Nga ana tjetër, deputeti i LVV-së, njëherësh, kryetar i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Haki Abazi, thotë për KosovaPress se nuk ka moment më të volitshëm për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.

Mirëpo ai është skeptik se Serbia do të pranojë ndonjë propozim konkret për marrëveshjen me Kosovën.

“Kjo është në kuadër të dinamizmit të dialogut edhe me vendosjen e dy këshilltarëve të presidentit Macron dhe kancelarit Scholz. Ky është e mirë, pasi nuk ka moment më të volitshëm që të arrihet në përfundim të këtij procesi të prolonguar dhe mbajtur peng Kosovën. Dialogu duhet të përfundojë. Natyrisht situata në të cilën jemi është që Serbia po tregon që s’ka vullnet minimal politik për një gjë të tillë. Kjo zhveshje para bashkësisë ndërkombëtare të fytyrës së vërtet të Vuçiqit duhet të shkojë edhe me tutje, pasi kemi të bëjmë me një aktor që ka përkrahur dhe vazhdon të përkrahë luftën ruse në Ukrainë. Kjo është faza e fundit, pasi kjo nuk do të thotë se Serbia do të pranojë të bëjë një gjë të tillë”, potencon Abazi.

Emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë qëndrimit në Kosovë tha se mbështesin propozimin franko-gjerman për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, madje tha se arritja e kësaj ujdie është çështje javësh.

Siç është raportuar në medie në Kosovë, propozimi franko-gjerman, në momentin aktual nuk përfshinë njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, e njëjta vetëm do t’i hapë rrugë anëtarësimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike, po ashtu edhe një përafrim të Serbisë në rrugën evropiane. Ndërsa në momentin e anëtarësimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian do të kushtëzohet njohja e ndërsjellët.

Escobar sot ka qëndruar edhe në Serbi, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq./KP/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Lajme
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori