LAJMI I FUNDIT:

Marrëveshja NATO-RFJ e vitit 1999 dhe territori i Kosovës

Marrëveshja NATO-RFJ e vitit 1999 dhe territori i Kosovës

Për të analizuar proceset e zhvillimeve në Kosovë duke filluar nga viti 1912 e deri te pavarësia e saj në 2008, duhet hulumtim i thellë shkencor mbi atë historiografi. Sidoqoftë, kisha mjaft argumente profesionale e shkencore për rikujtimin e marrëveshjes  madhështore te datës 09 qershor 1999. Kjo marrëveshje, përveç të tjerave, shumë sakët ndërlidhë aprovimin ndërkombëtar të territorit të Kosovës në të gjitha nivelet deri në Kombet e Bashkuara.

Periudha dhjetë vjeçare 1998-2008,  karakterizohet me luftën e ndritshme të UÇK-së, me bombardimet e NATO-s mbi Serbi dhe mbrojtjen e popullatës civile në Kosovë. Këto ndërlidhën drejtpërdrejtë me humanitetin për ndaljen e gjenocidit ndaj popullatës shqiptare në Kosovë, ndërlidhët me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe përfundimisht kulmon me shpalljen e pavarësisë së shtetit. Sigurisht, deri në luftën e UÇK-së dhe bombardimet e NATO-s, u provuan metoda shteruese që në mënyrë paqësore e me dialog të gjendej një zgjidhje e pranueshme për Kosovën. Meqë, zbatimi i metodave paqësore mungoi, dhe presioni i Serbisë nuk ndalej, nga se u kuptua, se Serbia nuk pranon  zgjidhje paqësore për Kosovën. Ajo vazhdonte të ashpërsoj metodat e dhunës ndaj popullatës shqiptare, ndaj pronës se tyre, pastaj dëmtimet  dhe abuzimet bëheshin në të gjitha fushat e jetës, nëpërmjet ligjeve diskriminuese apo fare pa ligj: në edukim, në kulturë, në  ekonomi, në industri etj. Dhuna tejkaloi të gjitha pikat ekstreme, ndaj lindi organizimi i UÇK-së në territorin e Kosovës.


Lufta vazhdonte, sulmet e NATO-s nga ajri mbi Serbi të filluara me 24 Mars 1999, vazhduan deri me 10 Qershor 1999. Njëkohësisht NATO me në krye SHBA-të, bënin oferta për ndërprerje të gjenocidit në Kosovë për të krijuar kushtet për fillimin e bisedimeve. Në ate rast Pushteti serb kërkonte të kundërtën,  paraprakisht ndalja e bombardimeve nga NATO e pastaj bisedimet për marrëveshje. Këtë truk nuk e pranoj SHBA, prandaj sulmet nga ajri vazhduan. Pas 78 ditë sulme nga NATO, Serbia u gjunjëzua dhe pranoi marrëveshjen (lexo kapitullimin) e saj të arritur me 09 qershor 1999 në Kumanovë të Maqedonisë.

Rrjedhja e nënshkrimit të marrëveshjes.

Para përfundimit të bombardimit të NATO-s mbi RFJ-Serbi, ish presidenti Finlandez Martti Ahtisaari e dorëzon një propozim  Marrëveshje ushtarake-teknike, për t’u aprovuar nga Forca Ndërkombëtare e Sigurisë (KFOR) në njërën anë, kurse në anën tjetër nga të dy palët: nga Republika Federale e Jugosllavisë dhe nga Republika e Serbisë e përfaqësuar nga Kryetari Slobodan Miloseviq (i cili përfundoi në Gjykatën e Hagës). Parlamentet e këtyre dy të fundit e aprovojnë marrëveshjen me 03 Qershor 1999, dhe me 09 Qershor 1999 në Kumanovë nënshkruhet marrëveshja ndërmjet gjeneralit të NATO-s dhe atij të RFJ (KFOR-RFJ (Serbi-Mal i Zi) Marrëveshja u nënshkrua nga komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë Gjenerali Michael Jackson,  dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së RFJ – Serbisë, Gjenerali Nebojsha Pavkoviq (i cili me vonë u akuzua për krime lufte dhe gjenocid). Të nesërmen me 10 qershor, në Këshillin e Sigurimit të KB aprovohet Rezoluta 1244, dhe shpallet  përfundimi i luftës me fitore të forcave NATO kundër RFJ. Marrëveshjes dhe Rezolutës i paraprinë aprovimi i procesit nga Grupi G-8 për paqe në Kosovë. Pikat kryesore të aprovuara nga G-8 janë:

– Zyrtarët jugosllavë dhe NATO nënshkruajnë marrëveshje ushtarake-teknike për tërheqjen e forcave serbe,

– Forcat serbe fillojnë tërheqjen me verifikimin e NATO-s,

– NATO pezullon sulmet ajrore,

– Derisa forcat serbe largohen, forcat paqeruajtëse të KFOR-it hyjnë në Kosovë,

– Këshilli i Sigurimit i K.B-së miraton rezolutën që ishte përgatitur dhe aprovuar  për planin e paqes  nga G-8.

Zakonisht për çështje të ndërlidhura me territore, sikurse në rastin Kosovë-Serbi marrëveshja përmban dy pjesë: atë tekstuale, dhe atë hartografike. Pjesa tekstuale, përmban gjashtë nene (article eng.) dhe një shtojcë, e  ndër të tjera, përmban edhe sqarime të ndërlidhura me paraqitjet hartografike, duke u mbështetur ne gjeoinformacionin e saktë. Natyrisht se vlera e hartës  është shumë qëllimore dhe shumëdimensionale: për zbatimin e marrëveshjes në terren për vëzhgim, pastaj në raste kontesti në vijën kufitare, për ruajtjen e stabilitetit, lirisë dhe sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës. Fakt i ditur është se ushtritë gjithmonë, dhe për çdo veprim apo lëvizje të tyre, qoftë për trajnime për luftë apo për paqe, përdorin hartat topografike. Kështu që edhe për nënshkrimin e marrëveshjes së cekur sipër u përdorën hartat topografike të vitit 1999, me kufirin e paraqitur ndërmjet territorit të Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi. Këto harta topografike të NATO-s rrjedhimisht janë aprovuar se bashku me marrëveshjen në Parlamentin e RFJ dhe në parlamentin e Serbisë, të cilat janë edhe tani në dispozicion.

Hartat digjitale: kjo e vitit 1974, dhe harta topografike e NATO-KFOR-it nga marrëveshja 1999, paraqesin të njëjtin territor/kufi të Kosovës ndaj shteteve fqinje.

Marrëveshja ushtarake-teknike në pjesën tekstuale, ndër të tjera, prezanton:

1. “Zona e Sigurisë Ajrore (ASZ- Air safety zone) përcaktohet si një zonë 25 kilometra përtej kufirit të Krahinës së Kosovës në pjesën e territorit të RFJ-së. Ai territor përfshin zonën 25 kilometershe të hapësirës ajrore”.

2. “Zona e Sigurisë Tokësore (GSZ- Ground safety zone) është përcaktuar si një zonë 5-kilometra që shtrihet përtej kufirit të krahinës së Kosovës në pjesën e territorit të RFJ-së. Ai territor përfshin zonën 5 kilometershe të hapësirës tokësore”. Shiko hartat topografike me sqarime.

Dy fleta të hartës topografike për pjesë të territorit të Kosovës të paraqitura në vijim (sepse në tërësi të tilla janë 34 feta), me vijën e kufirit dhe me vijën e zonës se sigurisë, janë nga marrëveshja ushtarake-teknike 09 qershor 1999.

Harta topografike nga marrëveshja 09 Qershor 1999 tregon se Kosova në periudhën e RSF Jugosllavisë kishte territor të përkufizuar me një vijë administrative, apo thënë më mirë kishte kufirin e saj brenda RSF Jugosllavisë. Vijat përkufizuese të prezantuara në hartën me përpjesë 1:50000 janë nga pika 2 për Zonën e Sigurisë Tokësore (GSZ- Ground safety zone), Vija e trashe prezanton kufirin e Kosovës, kurse vija e hollë paraqet përkufizimin e zonës tokësore të sigurisë 5 km larg kufirit të Kosovës në thellësi të RFJ. I gjithë territori i Kosovës me kufirin e saj është prezantuar në 34 fleta të hartës topografike të asaj përpjese. Po ashtu, në përpjesën 1:100000, i njëjti territor i Kosovës është paraqitur në 13 fleta të hartës topografike të NATO-s (KFOR). Këto harta janë të përpiluara nga Agjencia Kombëtare e Imazheve dhe Hartave, SHBA (National Imagery and Mapping Agency- NIMA.). Rëndësia e përcaktimit të këtyre dy zonave është së paku e trefishtë: sepse nëpërmjet saj janë garantuar: 1.siguria, 2.liria, si dhe 3. për herë të parë në nivel ndërkombëtar është cituar, prezantuar dhe zbatuar kufiri për territorin e Kosovës.

Zhvillimet e tanishme të teknologjisë se avancuar ndihmojnë shumë në vëzhgimin e kufirit nëpërmjet rilevimeve aerofotogrametrike, imazheve dhe sistemeve pa pilot (UAV) – dron. Forcat e mbrojtjes dhe të sigurisë kanë në dispozicion këtë teknologji dhe bëjnë vëzhgime e kontrolle me vizuelizim nga distanca. Këto dhe arsye të tjera kanë ndikuar për të pasur në tavolinë hartat ushtarake me territorin dhe kufirin e Kosovës. Palët nënshkruese të marrëveshjes, janë pajtuar, ndaj të dhënat janë futur në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë të KFOR-it, e zbatohen edhe nga Policia e Kosovës. Në këtë mënyrë, KFOR-i, dhe policia e Kosovës përveç fizikisht mbajnë në vëzhgim situatën në vijën kufitare të Kosovës me fqinjët nëpërmjet vizuelizimit në kohë reale.

Çka aprovoi Këshilli i sigurimit lidhur me territorin e Kosovës?   

Patjetër duhet cekur se Këshilli i Sigurimit i K.B-së miraton Rezolutën 1244 (1999) me numrin S/RES/1244 (1999) 10 qershor 1999. Kësaj Rezolute i paraprinë përgatitja dhe aprovimi i dokumentit për planin e paqes  nga grupi G-8.

Këshilli i Sigurimit (KS) në Rezolutë 1244 (1999) ndër të tjera përcaktoi katër çështje të rëndësishme:

– tërheqjen e trupave serbe nga Kosova.
– statusin politik të Kosovë si protektorat të OKB-së,
– përgjegjësinë për administratën civile e merr OKB, dhe
– sigurinë për territorin e Kosovës e bënë KFOR (NATO).

Në piken 9 shkruan “KS, Vendosë përgjegjësitë e pranisë ndërkombëtare të sigurisë që do të vendoset dhe do të veprojë në Kosovë të përfshijnë”: dhe vazhdon në paragrafin g. “Kryerjen e detyrave vëzhguese në kufi siç kërkohet”. Rrjedhimisht, këtu qartësohet territori i Krahinës se Kosovës, i cili njëkohësisht ishte i prezantuar në hartat topografike të marrëveshjes. Natyrisht, siguria e territorit dhe vëzhgimi i kufirit siç kërkohet  mund të bëhet vetëm kur vija kufitare ekziston, Në këtë rast KS me rezolutë e pranon territorin e Kosovës të përkufizuar dhe të përcaktuar nga harta zyrtare të Krahinës se Kosovës dhe të transferuar në hartat e cekura sipër. Pavarësisht qe në disa vende të rezolutës ceket territori i RFJ, ajo nuk e cenon territorin e Kosovës.

Nga erdhi territori i Kosovës?

Me të drejtë shtrohet kjo pyetje lidhur me ndarjen territoriale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përkufizimit të saj me shtetet fqinje: nga e mori KFOR këtë kufi? kush e përcaktoi këtë kufi dhe kush e përcaktoi territorin e Kosovës?

Përgjigja është e thjeshtë dhe e qartë: territori i Kosovës është i përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974 dhe i paraqitur si vijë administrative në hartë me përpjesë të madhe, të quajtura harta kadastrale. Këto harta janë të përpiluara me matje gjeodezike të sakta në të cilën janë kufijtë e parcelave, kufijtë e zonave kadastrale, kufijtë administrativ të komunave dhe kufiri-vija administrative e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Në Kushtetutën e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës të vitit 1974, gjegjësisht Neni 3 shkruan: “Territorin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës e përbëjnë territoret e komunave të tanishme. Territori i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e Kuvendit Krahinor”. Shtrirja e territorit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSA Kosovës) shihet në hartën zyrtare të vitit 1974 e cila është edhe tani në zbatim në të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës, prandaj s’ka dilema për këtë çështje.

Kur thuhet pranim ndërkombëtar i territorit të Kosovës nënkuptohen vendimet e rëndësishme në shpërbërjen e RSF Jugosllavisë, edhe pse Kosova nuk ishte pjese e agjendës në Konferencën për Jugosllavi. Vendimet ndërkombëtare për Kosovën pa prezencën e saj, por qe konfirmojnë territorin e saj me kufij janë:

– Mendimet e Komisionit Badinter 1991/93.
– Marrëveshja e 09 qershor 1999,
– Miratimi i planit të paqes për Kosovën nga G-8
– Rezolutës 1244 (1999),

Në dokumentet e cekura është i bazuar dhe aprovuar nga udhëheqja politike vendore e ndërkombëtare (përveç Serbisë) edhe “Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, Shkurt 2007 në të cilin qarte përshkruhet edhe territori i Kosovës. Të gjitha dokumentet e prezantuara paraprakisht lidhur me territorin dhe kufirin e Kosovës  konfirmohen edhe nga Mendimi Këshillëdhënës i datës 22 korrik 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hague-Holandë.

Të gjitha vendimet ndërkombëtare të aprovuara pa përfaqësues të  Kosovës, bazë juridike për territorin e Kosovës kishin Kushtetutën e vitit 1974 të RSFJ dhe Kushtetutën e KSA të Kosovës të vitit 1974 si dhe hartat për territorin e saj po nga ai vit. Gjithashtu vendimet e marrura në konferenca vendore e ndërkombëtare edhe me pjesëmarrje të përfaqësueseve të Kosovës, dokumente bazë kanë qene ato të vitit 1974 si u cekë me parë. E gjithë kjo është rrjedh si rezultat sepse: territori i gjashtë Republikave dhe i dy Krahinave në ish RSFJ kanë qene të përkufizuara me vija administrative, të njohur si kufij të brendshëm dhe pas pavarësisë se tyre ato u transformuan në kufi ndërkombëtar.

Mendimet e Komisionit Badinter për ish-Jugosllavi nga 20 nëntor 1991 deri me 13 gusht 1993. Këtu në mënyrë indirekte është fjala edhe për Kosovën, sepse ajo i kishte kufijt e jashtëm të definuar. Nga komisioni Badinter, për shpërbërjen e RSFJ, është qartësuar se përkufizimi i territorit përkatësisht kufiri i njësive të RSFJ është ajo vijë administrative qe ishte gjatë funksionimit të Federatës, nëse ndërmjet shteteve nuk ka ndonjë marrëveshje tjetër paqësore. Në këtë rast edhe Kosova me të gjithë fqinjët e ka saktë të përcaktuar vijën ndarëse administrative përkatësisht kufirin.

– Marrëveshja e 09 qershor 1999  paraqet territorin e Kosovës në hartat topografike në përpjesë 1:50 000 dhe 1:100 000. Tre shembuj ilustrues të hartës topografike me kufi dhe me zone të sigurisë shiko hartat e bashkëngjitura.

– Miratimi i planit të paqes për Kosovën nga G-8. Plani i paqes përmbante pikat kryesore: nënshkrimi i marrëveshjes, largimi i forcave serbe, ndalimi i sulmeve ajrore nga NATO, dhe aprovimi i rezolutës nga KS të KB.

– Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të datës 10 qershor 1999, Kosovën  e vendos nën Protektoratin e Misionit të Kombeve të Bashkuara i njohur (UNMIK- United Nation Mission in Kosovo), me territorin e saj përkufizuar.

– Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës nga Martti Ahtisaari. 2007. Lexo: Aneksi VIII – Sektori i Sigurisë së Kosovës, neni 3. Kufiri.

Ndërsa, pavarësia e R. të Kosovës është shpallur pikërisht konform dokumenteve ndërkombëtare të cekura sipër dhe të mbështetura në Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974. Kjo shprehet nëpërmjet të Deklaratës se Pavarësisë se Kosovës, e cila mbështetet në territorin e Kosovës nga viti 1974. Lexo  piken 1 dhe 8 të Deklaratës se Pavarësisë të Kosovës qe lidhet me Pakon e Ahtisaarit, me marrëveshjen e vitit 1999 dhe me  kushtetutën e Kosovës të vitit 1974.

Përcaktimi i kufirit Kosovë Serbi në Bruksel në periudhën e marrëveshjes teknike për Menaxhimin e integruar të kufirit në vitin 2013. Për menaxhimin e përbashkët të gjashtë vendkalimeve kufitare Kosovë-Serbi, pas diskutimeve të gjata, në Bruksel u vendos qe ato pika me koordinatat e tyre të fiksohen fizikisht në terren. Pikat e kufirit ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë janë fiksuar në terren nga data 27-31 Mars 2013, në prani të dy komisioneve shtetërore: nga komisioni i Kosovës dhe nga komisioni i Serbisë. Në zyre dhe në terren komisionet punuan në prani të tri udhëheqjeve politike nga: Kosova, Serbia si dhe nga BE. Kjo vijë administrative, tani kufi shtetëror u realizua me matje GNSS me saktësi centimetrike. Në fund të procesit, pranimi dhe nënshkrimi i këtij kufiri është bërë nga dy palët politike-shtetërore dhe nga përfaqësuesit e BE-së. Prandaj quhet pranim i kufirit nga Serbia dhe pranim i kufirit në nivel  ndërkombëtar ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë.

Urojmë qe këto data të rikujtohen nga të gjithë shqiptaret, dilema për territorin e Kosovës nuk ka, sepse faktet janë prezentë dhe të arkivuara në arkivat vendore e ndërkombëtare.