LAJMI I FUNDIT:

Manastirliu: Herët për të shpallur fitoren ndaj COVID-19, situata po vëzhgohet

Manastirliu: Herët për të shpallur fitoren ndaj COVID-19, situata po vëzhgohet

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se është ende herët për të shpallur fitoren ndaj virusit, ndërsa deri tani janë vaksinuar rreth 56 për qind e popullsisë me një dhe dy doza.

Gjatë prezantimit të vendimeve të fundit të Këshillit të Ministrave për Shëndetësinë, Manastirliu tha se situata po monitorohet nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për rivlerësimin e masave kundër COVID-19.


“Është ende herët për të shpallur fitore apo për të reduktuar masat. Në Shqipëri situata po vlerësohet dhe kjo na bën të kujdesshëm”, tha Manastirliu.

Ajo u shpreh se në vend mbizotëron variantit Omicron, ndërsa foli edhe për situatën e të shtruarve në spitale.

“Ne sot kemi mbi 18 mijë raste aktive të cilat janë në masën 98 për qind me variantin Omicron dhe gjithashtu situata në spitale është e qëndrueshme”, tha ajo.

Manastirliu bëri me dije se Komiteti Teknik do të mblidhet së shpejti për të rivlerësuar afatin 6-mujor të dozës përforcuese dhe uljen e ditëve të izolimit.

Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka thënë se shumë se 370 milionë raste janë raportuar dhe 5.6 milionë njerëz kanë vdekur, shifra që ai tha se janë të nënvlerësuara.

Që kur u identifikua Omicron, ai tha se janë raportuar rreth 90 milionë raste, më shumë se në të gjithë vitin 2020.

Ai shtoi se është e parakohshme që çdo vend të dorëzohet ose të shpallë fitoren, duke theksuar se virusi do të evoluojë në mënyra që nuk mund të parashikohen. /Telegrafi/