Man Utd gati t’i ofrojë rinovim liderit të mbrojtjes

Situata mes Manchester United dhe Harry Maguire ka marrë një kthesë të papritur në javët e fundit.
Mbrojtësi anglez, i cili deri vonë konsiderohej jashtë planeve të skuadrës dhe pranë largimit si lojtar i lirë, tashmë është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të formacionit të drejtuar nga trajneri i përkohshëm Michael Carrick.
Për pasojë, drejtuesit e klubit po shqyrtojnë seriozisht rinovimin e kontratës së tij.
Pas largimit të Ruben Amorim, e ardhmja e Maguire në “Old Trafford” dukej e mbyllur, pasi klubi nuk kishte ndërmend t’i ofronte zgjatje kontrate.

Megjithatë, ardhja e Carrick në stol ka ndryshuar rrënjësisht situatën.
Ai ka rikthyer ekuilibrin në skuadër, duke hequr dorë nga skemat e mëparshme dhe duke i vendosur lojtarët në pozicionet e tyre natyrale.
Në këtë kuadër, Kobbie Mainoo është rikthyer si organizator në mesfushë, ndërsa Maguire ka rimarrë rolin e liderit në mbrojtje.
Skuadra shfaq më shumë siguri dhe vetëbesim në fushë, ndërsa lojtarët ofensivë si Cunha, Mbeumo dhe Diallo po performojnë me liri më të madhe.

Sa i përket Maguire, ai është përqendruar në detyrat bazë mbrojtëse, duke spikatur në ndërhyrje dhe pastrimin e zonës, pa u ngarkuar me ndërtimin e aksioneve nga prapavija.
Sipas raportimeve të gazetarit pranë klubit, Dean Jones, drejtuesit e Manchester United tashmë po konsiderojnë një rinovim kontrate për 32-vjeçarin, edhe nëse kjo nënkupton një marrëveshje me kushte të reduktuara.
Maguire, i cili ka shprehur vazhdimisht besnikëri ndaj klubit, është i gatshëm të firmosë sa më shpejt për të vijuar aventurën e tij me “Djajtë e Kuq”. /Telegrafi/





















































