LAJMI I FUNDIT:

Marketi “Plus Center” në Ferizaj, prej bizneseve të pakta që nuk ka produkte serbe, synon mbështetjen e prodhimeve vendore

Marketi “Plus Center” në Ferizaj, prej bizneseve të pakta që nuk ka produkte serbe, synon mbështetjen e prodhimeve vendore

Ndonëse është njëra nga shumë bizneset që merret më shitblerjen e produkteve me pakicë, marketi “Plus Centre” në Ferizaj është prej të rrallëve që në asortimanin e tij nuk ka produkte serbe, duke synuar që një vend të posaçëm ta kenë produktet vendore.


Pronari i “Plus Centre”, Sylejman Neziri – para ministrit të Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, i cili ka vizituar sot këtë market – ka theksuar se synon që përmes veprimtarisë së tij t’i përkrah prodhuesit vendor.

Ai ka kërkuar përkrahje për prodhuesit vendor, duke shtuar se institucionet e Kosovës duhet t’i mbështesin edhe bashkëatdhetarët të cilët duhet të vinë të investojnë në Kosovë.

“Besoj se edhe qeveria tash e tutje do te ia jep një përkrahje shumë  prodhuesve vendor por edhe bashkatdhetarëve që të vijnë pa hezitim të financojnë në Republikën e Kosovës dhe që rinia jonë të mos ikë nëpër ambasada, por ta forcojmë shtetin tonë siç është më mirë”, ka shtuar Neziri.

Ministri i MTI-së, Endrit Shala gjatë vizitës në këtë biznes ka bërë thirrje që të zbatohet ligji i Konsumatorit, i cili ndër të tjera parasheh edhe vendosjen e etiketave karshi produktit  për origjinën e tyre.

Sipas tij, ai si ministër i Tregtisë do ta rris dinamikën dhe përkushtimin e ministrisë së tregtisë në përkrahjen dhe mbrojtjen e prodhimit vendor.

“Ju e dini që Parlamenti i Kosovës veç se ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Ky ligj parasheh edhe obligative edhe vendosjen e etiketimit të vendosjes së origjinës s produktit për të cilin e përgëzoj Sylën i cili veç se ka filluar të vendos në të gjitha produkte ka vendos edhe etiketimin e origjinës së produkti”, ka thënë Shala.

Më tutje ai ka kërkuar edhe nga bizneset tjera që prej datës 29 dhjetor kur sipas Shalës edhe hyn ky nen i këtij ligji në fuqi, të gjitha bizneset t`i pajisin produktet e tyre me treguesin e origjinës së këtij produkti.

“Kërkoj që të rrisin edhe cilësinë  produkteve të tyre që të jenë të konkurueshëm edhe në tregun vendos edhe ndërkombëtar”, tha Shala.

Zbatimin e ligjit nga bizneset e kërkoi edhe kryetari i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha.

Ai tha se është e drejtë e konsumatorit që të dijë se prej nga është produkti.

“Përgëzojmë edhe ministrin që e ka shty Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Iu bëjmë apel edhe pikave të tjera që të zbatojnë këtë ligj sepse është e drejtë e konsumatorit të dijë se nga është produkti a është nga Kosova nga vendet e rajonit apo i importuar nga vendete Bashkimit Evropian”.

Ndryshe, me 15 mars të këtij viti ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit, që është bërë në harmonizim me legjislacionin e BE-së. /Telegrafi/