Mandatari për kryeministër, Kurti: Të dielën mbajmë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm

Partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, pritet të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të dielën, për të votuar kandidatin për kryeministër.
Këtë e bëri të ditur kreu i kësaj partie, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti.
Ai, derisa u pyet nga gazetarët se kur do ta dërgojnë mandatarin për kryeministër, tha shkurt se të dielën do të vendosin, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm.
“Kemi mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të dielën, kur do të vendosim”, tha ai, në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike – KosovaPAR2025.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka mbyllur seancën konstituive, megjithëse nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.
Kësisoj, LVV po insiston në rrjedhën e afatit ligjor për formimin e qeverisë, pavarësisht që partitë ish-opozitare po konsiderojnë se Kuvendi nuk është konstituuar, pasi nuk është zgjedhur nënkryetari i legjislativit nga komuniteti serb.
Për shkak të mos zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, Lista Serbe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kontestuar konstituimin e Kuvendit dhe kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për të ndalur rrjedhën e afatit për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit









































