Ekonomia e Maqedonisë së Veriut konsiderohet të ketë pasur dëme të mëdha nga ndërprerja e detyruar e aktivitetit ekonomik ndërkohë që FMN ka parashikuar ulje për katër qind.

Sipas parashikimeve të njohësve dhe ekspertëve të ekonomisë, BPV i gjysmës së këtij viti në vendin tonë do të ulet dukshëm në sektorin e ndërtimtarisë, industrisë si dhe të hotelerisë dhe turizmit. Si në të gjithë botën edhe te ne virusi korona ka ndikuar negativisht në zhvillimin e ekonomisë, sepse detyroi ndërprerje të detyrueshme të aktiviteteve. Ndërkohë, autoritetet shtetërore kanë paralajmëruar se do të angazhohen, në mënyra të ndryshme për ta ndihmuar sektorin e biznesit, me qëllim që t`i mundësojnë rimëkëmbjen pas krizës me pandeminë.

Sektori i ndërtimtarisë është shumë i rëndësishëm për efikasitetin energjetik dhe efikasitetin e resurseve, dhe paraqet njërin ndër sektorët më të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë, kështu shprehen njohësit e sektorit të ndërtimtarisë. Ndërkohë Fatmir Etemi, afarist dhe investitor në sektorin e ndërtimtarisë për gazetën KOHA është shprehur se pandemia e virusit korona ka rënduar tepër shumë sektorin ndërtimor.

“Produktiviteti i punës ka rënë dukshëm, punojmë me orar të shkurtuar dhe me numrin e reduktuar të punëtoreve. Vlen të cekët se gjithashtu edhe interesimi për blerjen e banesave gjatë kësaj kohe ka rënë dukshëm”, është shprehur ai. Sipas tij shkaku i virusit korona do të ketë pasoja të mëdha për një kohë të gjatë në sektorin e ndërtimtarisë së lart.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike Veri-perendimore, Nebi Hoxha, në një intervistë për gazetën KOHA, është shprehur se nëse nuk kemi një përkrahje atëherë është vështirë të kthejmë situatën në binaret të cilat kanë qenë para se të vij virusi korona.

“Me një parandalim apo me një fokus gjithëpërfshirës edhe të bizneseve edhe të Qeverisë, ne mund të kthejmë biznesin në nivelin e duhur”, u shpreh ai. Ndërkohë, kryetarja e Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë se Veriut, Danella Arsovska, ka informuar se në bashkëpunim me sekretarin e përgjithshëm të Odës ndërkombëtare eknomike, Xhon Denton, së bashkie kanë projektin për hulumtim global me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, për sfidat nga virusi korona me të cilat po përballet sektori i biznesit. Sipas saj, pandemia është gjendje sociale e jashtëzakonshme e krizës në sektorin e biznesit, për të cilën aksioni urgjent i qeverive në të gjithë botën është i nevojshëm jo vetëm për sanimin e pasojave shëndetësore, por edhe të atyre ekonomike.

Sipas një hulumtimi, i kryer në fillim të muajit prill, rezulton se rreth 95 për qind e ndërmarrjeve të anketuara e vlerësojnë krizën e virusit korona si negative. Përqindje po aq e lartë është gjetur edhe në vlerësimin e rënies së shitjeve, ku mbi 92 për qind e bizneseve kanë deklaruar se kanë përjetuar zvogëlim të shitjeve si pasojë e masave kufizuese, prej të cilëve rreth 48 për qind kanë raportuar rënie më madhe se 75 për qind, derisa çereku i të anketuarve ka raportuar zvogëlim të shitjeve në normën mbi 50 për qind.

Ekonomia e Maqedonisë së Veriut, konsiderohet të ketë pasur dëme të mëdha nga ndërprerja e detyruar e aktivitetit ekonomik. Ndërkaq, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas virusit korona ekonomia e Maqedonisë së Veriut pritet të ketë ulje për katër për qind. Ndërkohë, afaristët bëjnë thirrje për të bashkëpunuar me institucionet e vendit për adresim të problemeve me të cilat sektori i biznesit është ballafaquar pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit. (koha.mk)